“Një Ferrari kundër një Fiat”, Saki i pamëshirshëm me Milanin: Një skuadër me djem të panjohur që bëjnë atë që munden

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2023 | 20:41

“Një Ferrari kundër një Fiat”, Saki i pamëshirshëm me Milanin: Një skuadër me djem të panjohur që bëjnë atë që munden

Arrigo Saki ka treguar se ndeshjen e dytë mes Interit dhe Milanit në Ligën e Kampioneve këtë të martë e ka parë në kushte të pazakonta. Ish-trajneri i njohur italian banon në Emilia Romanja, në krahinën e goditur rëndë nga përmbytjet dhe ka qenë i detyruar që të përgatitej edhe për një evakuim të mundshëm.

saki

“Unë po shihja Inter-Milan dhe pastaj në TV u publikua lajmi se duhej ngjitur në katet e larta të banesave për të qenë të sigurt dhe e bëra menjëherë. Mora me vete tabletin në katin e dytë dhe ia dola disi me sinjalin që shkonte e vinte”, tregoi ish-trajneri i njohur i Milanit.

Megjithatë, ai ka parë ish-skuadrën e tij që nuk arrinte të shprehte atë që kërkohej përballë Interit, që sipas tij ishte superior në lojë dhe në përbërje.

“Nuk kishte shumë gjë për të parë, një Ferrari kundër një Fiat Cinquecento! Milani tani është një skuadër me djem të panjohur që bëjnë atë që munden dhe të cilët edhe kështu, kanë fituar një titull dhe kanë arritur në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve. Dy vite më parë, askush nuk do të kishte vënë bast një kacidhe për këtë”, tha Saki në fjalët e tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"