Formula e re anormale, FSHF-ja të mos veprojë me taktikat e Jeminit! Kridens Meta kishte të drejtë te Tirana-Bylis, por e masakruan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2023 | 22:48

Formula e re anormale, FSHF-ja të mos veprojë me taktikat e Jeminit! Kridens Meta kishte të drejtë te Tirana-Bylis, por e masakruan

Nga ARSEN HOXHA Collage Maker-19-Aug-2023-10-51-AM-6470

Vendimi i arbitrit Kridens Meta në ndeshjen vendimtare për titullin kampion sezonin e kaluar midis Tiranës dhe Bylisit ishte një vendim i drejtë dhe i mbështetur plotësisht në rregullat teknike të lojës së futbollit. Për vetë rëndësinë, kjo ndeshje pati diskutime të shumta, por ajo që ra në sy për keq ishin qëndrimet e disa opinionistëve, që pa përgjegjësi morale dhe sportive fyen rëndë arbitrin Meta. Po aq gabim veproi edhe moviolisti Lorenc Jemini. Ai, për të bindur sportdashësit për ato që do të deklaronte, kopjoi disa metoda të politikanëve të sotëm, ku me entuziazëm të madh krenohen kur edhe politikanët e huaj janë në të njëjtën linjë me mendimet e tyre. Publikon me të madhe çdo mendim që përputhet me dëshirat e tyre. Pikërisht për këtë arsye, ai gjeti 3-4 gjyqtarë të FIFA-s si pikë referimi, për të bindur sportdashësit, se arbitri Kridens Meta na paska gabuar. Jemini ka qenë një arbitër shumë i mirë dhe me aftësi të plota për të interpretuar drejt vendime të vështira.

Në rastin e vendimit të arbitrit Meta, me vullnetin e mirë, Jemini nuk e kishte të vështirë të kuptonte dhe të interpretonte drejt atë që ndodhi në fushë. Konsultimi i tij me arbitrat e huaj ishte fare i panevojshëm. Ndërkohë dua t’i kujtoj Jeminit se, shumë pranë tij, ka specialistë shumë të mirë, si Plarent Kothere, Bujar Pregja, Sokol Jareci, Albano Janku e disa të tjerë, me të cilët mund të konsultohet fare lehtë. Unë ashtu si dhe Jemini kemi qenë në mjaft seminare të UEFA-s dhe kemi parë se në diskutimin e mjaft rasteve të vështira, arbitrat kanë qenë në mendime të ndryshme. Kjo tregon qartë se mendimi i tyre nuk duhet marrë si absolut, ashtu si nuk duhet marrë dhe mendimi im. E vërteta është se në pamjen kryesore, që u bë publike dhe ju vu në dispozicion arbitrave të huaj, aksioni i shtytjes së sulmuesit nga mbrojtësi tiranas nuk paraqitej, por vetëm rrëzimi i tij?! Këtë mund ta dallojë me kujdes vetëm në pamjen tjetër. Jemini u mjaftua me mendimet e të huajve dhe nuk mori në analizë faktet si:

* Topi po shkonte në drejtim të sulmuesit apo të mbrojtësit? – Natyrisht të sulmuesit.

* Lojtari mbrojtës ishte para, paralel apo mbrapa sulmuesit? – Ishte prapa sulmuesit

* A e përdori krahun dhe parakrahun e djathtë mbrojtësi për të shtyrë sulmuesin që të humbiste kontrollin e topit deri sa e rrëzoi atë në tokë? – Po, e shtyu në mënyrë fare të pastër. Kështu që vendimi i arbitrit Meta ishte shumë i drejtë.

* Çuditërisht edhe Presidenti Duka, kur bëri publike mendimet e tij mbi mënyrën e organizimit të sezonit të ri 2023-2024 të Kategorisë Superiore, përdori të njëjtat taktika si ato të politikës dhe të moviolistit Jemini. Ai tha se këto ndryshime që do të bëhen në strukturën e kampionatit për sezonin e ri janë konsultuar, madje kanë kërkuar edhe mendim prej specialistëve të UEFA-s. Që të veprohet në mënyrë të tillë është shumë normale, por thjesht vetëm mbi mendimin e tyre, të ndryshosh një strukturë kampionati edhe kur pothuaj 1/3-ta e drejtuesve të Kategorisë Superiore e kundërshtojnë atë, është anormale. Opinionet e specialistëve të huaj në disa raste përmenden për të lëkundur mendimet e brendshme ndryshe. Procedurat e ndryshimit të një strukture kërkojnë më shumë demokraci dhe tërheqje mendimi nga të gjithë të interesuarit e futbollit, dhe jo vetëm një vendim apriori të anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, ku besoj se një pjesë e tyre kanë fare pak dijeni apo interes për këtë ndryshim.

