Notë kaluese për Hysajn, mbrojtësi analizon shkaqet e disfatës milaneze: Sfiduam një rival të madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2023 | 14:13

Notë kaluese për Hysajn, mbrojtësi analizon shkaqet e disfatës milaneze: Sfiduam një rival të madh

Ajo ndaj Milanit ishte ndeshja e dytë si titullar në këtë sezon për Elseid Hysajn, por nëse ndaj Napolit luajti 81 minuta, në “San Siro” nuk u zëvendësua.

Elseid Hysaj of SS Lazio looks on during the Serie A match between Lazio and Cagliari at Stadio Olimpico, Rome, Italy on

Kjo edhe sepse në repartin e tërhequr të Lacios ishte më pozitiv. Të gjithë kolegët u vlerësuan nën pesë, teksa për shqiptarin nota ishte 5.5. “Pulisiç i krijon shumë probleme, por amerikani dëmin më të madh bën kur kalon në qendër. Pavarësisht humbjes, ishte ndër më të mirët te bardhekaltrit”, shkruante “Eurosport”, teksa për “Sportmediaset” nota nuk ndryshon, por komenti i saj po: “Në pjesën e parë nuk vuan aspak, por në të dytën Pulisiç ngjitet në katedër e për shqiptarin nisin sikletet”.

FJALË E SHQIPTARIT – Pavarësisht humbjes, Elseid Hysaj u shfaq shumë i kthjellët përpara mediave për të komentuar disfatën e skuadrës së tij në “San Siro”, duke u bazuar te rezultati: “Nuk ka nevojë ta them unë që Milani është një skuadër e madhe me lojtarë cilësorë. Ne arritëm ta vinim në vështirësi, sidomos në pjesën e parë, por ata u treguan të zotët duke na goditur sapo patën një hapësirë të mirë. Mbase mund të kishim merituar diçka më tepër”.

Katër pikë larg zonës së rënies nga kategoria me siguri nuk përbëjnë një pozicion të admirueshëm, sidomos për një klub si Lacio që synon gjithmonë të jetë në vendet e para.

Lidhur me këtë fakt, kapiteni i Shqipërisë shtoi: “Kemi hasur disa vështirësi në këtë fillimsezoni dhe duhet të punojmë të gjithë për të dhënë më të mirën sa herë zbresim në fushë. Me kalimin e kohës, ndeshjet bëhen edhe më të rëndësishme, ndaj nuk mund të bëjmë më hapa fals”.

Kujtojmë se Elseid Hysaj sivjet ka pasur më pak mundësi sesa një vit më parë për të dëshmuar vlerën e tij në fushë me fanellën e Lacios. Vetëm 281 minuta të shpërndara në pesë prezenca me Sarrin që nuk i ka dhuruar ende asnjë minutë në Ligën e Kampioneve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"