“Ngelëm në kalçeto” Çoçlli “skanon” Besëlidhjan: Brazilianët s’më bindin, stërvitja një hall

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2023 | 21:54

“Ngelëm në kalçeto” Çoçlli “skanon” Besëlidhjan: Brazilianët s’më bindin, stërvitja një hall

Nikolin Çoçlli “zbërthen” Besëlidhjen. Është i kënaqur me merkaton e bërë në mes të këtij sezoni dhe faktin që më në fund ka dy formacione në dispozicion. Vlerëson afrimet e bëra, ndonëse me rezerva flet për tre brazilianët. Alesandro de Jesus Olivera, Robert Lima de Souza dhe Guilherme Igor Rocha Vieira nuk po e bindin akoma dhe këtë e thotë hapur për “Panorama Sport”.

NIKOLIN COCLLI

Ai shpreh edhe problemin që po has në procesin stërvitor. Lezhjanët nuk e kanë një shtëpi momentalisht, ndaj seancat po i kryejnë në kalçeto. Trajneri pret që kësaj gjëje t’i jepet një zgjidhje, pasi nuk mund të vazhdojë dot kështu dhe sidomos kur të shtunën nis kampionati dhe do të përballen me një ekip si Korabi.

“Me miqësoren kundër Luzit, mbyllëm minifazën përgatitore. Jam mjaft i kënaqur me paraqitjen. Nuk po gjykoj nga rezultati, por nga forma që treguan. Kemi pasur rritje gjatë kësaj kohe dhe kjo më jep shpresë. Që nga sot (dje) nisëm javën anti-Korabi, por kushtet po na penalizojnë. Përveçse na është ‘zaptuar’, stadiumi edhe na u përmbyt nga shirat. Tani po stërvitemi vetëm në kalçeto. Kjo lloj përgatitjeje nuk mund të zgjasë.

Nuk i plotëson as minimalisht kushtet teknike. Do t’i kërkoj stafit drejtues të Besëlidhjes që të gjejë një zgjidhje. Merkato? Kemi bërë 7 afrime, nga këta 3 janë brazilianë. Brazili është vërtetë lider i talenteve të futbollit botëror, nuk do të thotë se të gjithë janë talente. Ende nuk jam i kënaqur me Oliverën, Limën dhe Vieran. Nuk janë ashtu si prisnim. Siç duket ata kanë një kohë të gjatë që nuk janë stërvitur, ndaj duhet ende kohë për t’u parë forma e vërtetë që kanë.

Gjithsesi, besoj se Besëlidhjes do t’i kryejnë punë. Përveç rezervave të mia për brazilianët, përforcimet e tjera janë në pritshmëritë tona. Kjo na jep garanci për të ndryshuar gjërat në kohë reale. Tani ekipi ka marrë formë dhe kemi 22 futbollistë që po konkurrojnë për vend titullari.

Vendi që ekipi mban në renditje nuk na lejon të eksperimentojmë, ndaj që në ndeshjen e parë na duhet të tregojmë veten. Shpresoj që të fitojmë me Korabin dhe ta nisim mbarë rrugëtimit tonë”, përfundoi korçari i stolit lezhjan.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"