Nigeriani nuk njeh “plakje”, Orelesi: Fieri më magjeps, qëndrova për ngjitjen. Luftojmë në dy fronte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2023 | 21:12

Nigeriani nuk njeh “plakje”, Orelesi: Fieri më magjeps, qëndrova për ngjitjen. Luftojmë në dy fronte

Nuredin Orelesi e llogarit Apoloninë në elitë. Nëse vjet nuk ia dolën dot nëpërmjet “play off”-it, beson se këtë vit historia do të ndryshojë. Do të jetë një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë, por mesfushori e di çfarë kërkon. Pikësynim e ka te dy vendet e para, që të ngjisin direkt. Me skuadrën që po bind në lojë dhe rezultate, mendon se kanë gjithë të drejtën të pretendojnë.

Orelesi-1edited

Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mesfushori tregon si kanë qenë këto 630 minuta të para. Vlerëson energjinë e të rinjve dhe zbulon se me shiritin në krahë ndihet më i… fortë.

Morët një tjetër fitore të thellë në “Loni Papuçiu”. Sa të qetë jeni tani?

Na dha një ndjesi çliruese mund të thosha. Për sa kohë arrijmë të bindim me lojë e rezultat përpara tifozëve tanë. Vinim nga një barazim me vlera në Vlorë dhe nuk na lejohej kurrsesi një hap fals në Fier. Megjithatë, ne duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. Dihet që ne kërkojmë ngjitjen këtë vit dhe shanset janë, por kurrë nuk duhet të ulim vigjilencën dhe kërkesën te vetja.

4 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje. Si e vlerësoni ecurinë?

Mendoj se kemi bërë një superstart. Është një nisje pozitive dhe shpresëdhënëse. Kemi arritur të shënojmë plot 14 gola dhe kemi pësuar vetëm 5 në këto shtatë javë të para. Pra, nuk jemi rastësisht ekipi me golavarazhin më të mirë. Gjithashtu në katër ndeshje nuk kemi pësuar asnjë gol. Pa harruar faktin që loja jonë po vjen gjithnjë e në rritje.

Cila është pika e fortë e kësaj skuadre?

Energjia e të rinjve. Kemi vërtet një ekip me moshë të re, por të gjithë kanë dëshirën e madhe për të punuar dhe ambicien e duhur për të triumfuar. Personalisht, mendoj se grupi është pika më e fortë e kësaj skuadre. Shoh angazhim maksimal nga të gjithë lojtarët dhe jam besimplotë që do të bëjmë shumë mirë këtë sezon.

Sezoni juaj i dytë tek Apolonia. Ishte një dëshirë reciproke nga ana juaj dhe drejtuesit për të qëndruar sërish në Fier?

Sigurisht që po. Dëshira ka qenë e madhe dhe reciproke nga të dyja palët, sepse ne donim patjetër që ta vazhdonim ende këtë rrugëtim e bashkëpunim. Qyteti i Fierit është magjepsës, ndërsa njerëzit shumë miqësorë e dashamirës. Jam shumë i respektuar nga të gjithë, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.

Këtë sezon jeni kapiteni i skuadrës. Si ndiheni për këtë përgjegjësi?

Është një përgjegjësi shumë e madhe për mua, por edhe një detyrë e rol i vështirë në fushë. Në çdo moment skuadrën duhet ta mbash të frymëzuar e të karikuar, por veçanërisht gjatë paraqitjeve të dobëta. Është vlerësim i jashtëzakonshëm, që njëherësh më jep edhe shumë forcë. Jam shumë mirënjohës për shiritin e kapitenit.

Ndeshja e radhës është për Kupë ndaj Naftëtarit. Keni synime edhe në këtë kompeticion?

Edhe Kupa e Shqipërisë bën pjesë në objektivat tanë. Duam të shkojmë sa më larg aty, ndaj e kemi vlerësuar maksimalisht këtë tur. Prej ditës së mërkurë, po stërvitemi me intensitet e ritëm të lartë. Pas kësaj ndeshjeje, vjen kampionati dhe duhet të jemi gati 100%.

Udhëtoni drejt Luzit në fakt, si e prisni këtë ndeshje kampionati?

E presim si çdo ndeshje tjetër kampionati, me po të njëjtin angazhim, seriozitet dhe përgjegjshmëri. Ne do të udhëtojmë drejt Luzit për të vijuar me këtë ecuri rezultatesh pozitive. Synojmë vetëm tri pikët në këtë transfertë.

HILMI SALIU -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"