Kur humb bastin për… bastet!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2024 | 20:41

Kur humb bastin për… bastet!

Nga ARTAN SHYTI

artan shyti

Rikthimi i basteve në ligjshmëri ka qenë një çështje që ka tërhequr vëmendjen e opinionit sportiv kohët e fundit. E kërkuar fillimisht nga institucionet sportive, ky problem ka gjetur gatishmërinë e qeverisë dhe ky ishte një lajm pozitiv. Duhet theksuar që në fillim, se nuk bëhet fjalë për rihapjen e basteve.

Tashmë të gjithë e pranojnë që bastet nuk po rihapen, sepse nuk janë mbyllur kurrë. Ato thjesht kaluan nga funksionimi bazuar në një ligj, në funksionimin e tjetërsuar dhe në paligjshmëri. Prandaj dhe qeveria nuk po i rihap, por po tenton që t’i kthejë në një aktivitet të ligjshëm të monitoruar dhe të vendosur në funksion të financimit të sportit.

Pikërisht te kjo e fundit qëndron edhe problemi. A po realizohet ky qëllim? A është duke u përgatitur një kuadër ligjor që garanton përdorimin e basteve për të financuar sportin apo sporti po përdoret thjesht si alibi? Nëse shikon me vëmendje variantin e projektligjit që kaloi Komisioni i Ekonomisë në Kuvend, konstaton se ky qëllim nuk është duke u realizuar siç duhet. Ligji parashikon që 15% e të ardhurave të kompanive të shkojnë për sportin.

Por në këtë ligj ndërtohet një komision i përbërë nga ministra të ndryshëm që do t’i ndajë këto fonde për sportin.

1644745852_baste-750x375-1

Përse duhet që të ndërtohet kjo procedurë, ndërkohë që në Ligjin e Sportit neni 40-të përcaktohet qartë që të ardhurat nga bastet dhe lojërat e fatit ndahen nga Fondi Kombëtar i Sportit pranë Ministrisë së Sportit? A nuk do ishte më kollaj që shuma që i takon sportit të shkonte në këtë Fond Kombëtar direkt?

Nga ana tjetër, Komisioni i Ekonomisë në mënyrë absurde hoqi dy përfaqësues të sportit në këtë organ, konkretisht presidentin e FSHF-së dhe KOKSH-it. Pra, edhe kaq pak përfaqësim në minorancë që kishte sporti në ndarjen e parave, ia hoqën?!

Gjithashtu, Komisioni i Ekonomisë me disa argumente të çuditshëm hoqi sponsorizimin e ekipeve sportive nga kompanitë e basteve që do të marrin licencën, ndërkohë që në të gjithë lëvizjen sportive ndërkombëtare, kjo është një praktikë normale.

Në të njëjtën kohë, u reduktua ndjeshëm mundësia që kompanitë e basteve të përdorin ambientet sportive për të informuar publikun për aktivitetin e tyre.

Pra, nuk duhet shumë vëmendje për të kuptuar se propagandimi i rikthimit në ligjshmëri i basteve sportive po lidhet shumë pak me argumentin kryesor që ishte përdorimi i të ardhurave të krijuara për zhvillimin e sportit. Me pak fjalë, kush besonte që sporti do fitonte para të rëndësishme nga ky aktivitet, duket se e ka humbur këtë bast pa filluar akoma “ndeshja”…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"