Modeli i munguar i Kombëtares së futbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2023 | 19:32

Modeli i munguar i Kombëtares së futbollit

Ekipi kombëtar i futbollit është pa dyshim krenaria e sportit shqiptar. Dhe patjetër edhe krenaria e të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhen. Për të është folur e do të flitet shumë në të ardhmen sepse aktualiteti dhe perspektiva e rezultateve sportive të tij janë shumë shpresëdhënëse.

Artan-Shyti

Në këtë kontekst, realiteti i ekipit kombëtar është një mundësi shumë e mirë për të kuptuar se suksesi i tij varet e do të varet edhe nga mënyra se si organizohet, trajtohet e menaxhohet, jashtë fushës së lojës, një strukturë e tillë e rëndësishme.

Sukseset e Kombëtares janë rezultat edhe i një menaxhimi shumë cilësor të të gjitha aspekteve funksionale të saj. Kush ka qenë dëshmitari i aktiviteteve të Kombëtares, përfshirë edhe mua, ka parë nga afër se kjo strukturë funksionon në perfeksion dhe asaj nuk i mungon asgjë, në çdo aspekt.

Por, kur krahason realitetin e Kombëtares së futbollit, me realitetin e trajtimit të ekipeve kombëtare të sporteve të tjera është e qartë se diferenca është si nata me ditën.

Natyrisht, futbolli është një sport i pasur dhe ka mundësitë financiare ta trajtojë siç duhet ekipin e tij kombëtar me paratë e tij. Sportet e tjera nuk i kanë këto mundësi sa futbolli. Por kjo nuk përligj trajtimin e padenjë të ekipeve kombëtare dhe sportistëve elitarë të sporteve të tjera nga ana e shtetit, sepse është detyrë e tij ligjore të ndërhyjë për ekipet kombëtare.

Shqipëria nuk vuan për para aq sa të lërë në mëshirë të fatit ekipet kombëtare të sporteve që na përfaqësojnë në arenat europiane dhe botërore. Kosova nuk është më e pasur se ne që e ka buxhetin e shtetit për federatat 11 milionë euro, ndërsa ne e kemi 1.6 milionë euro!?

Ndërkohë, Shqipëria ka para të hedhura kot në “projekte” sportive të destinuara të dështojnë pa nisur, si ai i fëmijëve të shkollave në basketboll e volejboll!?

Sot të gjitha federatat shqiptare të sportit kanë 1.6 milionë euro në vit për financimin e të gjithë aktiviteteve të tyre me të gjitha grupmoshat: administrative, kombëtare e ndërkombëtare, ndërkohë që vetëm ky projekt në dy sporte, vetëm me fëmijët e shkollave, ka në dispozicion 5 milionë euro në vit.

Kjo do të thotë që ekipet e shkollave bëjnë gallatë me lekët e taksapaguesve, ndërkohë që ekipet kombëtare të sporteve të tjera vuajnë për kushtet më elementare të trajtimit, kur krahasohen me homologët e tyre ballkanikë e le pastaj europianë.

Pra, paratë aty janë, por destinacioni i tyre është absurd…

Kombëtarja e futbollit është e suksesshme në nivel ndërkombëtar, edhe sepse nuk i mungon asgjë në trajtim, njësoj si kundërshtarët e saj.

Të mendosh se mund të konkurrosh në sportet e tjera në nivel ndërkombëtar kur ekipet kombëtare i trajton më keq se fëmijët e shkollave të Shqipërisë është thjesht papërgjegjshmëri.

Pa gërmuar më thellë, se pastaj papërgjegjshmëria kushedi se me çfarë shoqërohet…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"