Shqetësimi i mjeshtrit të madh të gazetarisë sportive, z. Besnik Dizdari, se pse diskutimi i problemeve kaq të rëndësishme mbetet jashtë specialisteve të “pushtetit të katërt” dhe në fakt pas këtij akti shoqëria demokratike merr fund, na bën të gjithëve të mendojmë seriozisht se drejtuesit e FSHFsë nuk janë të interesuar që këto vendime të rëndësishme të merren vetëm pasi të jenë diskutuar gjerësisht në të gjitha hallkat e një shoqërie sportive me të vërtetë demokratike. Unë personalisht pranoj edhe një eksperiment të tillë, të cilin koha do ta tregojë sesa efektiv do të jetë, mendoj se ai duhet të jete krejt ndryshe nga ajo që FSHF-ja ka bërë publike, ose fare, fare pak publike, gjë e cila ka penguar edhe dhënien e mendimeve nga specialistët e ndryshëm. Sipas pikëpamjeve të mia, forma e re, së pari nuk duhet të prekë dhe të mohojë punën dhe meritën e ekipit, që në fund të katër fazave është në krye të ekipeve të tjera. Ajo duhet të mbetet e tillë edhe në fillimin e fazës së pestë.

Së dyti, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, thjesht me një vendim, nuk duhet të cenojë parimin e drejtësisë në sport, ku në mënyrë artificiale të ngrejë ekipet e rreshtuara në vendin e katërt, të tretë dhe të dytë, si të barabartë me pikë me kampionen në përfundim të kampionatit real. Për shembull, sezonin e shkuar FK Vllaznia, me 50 pikë të fituara, të rreshtohet si e barabartë me Partizanin apo Tiranën me nga 67 pikë. Ky është një paradoks. Njëkohësisht, kjo mënyrë do të krijonte mundësi për shumë lloj kompromisesh midis ekipeve që e kanë siguruar vendin në katërshen kryesuese me ato që rrezikohen të zbresin një kategori më poshtë. Është shumë e vështirë që të gjesh një zgjidhje ideale, por unë mendoj se parimi bazë duhet të jetë:

1 – Ekipet, sipas meritave, të kenë dhe rreshtimin e tyre.

2 – Diferenca në pikë të jetë e tillë, që asnjë ekipi nuk i përjashtohet mundësia për të dalë kampion në fazën e pestë. Më konkretisht, nëse do të zhvillohej fazë e pestë me katër ekipe në përfundim të sezonit të kaluar, ku rreshtimi i ekipeve ishte Partizani në vend të parë me 67 pikë, Tirana në vend të dytë me 67 pikë, Egnatia në vend të tretë me 52 pikë dhe FK Vllaznia në vend të katërt me 50 pikë, unë mendoj se faza e pestë duhet të fillonte për Partizanin 3 pikë, Tiranën 2 pikë, Egnatian 1 pikë dhe Vllazninë 0 pikë. Në këtë mënyrë, Partizani ka një pikaverazh të merituar si pasojë e punës gjithëvjetore, por kjo nuk i siguron asaj titullin kampion, sepse nga një fitore e ekipit të Vllaznisë e rreshtuar e fundit, ndaj saj ato barazohen me pikë. Një fitore e vendit të tretë, që është Egnatia, e çon atë 1 pikë më shumë se Partizani dhe një fitore e Tiranës e çon atë 2 pikë më shumë se Partizani.

Në këtë mënyrë të gjithë janë të motivuar, dhe ndeshjet zhvillohen me karakter sulmues dhe pa kompromis. Mbi bazën e këtyre rezultateve do të bëhen edhe rreshtimet e ekipeve për pjesëmarrjen në Kupat e UEFA-s. Pa pretenduar se kjo është zgjidhja më e mirë, jam i bindur se është shumë herë më e mirë dhe më funksionale nga ajo që deri më sot FSHF-ja ka bërë publike. Specialistët e shumtë, veçanërisht ata të “pushtetit të katërt” dhe specialistët e tjerë që ndodhen në Shqipëri, nuk duhet të heshtin, por të ndihmojnë me dhënien e mendimeve sa më produktive.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"