Njërin e kontrollon Çakir, tjetri ka në VAR armikun e Murinjos. Ja cilat ndeshje drejtojnë Jorgji dhe Xhaja nesër në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2023 | 19:51

Njërin e kontrollon Çakir, tjetri ka në VAR armikun e Murinjos. Ja cilat ndeshje drejtojnë Jorgji dhe Xhaja nesër në Europë

Enea Jorgji dhe Juxhin Xhaja në këtë sezon janë kthyer në emra të zakonshëm në fazën në grupe të kompeticioneve të organizuara nga UEFA. Të dy me vazhdimësi po caktohen në ndeshje të ndryshme të turneve të rëndësishëm në fazën në grupe, duke treguar se UEFA ka gjithmonë e më shumë besim në aftësitë e dy ndërkombëtareve, të cilët edhe nesër do të jenë në veprim.

MixCollage-08-Nov-2023-07-50-PM-324

Enea Jorgji është caktuar të drejtojë këtë javë në Ligën e Europës sfidën që luhet në Portugali mes Sporting Lisbonës vendase dhe Rakov të Polonisë. Asistentë të tij në këtë sfidë janë Denis Rexha e Ridiger Çokaj, ndërsa Florian Lata do të jetë gjyqtar i katërt. Vëzhguesi i gjyqtarëve i caktuar për të monitoruar Jorgjin në këtë sfidë, është ish-gjyqtari i njohur turk, Çynejt Çakir.

Ndërkohë, Juxhin Xhaja ka udhëtuar drejt Greqisë, ku nesër do të jetë kryesori i sfidës mes PAOK-ut dhe skocezëve të Aberdinit në Ligën e Konferencës. Dojando Myftari dhe Rejdi Avdo janë vijërojtësit që shoqërojnë ndërkombëtarin në këtë sfidë, me Olsion Yzeirajn si gjyqtar i katërt.

Ajo që bie në sy është se në këtë sfidë, në sallën e VAR-it do të jenë dy italianë, me Daniele Kifin si kryesor e Marko Serra si asistent VAR-i. Ky i fundit ka marrë famë për faktin se u përjashtua nga drejtimi i ndeshjeve të Serisë A në fundin e sezonit të kaluar, kur u akuzua nga Murinjo se e kishte sharë gjatë ndeshjes Kremoneze-Roma.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"