Një dekadë nga aksidenti i frikshëm në alpe, reagon sërish miku më i mirë i Shumakerit: E adhuroj, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2023 | 12:01

Një dekadë nga aksidenti i frikshëm në alpe, reagon sërish miku më i mirë i Shumakerit: E adhuroj, por…

Më 29 dhjetor, do të kenë bëhen sak tësisht dhjetë vjet nga aksidenti i tmerrshëm i Majkëll Shumakerit, teksa bënte ski në Meribel. Që atëherë, piloti gjerman jeton i mbrojtur në Zvicër nga familja e tij, e cila nuk i mungon asnjëherë për t’i treguar atij dashurinë, ndërsa gjatë kësaj kohe e ka mbajtur gjithmonë larg vëmendjes. Vetëm miqtë e tij më të ngushtë kanë mundësinë ta vizitojnë dhe ndër ta është Zhan Tod, me të cilin ka ndarë sukseset e tij në kohën e tij në Ferrari.

shumaker zhan tod

“Majkëll është një mik, unë e konsideroj atë pjesë të familjes time. Unë shkoj ta shoh rregullisht, në të kaluarën kemi ndjekur gara të Formulës 1 në televison”, thotë fillimisht Tod, i cili më pas i përgjigjet me shumë rezerva pyetjes që të gjithë do ti bënin për gjendjen aktuale të Shumakerit:

“Është një çështje private. E vetmja gjë që do të them është se e adhuroj Majkëllin, unë e adhuroj familjen e tij dhe është e drejtë të respektohet privatësia e tyre”, deklaroi francezi në një prononcim të dhënë për gazetën italiane, “La Stampa”. Megjithatë, të thuash Shumaker dhe Tod, mbi të gjitha të sjell ndërmend serinë e pabesueshme të triumfeve të arritura nga Ferrari.

“Situata ishte katastrofike në fillim. Në vitin 1996 u fol shumë për shkarkimin tim. Majkëll sapo kishte ardhur dhe pa që plani im ishte i drejtë, njerëzit që do të vinin, njerëzit me të cilët po negocioja në fshehtësi, ishin të duhurit për projektin tonë. Majkëll gjithashtu ndërhyri dhe tha: ‘Nëse Tod largohet, do të iki edhe unë’. Në vitin 2000 ne fituam. Përqafimi me Majkëllin në podium është momenti më i lumtur sportiv i jetës sime. Më në fund ia arritëm qëllimit që kishim vendosëm në vitin 1993″, shtoi Tod, duke kujtuar epokën e lavdishme në Maranelo.

Pas suksesit të Kimi Raikonen në vitin 2007, Ferrari vazhdon të jetë në pritje të titullit kampion, ndërsa botërori i humbur një vit më vonë nga Felipe Masa vijon të dhembë.

“Unë bëj tifo për Lëklerkun. Djali im e ka ndjekur atë që kur ka garuar në kategorinë kart. Ai është një pilot i madh dhe meriton mundësinë për të fituar titullin. Për sa i përket titullit të humbur nga Masa nuk do të hyj në polemika. Psikologjikisht për të ishte shumë e rëndë dhe u rëndua edhe më tepër kur ajo histori u bë e njohur. Nuk ka dyshim se Çmimi i Madh i Singaporit ishte i manipuluar dhe duhej të ishte anuluar”, deklaroi ndër të tjera 77-vjeçari Zhan Tod. Kujtojmë që francezi ka drejtuar si presidentin nga viti 2009 deri më 2021 edhe Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA-t), për tu pasuar në këtë detyrë nga presidenti aktual Mohammed Ben Sulayem.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"