“Ngjitja në Superiore e vështirë, por e tentojmë”. Zjarri: Vora po ruhet për “play off”-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2024 | 16:40

“Ngjitja në Superiore e vështirë, por e tentojmë”. Zjarri: Vora po ruhet për “play off”-in

Vora mendon që të jetë në formë për “play off”-in ku do të synojë ngjitjen historike në Superiore. Këtë mendon edhe trajneri i Vorës Endri Zjarri që në një prononcim për “Panorama Sport” shprehet:

trajneri endri zjarri Vora

“Siç po shihet qartë, ngjitja direkt është bërë shumë e vështirë dhe nuk varet nga ne. Ne po mundohemi të ruajmë lojtarët titullarë për fazën “play-off”, pasi disa prej tyre kanë lëndime dhe duan kohën e nevojshme për rikuperim. Në të njëjtën kohë ne po mundohemi të aktivizojmë sa më shumë të rinj, për të marrë jo vetëm minutazhin e duhur, por edhe të ambientohen me skuadrën e të rriturve”, thotë fillimisht ai që ka një koment edhe për luhatjet e këtyre javëve dhe ngjitjen në Superiore:

“Këto na shërbejnë për të analizuar më mirë veten e për ta parë në një plan më të qetë në mënyrë që të nxjerrim konkluzionet e duhura, për të bërë ndërhyrjet e nevojshme që të realizojmë ato objektiva që ka klubi. Më duket më shumë një mision i vështirë. Edhe nëse do të arrijmë të përballemi me të tetën e Superiores, kjo do të jetë një ndeshje finale. Duke qenë e tillë, ajo zeron të gjitha diferencat e në lojë do të kemi faktorin psikologjik. Gjithçka mund vendoset në atë ndeshje”, u shpreh Zjarri. Vora do të presë Apoloninë këtë javë.

 

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"