Objektivat e Besës janë të qarta, trajneri Pashja: Me dy sulmuesa të tjerë, bëhemi pretendentë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2023 | 13:54

Objektivat e Besës janë të qarta, trajneri Pashja: Me dy sulmuesa të tjerë, bëhemi pretendentë

Besa është në orët e fundit të fazës.Për Lorenc Pashjan, përgatitorja i përmbushi qëllimet e saj. Grupi jo vetëm përballoi në mënyrën më të mirë ngarkesat, por evitoi dëmtimet. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri komenton edhe merkaton.

pashja

Është ende i hapur për përforcime dhe ato në sulm. Si po shkon faza përgatitore?
Në kushte vërtet ideale dhe sidomos ato klimaterike, që më kanë lejuar t’u jap futbollistëve ngarkesë të plotë.

Çfarë keni fituar nga këto ditë?
Më kënaq fakti që përtej dy seancave në ditë, nuk kemi asnjë dëmtim dhe të gjithë lojtarët janë fizikisht në gjendje optimale.

Po me miqësoret?
Nëse ka një ekip që miqësoret i kishte të domosdoshme, ky ishte Besa. Kjo lidhur me faktin se kemi rindërtuar thuajse nga e para ekipin dhe lojtarët vijnë nga klube e shkolla të ndryshme trajnimi. Ky fakt ka bërë që të kërkojmë e zhvillojmë sa më shumë miqësore, që futbollistët të njohin lojën e njëri-tjetrit dhe nga miqësorja në miqësore të rrisim harmonizimin e grupit. Jam i kënaqur nga miqësoret, pasi siç thashë rezultati ishte i fundit. Futbollistët kanë treguar dëshirë, forcë dhe shpirt gare. Natyrisht që ka nevojë për korrigjime të shumta dhe këtë po bëjmë në analizat e zhvilluara pas çdo miqësoreje.

Keni ende nevojë për përforcime?
Të gjithë kanë. Vërtet kemi nevojë, veçmas në repartin ofensiv. Presidenti më ka garantuar se javën e ardhshme presim 2 përforcime në sulm dhe besoj se atëherë grupi mund të quhet i plotë.

Ku do të synojë Besa këtë sezon?
E thashë dhe më lart, se nëse plotësojmë grupin, atëherë nuk na mungon asgjë për të synuar kreun e renditjes. E di se do të jetë e vështirë, pasi të njëjtën ambicie kanë edhe Flamurtari, Elbasani e të tjera skuadra. Por, ne do të bëjmë maksimumin për ta realizuar objektivin. Ndoshta është herët të flitet për synimet, por unë besoj te dëshira, egoja, ambicia e lojtarëve që drejtoj. Janë shumica të rinj dhe do të kërkojnë të evidentohen për të shfrytëzuar Besën për karrierën e mëtejshme.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"