Një shkelm krizës, Hallaçi: Vazhdojmë me fitoret, luajmë një finale me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2023 | 9:56

Një shkelm krizës, Hallaçi: Vazhdojmë me fitoret, luajmë një finale me Apoloninë

Rrahman Hallaçi duket sikur e ka gje tur çelësin për të nxjerrë Kukësin nga kriza dhe dy fitoret e fundit janë një sinjal pozitiv për ringritjen e skuadrës. Mirëpo, përpara kanë një ndeshje Kupe me Apoloninë, ku çdo hap fals është i ndaluar, ndaj kërkohet kujdes për ta kaluar me sukses. Në një prononcim për “Panorama Sport”, tekniku i bluve beson se skuadra që ai drejton ka potencial dhe afrimet e reja po bëjnë gjithashtu mirë, duke pasur bindjen se momenti i vështirë do të lihet pas. Hallaçi i ka idetë e qarta për të kaluar Apoloninë dhe nuk ka ndër mend të bëjë aventura me formacionin, duke besuar edhe te mbështetja e tifozërisë në shkallët e stadiumit. Në fund, i “përgjigjet” edhe presidentit të nderit, Safet Gjici, sa i përket kërkesës së tij për Kupat e Europës: “Presidenti ka gjithnjë të drejtë…”.

Hallaci Kukesi

Dy fitore në ndeshjet e fundit, a mund të themi se Kukësi ka dalë nga kriza?

Vazhdojmë të jemi në situata jo të mira në renditje, na duhet kujdes dhe qetësi, të jemi të përqendruar te ndeshja e Kupës, të cilën e kemi vlerësuar maksimalisht. Kemi ende shumë punë përpara dhe duhet të korrigjojmë disa gabime. Skuadra ka potencial dhe disa lojtarë po marrin formën e duhur. Kemi besim te forca e skuadrës që do ta kalojmë këtë moment jo të mirë që kemi përjetuar gjatë kampionatit.

Dy fitore që erdhën nga lojtarët e afruar në merkaton e janarit, keni besim se janë bërë lëvizjet e duhura?

Sigurisht që jam i kënaqur pjesërisht nga paraqitja e lojtarëve të ardhur. Kanë cilësi dhe kualitet, po stërviten maksimalisht dhe do të na ndihmojnë për vazhdimësinë. I kemi ndjekur me kujdes para se të vijnë në skuadrën tonë.

Nesër (sot) luani ndeshjen e kthimit në Kupë me Apoloninë. Si e prisni këtë takim dhe a do të bëni rrotacion?

Rrotacioni me kujdes, i kam të qarta gjërat se si duhet luajtur kjo ndeshje. Është përballje vendimtare, do të aktivizoj në masën 90% lojtarët kryesore. Ndeshjen e kemi vlerësuar më shumë se ndaj Tiranës. I respektojmë të gjithë kundërshtarët dhe i vlerësojmë shumë për të arritur te suksesi.

A është detyrim Kupa për Kukësin në situatën ku ndodheni?

Skuadrës i kam shprehur që nesër (sot) kemi një finale. Kaq, asgjë më shumë, besoj është e qartë.

Presidenti i Nderit do Europën, keni një përgjigje duke parë situatën ku ndodheni?

Presidentin e mirëkuptoj për fjalët që thotë. Ai ka gjithmonë të drejtë, m’i ka plotësuar të gjitha kushtet, pasi më ka thënë “zgjidh çfarë lojtarësh të duhen dhe merri”. Kjo është shumë pozitive për mua. Ne jemi të fokusuar vetëm te ndeshja me Apoloninë, ku kemi një finale.

Shpresoni te mbështetja e tifozëve në këtë përballje?

Uroj të ketë shumë tifozë kuksianë në stadium dhe me Tiranën m’u bë qejfi shumë që erdhën dhe na mbështetën. Kam besim që do të rikthehet tifozëria e zjarrtë kuksiane dhe këtë e ndiej në çdo ndeshje. Ata janë të mrekullueshëm, si gjithmonë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"