Objektivat e Apolonisë për sezonin, klubi fierak mes dy “zjarresh”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2022 | 22:40

Objektivat e Apolonisë për sezonin, klubi fierak mes dy “zjarresh”

Apolonia e nisi këtë sezon me pretendime të mëdha, por zyrtarisht janë në vendin e 9-të. Fierakët nuk kanë gjetur “rehat” me trajnerët, aq sa për 12 javë janë drejtuar nga 3 të ndryshëm. Në muajin korrik e nisi punën Klevis Dalipi dhe fill pas largimit të tij të papritur në muajin shtator pankina fierake mbeti bosh.

apolonia

Një humbje “inextremis” në transfertë përballë Besës i kushtoi shumë. Zgjidhja e përkohshme u gjet brenda familjes bardhejeshile dhe për rreth dy muaj qëndroi drejtori Mariglen Kule. Në fund të muajit nëntor u emërua boshnjaku Veljko Dovedan, i cili shihet si shpëtimtari i madh.

Deri më tani duket sikur kanë gjetur qetësi, e megjithatë prova e vërtetë do të jetë janari. Me ndërhyrjet që do të bëhen në merkato, do të shihet edhe ecuria. Edhe pse nuk heqin dorë nga ngjitja, thellë-thellë e dinë që është e vështirë. Janë 11 pikë larg kryesueses. Ecuria e dobët në pjesën e parë të këtij sezoni, ka bërë që objektivi madhor të shihet me “dylbi”.

Në gjendjen ku ndodhet tani skuadra fierake, mund të themi që kjo e fundit është vërtetë mes dy zjarresh. Nga njëra anë është në zonën e ftohtë të renditjes dhe rrezikojnë ende, por nga ana tjetër zona “play off” është vetëm 6 pikë larg dhe nuk shihet kurrsesi si një mision i pamundur.

Llogaritë kanë nisur që të bëhen që tani në kampin fierak, edhe pse për asnjë moment nuk e kanë menduar mbijetesën. Përpos të gjithë situatës jo të mirë që ka kaluar klubi, duket se “play off”-i është objektivi kryesor i bardhejeshilëve për pjesën e mbetur të kampionatit. Thuhet kështu, pasi diferenca me vendin e gjashtë është vetëm gjashtë pikë, të cilat shihen plotësisht si të rikuperueshme. Bëhet fjalë edhe për 14 ndeshje dhe të përkthyera në pikë janë ende edhe 42 në lojë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"