Një tjetër peqinas ulet në pankinë, Besa emëron Pashjan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2023 | 23:36

Një tjetër peqinas ulet në pankinë, Besa emëron Pashjan

Besa zgjedh trajnerin e ri. Nexhat Bizhdili nuk ka vonuar dhe direkt ka emëruar pasardhësin e Gugash Maganit. Nuk i është ndarë peqinasve në fakt, pasi një tjetër vjen tashmë në stol. Bëhet fjalë për Lorenc Pashjan, që një pjesë të mirë të sezonit të shkuar drejtoi Luzin 2008 dhe pati vërtet një ecuri pozitive.

pashja

Pas disa ditësh negociatash me presidentin e kavajasve, akordi nuk ka vonuar. Është vetë 45-vjeçari që konfirmon lajmin për “Panorama Sport”, ndërsa tregon edhe planin që ka në mendje. Punën nuk do të ketë aspak të lehtë për ndërtimin e një ekipi kompetitiv, e megjithatë nga zeroja nuk do të jetë i detyruar që ta nisë. Kur dihet që një pjesë e lojtarëve kanë kontrata afatgjata, bazën do ta ketë. Nuk do të mungojnë sigurisht afrimet “big”, e megjithatë për këtë ka ende kohë.

“Kam arritur akordin me presidentin Nexhat Bizhdili. Pas bisedës që patra me të, u dakordësuam direkt. Programin dhe ambiciet që ai ka për sezonin e ri, më bindën direkt”. Unë Besën e njoh mirë. Jo vetëm jam ndeshur me të, por e kam ndjekur në shumë takime. Mendoj se potencial ka dhe kjo të jep shpresë. Sidoqoftë, le t’i marrim gjërat shtuar. Nga sot, do të nis punën fillimisht me evidentimin e futbollistëve që kanë kontrata afatgjata me Besën dhe do të mbeten kontingjent edhe për sezonin 2023-2024″, u shpreh fillimisht tekniku i sapoemëruar i verdhezinjve.

MERKATOJA – Qershori do të jetë muaj i nxehtë për të dhe klubin, pasi do t’u duhet që të operojnë edhe në merkato. Ideja është që kur të nisë stërvitja në korrik, gjithçka të jetë gati dhe grupi të jetë i kompletuar në çdo drejtim. “Natyrisht, duke qenë se ne fillim të korrikut ekipi nis seancat stërvitore, gjatë gjithë muajit qershor së bashku me stafin tim dhe presidentin do të studiojmë futbollistët që na duhen dhe ata që vlejnë për të afruar në ekip”, përfundoi numri një i stolit të kavajasve.

DIELMAT – Nga kontingjenti që mbylli kampionatin e fundit, kanë nisur largimet. Kevin Dalipi dhe Redon Raza zyrtarisht kanë ikur, madje edhe kanë nënshkruar te Vora. E paqartë është situata e Enes Kukës, për të cilin nuk dihet nëse do të vazhdojë të qëndrojë i huazuar te verdhezinjtë apo do të kthehet te Tirana. Asgjë nuk mund të flitet edhe për fatin e sulmuesve Çinonso Onuh e Frenklin Ntepe. Thënë më qartë, duhen ditë për të mësuar emrat me të cilët Nexhat Bizhdili do t’i ofrojë zgjatjen e kontratës. Në këto kushte, trajnerit të ri, Lorenc Pashja, i del një punë jo e vogël fillimisht për të njohur lojtarët që ka aktualisht Besa dhe pastaj plotësimi në merkato i vendeve bosh apo nevojave që ai mendon se grupi ka.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"