Nga Vllaznia te Partizani e Kombëtarja/ Faruk Kalleshi, “imcaku” që u bë legjendë e shtangës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2022 | 21:30

Nga Vllaznia te Partizani e Kombëtarja/ Faruk Kalleshi, “imcaku” që u bë legjendë e shtangës

Nga FAIK SADIKU

FAIK SADIKU5

Faruk Kalleshi, si një talent i lindur për shtangën, ësh të cilësuar nga specialistet vendës dhe të huaj, si “ikona”, “mrekullia”, “sakrifica”, “magjia”, për këtë sport burrëror. Ky emër i madh personifikon kulturën dhe dashurinë për botën e bukur të shtangës.

Të flasësh për këtë emër të shquar nuk është fort e lehtë. Ky “kolos” i shtangës ka vulosur emrin e tij në “panteonin” e më të mëdhenjve, të shtangës shqiptare dhe me meritë mban titullin më të lartë “Nderi i Kombit”, i lakmuar për çdo sportist elitar.

d673b41d-4450-44f6-ab4e-1358160b5609

Ky “kolos”, monument i sportit shqiptar, sot ka ditëlindjen e tij, ndaj unë po i bëj si dhuratë një shkrim modest e të thjeshtë, se i tillë është Faruku, edhe pse mbi supet e tij regjistrohen tonelata kg gjatë gjithë karrierës së tij 21-vjeçare dhe ai përsëri nuk mburret. Jam marrë me shkrime të ndryshme sportive, kryesisht me futbollin, më përpara me historikun e shtangës, aty më është fiksuar emri i tij “legjendë” kudo si “relike”, me tituj kampion e rekorde, pa mbarim.

Faruku lindi në Shkodër, më 6 dhjetor 1945, aty ku gjarpëron Drini e Buna, që paqësisht zbresin në det, aty ku flladi “fantastik” i liqenit zbret në qytet dhe bashkohet me kulturën, artin dhe sportin e këtij qyteti, simbol i qytetarisë shqiptare. Aty lindi e u rrit Faruku, për t’u bërë legjendë. Këto talente të rralla në sport, nëna natyrë i fal me pikatore se i krijon një në 100 vjet.

KALLESHI FARUK

Ashtu është edhe protagonisti ynë se duhen dekada të lindë një i tillë. Hapat e parë të tij drejt mjeshtërisë, Faruku i demonstroi te fusha e futbollit, e shkollës së tij “Xheladin Fishta”, aty shkëlqeu me përdorimin fenomenal të topit, e me akrobacitë e tij spektakolare, aty mësonin të mëdhenjtë e sportit shqiptar, Zhega e Ragami, dhe aty bie në sy talenti i tij nga z. Bakalli, zbulues i talenteve të reja, por Faruku tepër kurajoz është i vendosur për artin, nuk pranon dhe i bashkohet cirkut të qytetit, ku krijon  duetin mbresëlënës me shoqen e tij të jetës, Lili Paci, që do të mbesin në histori me ushtrimet e tyre spektakolare, e do të mahnitnin me ushtrimet e tyre të vështira të kalibrit botëror.

NGA TEATRI NË PALESTËR

Andej nga tetori i vitit 1964, në një shfaqje të Farukut e Lilit në teatër, ishte spektator Njazi Bushati, trajner i Vllaznisë, kampion dhe rekordmen absolut, si dhe pionier i shtangës shqiptare, pas shfaqjes thërret Farukun të inkuadrohet pranë skuadrës shkodrane të shtangës. Mbas shumë përpjekjesh, por dhe me miratimin e prindërve, Faruku pranon t’i bashkohet shtangës.

Ishte mesi i nëntorit 1964, Faruku, një 18-vjeçar imcak dhe i brishtë në trup, hyn me vullnet dhe përkushtim në stërvitje duke mahnitur trajnerin, i cili po shikonte te Faruku një të ardhme brilante. Dalja e tij e parë drejt historisë mban datën 12 dhjetor 1964 vetëm 18 vjeç. Aty në kampionatin kombëtar, i zhvilluar në Berat, Faruku konkurron në peshën 52 kg, shpallet kampion dhe vendos 5 rekorde kombëtare, që do të pasohen më vonë edhe me 111 të tjera gjatë karrierës së tij. Ashtu i vogël, shtatshkurtër, i thjeshtë, i disiplinuar dhe tepër kurajoz në detyrat që i ngarkonte trajneri, gjatë karrierës së tij ka konkurruar në peshat 52 – 56 kg, duke arritur majat, dhe duke mbajtur lart flamurin shqiptar me rekorde dhe tituj.

f87563a3-f025-4a6b-b651-01440a28f8f6

Me të drejtë, Faruku është quajtur nga specialistët e sportit “Everesti” i shtangës shqiptare. Ky emër i shquar është pa dyshim më i miri ndër më të mirët. Ai në 21 vite karrierë ka realizuar 116 rekorde kombëtare, me ekipet e Vllaznisë dhe Partizanit, 21 tituj kampion, e 21 kupa Republike, pra në këtë pozicion, ai është në majat e këtij sporti.

