Nuk ka më çështje stoli te klubi i Kategorisë së Parë, konfirmohet trajneri që e dërgoi në play-off

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2023 | 0:02

Nuk ka më çështje stoli te klubi i Kategorisë së Parë, konfirmohet trajneri që e dërgoi në play-off

Në Berat bëhen të “gjallë”. I është dhënë drejtim jo vetëm çështjes së stolit, por edhe nisjes së përgatitjeve për sezonin e ri. Klodian Arbëri e ka marrë më në fund konfirmimin që priste prej kaq shumë kohësh.

Arberi

Ai është “bekuar” nga kryebashkiaku Ervin Demo, që ka edhe rolin presidentit në klub. Për të ku do të jetë i treti edicion radhazi si trajner, detyrë që e ka marrë në muajin janar të vitit 2022. Nëse dy sezonet e fundit maksimumi që kanë arritur ka qenë zona “play off”, shpresohet që këtë herë të shkojnë më tej. Ngjitja është kthyer në një “mirazh” për Tomorin. Kanë mbi një dekadë larg elitës dhe kjo mund të konsiderohet një dramë më vete për këtë klub.

STAFI TEKNIK – Bashkë me teknikun, është rikonfirmuar edhe stafi i tij. Ndihmës do të vazhdojë të jetë Polizoi Arbëri, përgatitës i portierëve Madrid Muxhai dhe përgatitës atletik Kejsi Hoxha. Sapo është zyrtarizar, tekniku ka vendosur edhe ditën e nisjes së stërvitjes. Do të jetë e hëna e 24 korrikut që do ta gjejë ekipin në fushë.

PLANI I TRAJNERIT – I kontaktuar nga “Panorama Sport” tekniku Klodian Arbëri ka zbuluar diçka më shumë për të ardhmen e Tomorit. Ai qartëson objektivat, por edhe planin që ka për merkaton. “Kjo është java e fundit e pushimeve për të gjithë pjesëtarët e Tomorit. Të hënën e ardhshme, ekipi do të zbresë në fushë. prej orës 18:00 do të startojmë nga puna për sezonin 2023-2024. Kam gjykuar për 24 korrikun si opsionin më të mirë të mundshëm për fillimin e fazës.

Qëllimi është që ta nisim me një pjesë të mirë të organikës së vjetshme dhe më besoni se janë të shumtë futbollistët që i kanë ofruar besnikëri Tomorit. Do të ketë patjetër edhe afrime. Ju e dini që prej kohësh kam negociuar me disa elementë. Kam shumë besim se gjithçka do të shkojë sipas planit. Do të investojmë për një skuadër që do të ketë si objektiv fillestar gjashtë vendet e para të Kategorisë së parë, ashtu si i takon traditës së skuadrës sonë.

Me anë të ‘play off’-it pastaj do të tentojmë për më shumë. Kam konfirmuar stafin e sezonit të kaluar, sepse të gjithë dhanë prova se dinë të punojnë dhe t’i përkushtohen Tomorit. Suksesin dhe dështimin e ndajmë të gjithë së bashku. Jam personalisht optimist, sepse kam mbështetjen maksimale të presidentit dhe donatorëve, futbollistëve dhe tifozëve. Për më shumë detaje për përbërjen e grupit, do të flasim pas 24 korrikut”, ka përfunduar trajneri i sapo rikonfirmuar.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"