Nga ushqimi te gjuha, rrëfehet trajneri spanjoll i Apolonisë: Ekipi më bindet, po shijoj çdo ditë në Fier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2023 | 23:51

Nga ushqimi te gjuha, rrëfehet trajneri spanjoll i Apolonisë: Ekipi më bindet, po shijoj çdo ditë në Fier

Apolonia ndryshoi si me “magji”. Pak kush e mendonte që do ta niste kaq mirë Kategorinë e Parë dhe sidomos me merkaton që bënë. Nëse rivalët hodhën miliona për të marrë lojtarë me emër, në Fier ndodhi ndryshe.

Rodriges

Menduan që të bazoheshin te grupi i një viti më parë dhe morën vetëm disa elementë për të shtuar alternativat. Kjo politikë nuk u rezultoi e keqe. Kur janë luajtur 7 javë, janë ata të tretët në renditje dhe pa frikë mund të themi që janë pretendentë për t’u ngjitur në elitë. “Arkitekti” i kësaj skuadre është padyshim ai, Jeraj Rodriges.

Për vetëm tre muaj, ai diti që të ndërtonte një grup që i përgjigjet në lojë dhe filozofi. Këtë ecuri spanjolli nuk e quan rastësore, por rezultat i një punë të palodhur. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri na tregon që të gjitha sekretet e bardhejeshilëve dhe jetën e tij në Fier.

Pas asaj humbjeje në Elbasan, Apolonia ndryshoi si me “magji” dhe tani jeni të tretët. Sa e rëndësishme ishte fitorja me Tomorin?

Për sa kohë reagojmë, kjo do të thotë se skuadra funksionon shumë mirë. Të them të drejtën, fitorja është gjithmonë e rëndësishme. Pikët e plota të japin një lloj frymëmarrjeje, sidomos kur vijnë në shtëpi.

Dy fitoret e fundit në “Loni Papuçiu” janë me goleadë…

Nuk është rastësi, por shpërblim i madh i punës sonë të përditshme. Progresi është i dukshëm. Lojtarët po japin dhe bëjnë maksimumin në çdo ndeshje, natyrisht për të dalë fitimtarë. Besojnë shumë te rezultati maksimal, por kur luajmë në Fier është edhe më e lehtë për ne, kjo falë pranisë së tifozëve. Ata na japin entuziazmin e duhur, ndaj i falënderoj përzemërsisht.

Interesi i tifozëve po shtohet me ju në drejtim, keni një ftesë për ta?

Futbolli është spektakël sportiv unik, prandaj tifozët meritojnë gjithmonë ta shijojnë atë. Ata janë kudo shumë të rëndësishëm, por unë pres që të shtohen gjithnjë e më shumë. Fitoret bëhen më të lehta me mbështetje. Më besoni.

Keni lënë vetëm 7 pikë rrugës. Si e vlerësoni ecurinë në këto 7 javë?

Jam shumë i kënaqur me këtë ecuri. Është nisje e mbarë dhe shpërblim i punës intensive, që ka nisur prej 24 korrikut. Ky është futbolli, por më kënaq jashtëzakonisht angazhimi, serioziteti dhe përgjegjshmëria e të gjithë lojtarëve. Janë të palodhur dhe punojnë intensivisht. Janë përshtatur kaq mirë me mënyrën, idenë dhe filozofinë time.

Është Apolonia eksperienca më e mirë në karrierën tuaj si trajner?

Si në futboll, ashtu edhe në jetë, merren vendime të drejta dhe jo të drejta, por unë çdo vendim e vlerësoj gjithmonë si një mësim personal.

Cili është objektivi personal me Apoloninë?

Qëllimi im është shumë i qartë këtu tek Apolonia, dua të shijoj gjithmonë punën time dhe të jem në gjendje optimale për të punuar me cilësi, korrektësi e përgjegjshmëri. Drejtuesit, por edhe unë personalisht jemi shumë kërkues ndaj njëri-tjetrit, prandaj me plot gojën them se gjithçka është në rregull.

Si kanë qenë këto muaj të parë në Fier?

Në këto tre muaj të parë në Fier, nuk kam pasur asnjë problem, as më të voglin.

A jeni përshtatur me njerëzit dhe qytetin në tërësi?

Përshtatja nuk është një problem për mua dhe në ndihmë për këtë më vjen fakti që kam shëtitur shumë dhe ne vende të ndryshme.

Si janë fierakët?

Njerëzit në këtë qytet janë dashamirës, të shoqërueshëm dhe shumë të respektueshëm. Jetoj shumë i qetë dhe punoj shumë orë në ambiente bashkëkohore sportive, kam zyrën time dhe mbi të gjitha fusha tejet të mira për t’u stërvitur. Kështu jeta ime e përditshme është shumë e veçantë.

Po gjuha, a ka qenë ndonjëherë problem për ju?

Gjuha nuk ka qenë asnjëherë problem, pasi me të gjithë lojtarët jemi kuptuar në mënyrë perfekte. Komunikimi ynë është i qartë dhe i rrjedhshëm.

Cili është ushqimi juaj i preferuar në Shqipëri?

Unë jam fantastik në këtë pjesë. Më pëlqen shumë ushqimi me lugë, supat apo perimet e ziera. Buka pastaj është fantastike, si e bardha dhe e zeza.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"