Kakofonia e sportit të fëmijëve në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2023 | 21:15

Kakofonia e sportit të fëmijëve në Shqipëri

Nga Artan Shyti

artan shyti

Sot që flasim, sporti i fëmijëve është kthyer fuqishëm në “modë” në sytë e opinionit sportiv. Si një nga elementet më të rëndësishme e, njëkohësisht, më të nënvlerësuar në vite, rikthimi i vëmendjes në të duhet patjetër mirëpritur e vlerësuar pozitivisht, në parim.

Por ky vlerësim pozitiv nuk duhet e nuk mund të na ndalojë që të bëjmë një analizë sa më objektive të asaj që po ndodh në mënyrë që të tentojmë të nxjerrim disa konkluzione, të cilat mund të vlejnë në të ardhmen. Sporti i fëmijëve ka një rol të shumëfishtë. Ai, fillimisht, përfshin në një aktivitet lëvizor kategorinë që ka nevojë më shumë se të tjerat për të lëvizur dhe argëtuar, që janë fëmijët. Në këtë proces ata zhvillohen dhe edukohen në mënyrë të gjithanshme dhe shumë të efektshme.

Njëkohësisht, ai shërben për të krijuar një sistem seleksionimi për atë pjesë të fëmijëve që demonstron talent e që mund ta ushtrojë sportin në sistemin profesionist në të ardhmen. Megjithëse këto dy elemente shkojnë bashkë, duhet theksuar se objektivi kryesor i sportit të fëmijëve është përfshirja e sa më tepër prej tyre në sport. Ndërsa seleksionimi i talenteve ngelet objektiv dytësor, megjithëse i rëndësishëm.

presidenti_duka_ministrja_kushi_firmosin_marreveshje_projekti_shkolla_fifa_janar_2023-1536x1024

Në realitetin e sotëm të sportit të fëmijëve në Shqipëri, kemi sistemin tradicional të shoqatave sportive të fëmijëve, të cilat prej vitesh funksionojnë në mënyrë organike, bazuar në një përvojë të konsoliduar, e cila nënkupton: shoqatat ofrojnë sport për fëmijët-familjet paguajnë për këtë shërbim që marrin nga shoqatat. Ky është një sistem ndërkombëtar, i cili shpeshherë shërben edhe që të financojë ekipet e të rriturve në një klub që ka gjithë sistemin zinxhir të ekipeve të moshave. Tashmë prej një viti, është prezantuar një projekt i rëndësishëm nga mbështetja financiare shtetërore që është ai i krijimit të ekipeve sportive në shkollat nëntëvjeçare e të mesme.

Kur flasim për mbështetje të fuqishme financiare duhet të dihet se sot ky projekt merr pesëfishin e parave publike që jepen për të gjithë sportin shqiptar nga qeveria(!?) Pra, nëse të gjitha federatat shqiptare të sportit marrin 1,7 miliardë lekë buxhet, vetëm sporti i fëmijëve në basketboll dhe volejboll merr 7 miliardë lekë… Fillimisht është një lajm shumë pozitiv, pasi siç thamë më lart, të investosh në sportin e fëmijëve është një politikë shumë efikase.

Por, analiza që i bëhet asaj që po ndodh me këtë projekt nxjerr në pah disa problematika, të cilat duhen trajtuar e analizuar me kujdes. Ky projekt duhet pranuar fillimisht që shkon në kundërshtim me parimin kryesor të zhvillimit të sportit të fëmijëve që është ai i konceptimit si një shërbim, i cili u ofrohet familjeve dhe që paguhet prej tyre.

Ky sistem garanton normalitetin e funksionimit sepse bazohet në një marrëdhënie interesash të sportit dhe familjeve që nuk mund të ekzistojë kur familjet nuk paguajnë për fëmijët, siç ndodh në projektin e ri që po implementohet. Në kushtet kur shpenzimet e organizimit të këtij projekti do të përballohen vetëm nga shteti, lind shqetësimi: a duhet dhe a është efektive që shteti shqiptar të harxhoje çdo vit 7 miliardë lekë për një aktivitet që në gjithë botën bëhet me pagesë nga familjet?

A është e natyrshme që në Shqipëri të implementohet një filozofi zhvillimi e sportit të fëmijëve që është në kundërtendencë me zhvillimin e tij në gjithë botën? E thënë ndryshe: a mund të funksionojë në Shqipëri një model që duket sikur është kopjuar nga sistemi komunist dhe që nuk ka homologë të tjerë në botën perëndimore? Kjo është një pyetje, e cila kërkon përgjigje. Sepse që ta vlerësojmë pozitivisht një iniciativë të tillë na duhet të kemi garancitë që do të jetë efektiv, përndryshe dëmi që bëhet është i madh, jo vetëm financiarisht por, sidomos, në krijimin e një perceptimi të gabuar, i cili do të dëmtojë gjithë funksionimin normal të sportit të fëmijëve në të ardhmen.

Ndaj, do të ishte më normale që ky projekt të diskutohej e aprovohej paraprakisht nga specialistët e sportit dhe arsimit, nga federatat përkatëse, të cilat duhet të jenë organizatoret dhe realizueset e projektit për sportin respektiv dhe, sidomos, të realizohej fillimisht një projekt pilot në një shkollë apo një qytet, përpara se të fillonte realizimi i tij në të gjitha shkollat.

Ka edhe shumë probleme të tjera që errësojnë shkëlqimin real apo edhe pak propagandistik të këtij projekti. Nuk është vendi për t’i trajtuar, por ajo që ngelet është shqetësimi që këtë kontribut të rëndësishëm të shtetit shqiptar për të mbështetur organizimin dhe zhvillimin e sportit të fëmijëve strukturat sportive që e kanë marrë përsipër ta realizojnë, nuk duhet ta keqpërdorin. Sepse nëse ndodh kjo, përgjegjësia nuk mund e nuk do të jetë vetëm morale…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"