Nuk ka më dyshime, titullari i Apolonisë shpall “divorcin” me klubin fierak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2023 | 21:39

Nuk ka më dyshime, titullari i Apolonisë shpall “divorcin” me klubin fierak

Nuk ka më dyshime, Khalid Baba Labaran largohet nga Apolonia. Mungesa e tij në stërvitje ngriti dyshime për një “divorc” të parakohshëm. Dhe kështu ka ndodhur.

Khalid

Nigeriani ka ikur përfundimisht nga Fieri. Mesfushori nuk mori pjesë as në seancën e djeshme. Për këtë motiv gazeta u interesuar për të mësuar më shumë mbi këtë histori.

Burime zyrtare pranë klubit fierak kanë konfirmuar ekskluzivisht për “Panorama Sport” se afrikani nuk do të jetë më pjesë e bardhejeshilëve. Eksperienca e tij ka zgjatur vetëm nëntë muaj. E kontaktuam edhe 19-vjeçarin, i cili vetëm ka pranuar largimin, pa dhënë arsye. Që prej ardhjes së trajnerit Veljko Dovedan në krye të pankinës fierake, mesfushori 19-vjeçar ka pasur më shumë minuta në dispozicion dhe ka luajtur në disa pozicione, si në mesfushë ashtu dhe në sulm.

Apolonia

Një largim në momentin e gabuar, duke ditur që kampionati nuk ka mbaruar. Luhen edhe gjashtë finale, që secila prej tyre ka rëndësinë e vet dhe Apolonia ka nevojë për pikë të tjera që të vijojë ngjitjen në tabelën e renditjes.

Më pak të shqetësuarit nga kjo situatë janë drejtuesit fierakë që vijojnë me largimet nga Apolonia duke e dobësuar këtë të fundit në momentin e saj më të mirë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"