Si asnjë sportist tjetër shqiptar, Faruku ka marrë pjesë 4 herë radhazi në 4 spartakiada, të cilat i ka kurorëzuar me medalje ari, në peshën 52 kg. Në fund të karrierës së tij, ai e mbyll me sukses, një sukses i trefishtë, në spartakiadën e 5-të kombëtare të vitit 1984, në moshën 39-vjeçare, duke merituar 3 medalje ari, në 3 stile, dhe këtu ai ndalet përfundimisht nga sporti, duke qenë i paarrirë për të gjitha kohërat. Të flasësh për këtë emër brilant, nuk është aspak e thjeshtë.

Të shkruash për Farukun, nuk dalin dy libra me nga 300 faqe, por unë jam ndalur te disa episode “pikante” që ia vlen të kujtohen e të rikujtohen me nostalgji, se ndryshe Faruku me shokë harrohen nga historia. E me të drejtë, atij i është skalitur emri me shkronja të arta në panteonin e më të mëdhenjve, si ndër 10 më të shquarit e shekullit, i anketuar nga specialistët në vitin 1998. Për merita, ai në 1970 meriton titullin “Mjeshtër Sporti”, në 1973 meriton titullin “Mjeshtër i Merituar”.

Në vitin 1999, MKR e Sporteve i akordon Farukut titullin e merituar “Nderi i Sportit Shqiptar”. Pas një viti Farukut i akordohet titulli “Mjeshtër i Madh”, dhe në korrik të vitit 2012, ai meriton titullin më të lartë “Nderi i Kombit”. Si sportist elite në shtangë, Faruku ky emër i madh, është 6 herë fitues i anketës tradicionale 10 sportistët më të mirë, performanca e tij spektakolare, i dha forcë atij të tentojë të thyejë rekordin botëror. E mbaj mend atë ditë të nxehtë, por të paharruar, 8 korriku i vitit 1970. Aty në pallatin e sportit të Shkodrës, mbushur plot e përplot, kishin ardhur për të ndjekur Farukun, në garën individuale për titullin botëror me rekord.

Kishte ardhur dhe një gjyqtar i huaj për të konfirmuar thyerjen e rekordit nga ai, të cilin e kishte thyer shpeshherë në stërvitje, por duhej vërtetuar, shtanga e ngritur nga Faruku, nuk i bindet. Ajo e “tradhton” në tri provat, i emocionuar para tifozërisë së tij, duke mbetur 5 kg larg rekordit. Si një sportist elite ai ishte anëtar i ekipit tonë përfaqësues, nga viti 1966 – ‘84.

Garën e parë ndërkombëtare, e zhvillon në vitin 1966 në Pekin dhe shpallet kampion në peshën e tij duke realizuar 12 rekorde kombëtare dhe duke e mbyllur në vitin 1984, në kampionatin botëror në Bullgari, gjatë kësaj periudhe mbi gjoksin e tij kanë vezulluar mbi 30 medalje të merituara ari, argjendi dhe bronzi. Dhe vjen një ditë që ai do të largohet nga shtanga, por jo nga sporti. Ai për 5 vite me radhë, drejton të rriturit e Vllaznisë, si trajner e shtangist, detyrë të cilën e kryen shkëlqyer.

Gjatë periudhës 2000-2006 drejton ekipet e vajzave të Tiranës dhe Dinamos me të cilat përmirëson 52 rekorde kombëtare. Suksesi më spektakolar i Farukut është pranë ekipit tonë kombëtar të vajzave, sidomos me Fetije Kasajn, e cila shpallet kampione e trefishtë e Europës, duke pasuruar atdheun me tri medalje ari. Gjithë sukseset e tij pa dyshim kanë anën tjetër të kësaj medalje, e cila është Liljana, artiste dhe bashkudhëtare e jetës së tij. Ajo gjatë gjithë jetës, ka qenë krahu i djathtë i Farukut, ndaj dhe sukseset e tij as nuk janë diskutuar. Sot në ditën e lindjes së tij të 77- të, ashtu trupvogël, por dhe tepër energjik si në rini. Sot ai gëzon një shëndet për t’u admiruar për t’u pasur zili.

KALLESHI6

E gjithë jeta e tij sportive ka një marrëdhënie të pentagramit muzikor, me histori, në art, në pedanë, por edhe si trajner. Nga një herë, sporti e arti kanë një të përbashkët, se Faruku, më përpara kishte bërë art, atë e demonstron edhe sot nëpërmjet përgatitjes së tij. Edhe pse 77 vjeç, ai qëndron vertikal e bën ushtrime spektakolare, pa u stepur.

Ky njeri trupvogël, është objekt sensacional i një sportisti shembullor, e një prindi të shkëlqyer e me vlera të mëdha, si “napoloni i arit”. Këta kampionë të mëdhenj i kemi me “pikatore”, ndaj duhet t’i ruajmë dhe t’i respektojmë se janë vlera të çmuara e ambasadorë të sportit tonë kudo në botë.

PANORAMASPORT.AL