Liga Unike dhe trishtimi i spektatorëve vlonjatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2024 | 21:05

Liga Unike dhe trishtimi i spektatorëve vlonjatë

Nga PETRIT STEFA
Në datat 28 dhe 31 mars në Vlorë u zhvilluan ndesh jet e Ligës Unike të basketbollit shqiptar dhe atij kosovar, sipas formulës “Final 8”, që do të thotë 8 skuadra me grumbullim me sistem eliminimi. Ekipet pjesëmarrëse (katër nga çdo shtet) ishin “të blinduara” me 3-6 lojtarë të huaj (veçanërisht ato kosovare) dhe paraqitën pa asnjë dyshim, një nivel më të lartë se kampionati ynë kombëtar i basketbollit.

liga unike trepca

Në Vlorë kishin llogaritur që do të bëhej një festë e madhe, edhe për faktin që ky qytet për vitin 2024 është në garë me 13 qytete të tjerë evropiane (200 deri në 500 mijë banorë) për të fituar titullin “Qyteti evropian i sportit” (ACES Europe). Por, megjithëse përpjekjet e bashkisë dhe të klubit “Flamurtari” (të cilat ishin deri në kufijtë ekstrem) duhet të themi, për hir të së vërtetës, se jo vetëm Pallati i Sportit ka shumë probleme, por edhe “CSE”-ja është keqkuptuar në Vlorë, sepse “gara europiane” e ka fjalën për sa më shumë aktivitete masive, ku të marrin pjesë një numër sa më i madh fëmijësh, qytetarësh, të rinjsh dhe të moshuar, të cilët rrisin mbi 10-15 % numrin e përgjithshëm të atyre që merren me sport.

Shkurt, është fjala për një olimpizëm gjithëpërfshirës dhe jo sport profesionist të federatave, siç është ky aktivitet. Por le të kthehemi te tema e këtyre radhëve: Pse basketbolldashësit vlonjatë i ndoqën pak ose aspak këto ndeshje? Madje mund të themi se nëse në ndeshjen finale, ndërmjet Prishtinës dhe Pejës, nuk do të ishin ardhur autobusët me tifozë nga Kosova (që zhurmuan me vend e pavend sallën) finalja, edhe pse tregoi një luftë të admirueshme sportive për fitore ( megjithatë me një nivel të ulët profesionistësh) do të ishte përcjellë me heshtje në Vlorë. Madje pas eliminimit edhe të Besëlidhjes, ky numër u bë edhe më i vogël. Të paktën, siç flisnin, “shijuan” J.Hamatin tonë me vlerat e larta të tij.

Përse kjo situatë në një qytet basketbolldashës? Arsyeja e braktisjes është e thjeshtë, sepse ajo pëshpëritej midis atyre pak spektatorëve. Me një llogari të thjeshtë aritmetike, mund të themi se nga rreth 80 basketbollistë pjesëmarrës, janë të huaj afërsisht 35-40 të tillë, domethënë rreth 45-50 %. Ata janë vazhdimisht tre të tillë në fushë, pra 60 %, por janë edhe përsëri tre të tjerë në stolin e rezervave, përsëri 60 %. I ndodhur midis disa basketbollistëve të vjetër vlonjatë, dëgjova një shprehje që qarkullonte sa për ilaritet, por edhe e vërtetë si kristali. Kemi ardhur për të parë një lojë 3×3 apo 5×5. Madje pas largimit të Hamatit, i cili luftonte si hero i vetëm, situata mori totalisht ngjyrën e lojës 3×3, por në të gjithë fushën ku lojtarët shqiptarë (këtej dhe andej kufirit) janë sipas një shprehjeje vlonjate: “mbushës topi”.

