Ngjitje për rekord e Elbasanit, trajneri Merxha: Sezon fantastik, të enjten do të festojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2023 | 20:17

Ngjitje për rekord e Elbasanit, trajneri Merxha: Sezon fantastik, të enjten do të festojmë

Elbasani feston në Vlorë ngjitjen në Kategorinë e Parë. Ka mjaftuar barazimi 0-0 ndaj Labërisë dhe humbja e Pogradecit, që një javë para mbylljes së kampionatit, verdheblutë të siguronin matematikisht ngjitjen një kategori më lart.

Elbasani

Një histori suksesi e klubit të themeluar vetëm dy vite më parë, që administrohet nga Bashkia Elbasan dhe kërkon të rimëkëmbë futbollin në qytetin me shumë traditë në vendin tonë. Nga Kategoria e Tretë në të Dytën dhe tashmë në të Parën, duke mos pësuar asnjë humbje. AF Elbasani e nisi me Gentjan Stojkun në stol, ndërsa prej pak javësh trajner është Eriol Merxha. Dje në kompleksin “Labëria” në Nartë ishte festë, pasi grupimi i tifozëve “Tigrat Verdheblu”, nuk kanë reshtur së mbështetur skuadrën e zemrës.

Trajneri i AF Elbasanit, Eriol Merxha, është i lumtur që më në fund skuadra bardheblu u ngjit në Kategorinë e Parë. Në prononcimin për “Panorama Sport” pas ndeshjes ndaj Labërisë, ai falënderoi lojtarët dhe ish-trajnerët për këtë sezon fantastik.

“Ishte një kampionat shumë i vështirë, por e rëndësishme është që arritëm objektivin. Puna ishte bërë mirë nga kolegët para nesh, të cilët gjej rastin t’i falënderoj. Tani na mbetet që të festojmë të enjten në Elbasan. Ndeshja me Labërinë ishte shumë e luftuar.

Kishim mundësitë tona për të shënuar, por nuk realizuam dot. Djemtë i kemi të mrekullueshëm dhe janë pikërisht ata që e bënë të mundur këtë sezon fantastik. I falënderoj sinqerisht ata dhe tifozët verdheblu. Nuk ka rëndësi nëse jam unë trajner apo një tjetër sezonin e ri, rëndësi ka që në fundjavë të shkojmë në stadium të mbështesim Elbasanin”, ka thënë Merxha.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"