Pra, donim apo s’donim ne, shihnim faktin më trishtues: lojtarët e huaj janë protagonistët të vërtetë dhe të vetëm të ndeshjeve. Ata jo vetëm që janë më të mirët (këtë nuk e mohon askush), ngaqë shënojnë rreth 80 % të pikëve me plot aksione individuale, herë të bukura dhe herë të bezdisshme, por aspak modeluese, përkundrazi, shkatërruese për basketbollin tonë, i cili vazhdimisht duhet të mbështetet në forcën e grupit. Madje edhe individi i shquar ka qenë dhe duhet të jetë në basketbollin tonë në funksion të kësaj force.

A u zhvilluan ndeshje të bukura rivalizuese, edhe pse pa spektatorë? Sigurisht që “Po”! Kjo është pikërisht gracka në të cilën na ka futur FSHB-ja, qysh prej shumë vitesh, gjë që ka sjellë këtë rrënim të basketbollit tonë. Për hir të së vërtetës ajo na i servir këta lojtarë të huaj si modele. Kjo është dhe s’është e vërtetë, por është temë tjetër… për specialistë. Megjithatë kur ata “pushtojnë” kaq brutalisht basketbollin tonë, atëherë ata pengojnë të rinjtë tanë të jenë protagonistë të ndeshjes, kusht ky i domosdoshëm për përparim. Asnjë basketbollist nuk përparon pa e verifikuar vetveten në kushte ndeshjeje. Për më tepër, kur duam të shohim ndeshje të nivelit të lartë në basketboll, ne nuk vuajmë aspak, sepse mund të shohim në TV këdo në Europë, Botë ose NBA.

A tregoi ky aktivitet “hendekun e madh në basketboll midis Shqipërisë dhe Kosovës”… shkruante pak ditë më parë dikush në gazetë. Sigurisht mendoj se gazetari është nxituar, sepse për të gjykuar për nivelin e basketbollit shqiptar dhe kosovar, duhet të abstragojmë duke i “zhveshur” këto skuadra nga lojtarë të huaj dhe jo “të blinduara” me nga 5-6 të tillë. Edhe ky vështrim duhet të jetë i një specialisti dhe jo i kujtdo.

Cila është e ardhmja e basketbollit të këtyre dy vendeve? Është një pyetje gordiane. Ndiqni Kampionatin Europian të moshave dhe do të shihni se të dy vendet luajnë në divizion C (domethënë për vendet 40-46 në Europë). Pastaj shihni si ka qenë klasifikimi i tyre në 2000-2020. Konkluzioni: asnjë ndryshim! Edhe Kosova (merr pjesë vetëm vitet e fundit) s’ka përparime. Megjithatë, le të themi se tani kemi të njëjtin nivel basketbolli, por me histori të ndryshme në favorin tonë. Për shembull, me femrat kemi luajtur qysh më 1980 në Kupën e Kampioneve të Europës. Me meshkujt historia është edhe shumë më e ndritshme (1967-1990). Sigurisht s’kemi qenë në majë, por kokën e kishim lart, sepse luanim pa të huaj apo huaja (Kujtoni Binajeva, Sevshenko, Femra, 1980, 1990 ose Llyn, Burges Meshkuj, 1967-1990). Që basketbolli shqiptar është në gjendje shumë të rëndë, ku femrat po shuhen dita ditës, këtë e dinë të gjithë, veç atyre që nuk e kuptojnë.

Prandaj ky “pushtim” lojtarësh të huaj nuk do të përmirësojë, por përkundrazi do ta rrënojë më keq. Mirë do të bënim të gjejmë se cilat janë arsyet dhe çfarë mund të ndryshojmë. Ndoshta FSHB-js ka vendosur që të veprojë si FSHF-ja, e cila me rregullat e saj, e ka rrënuar futbollin vendës, por ka krijuar një “kombëtare ndërkombëtare”. Së shpejti, edhe ne, nuk do të kemi basketboll vendës, madje femrat kanë filluar. Ëndrrat për të udhëtuar në Europë si “Diogjeni me kandil në dorë” për të gjetur lojtarë shqiptarë që do të luajnë për kombëtaren, do të fashiten shpejt.

* Autori ka titullin “Mjeshtër i Madh” dhe ka qenë trajner i Kombëtares, Flamurtarit dhe Luftëtarit

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"