Nga tmerri te goli, Omeri: Apolonia të magjeps, nuk e falim as Korabin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2023 | 20:20

Nga tmerri te goli, Omeri: Apolonia të magjeps, nuk e falim as Korabin

Apolonia nuk po njeh limite. Pa kkush mund t’i llogariste si pretendentë në nisje të garës dhe sidomos me merkaton e vakët që zhvilluan, por rrugës treguan se janë edhe ata në “valle” dhe fuqishëm madje. Janë të tretët në tabelë dhe -1 nga Elbasani, duke mbajtur veten me shpresa për ngjitjen. E megjithatë, në Fier mundohen që ta shmangin këtë pjesë dhe rrallë dëgjon nga dikush që ta përmendë Superioren si mision.

apolonia

Madje, edhe pasi mundën Lushnjën me “poker”. Këtë e kupton edhe nga intervista e dhënë prej Stefano Omerit në “Panorama Sport”. Mesfushori gjeti golin, pas atij dëmtimi që e la jashtë për plot 5 muaj. Ai e quan një tmerr periudhën larg fushe, por saktëson se ecuria e ekipit ia ka bërë më të lehtë mungesën.

Fituat “derbin” dhe bindshëm. A ishte kjo forca e vërtetë e Apolonisë?

Edhe mund ta quajmë si një tregues force, por ne kemi potencial edhe më shumë se kaq. Ua siguroj këtë dhe shpresoj që ta tregojmë edhe në ndeshjet e ardhshme. Për fat e nisëm mbarë fazën e dytë dhe konfirmuar formën e shkëlqyer që po kalon Apolonia këtë sezon.

Nga 0-1 në 4-1. Si erdhi përmbysja?

Mendoj se thjesht dhe vetëm kemi pasur qasjen e duhur në fushë. Nuk u demoralizuam për asnjë moment. Dhamë gjithçka në fushë dhe kishim bindje që do ta kthenin. Vumë vazhdimisht në presion kundërshtarin dhe arritëm të shfrytëzojmë më së miri kundërsulmet tona, që duhet thënë ishin perfekt.

Shënuat golin e tretë, atë të qetësisë për Apoloninë. Si e përjetuat pasi ishte i pari sezonal për ju?

I lumtur patjetër, sidomos kur mendon se goli im në kampionat erdhi pas plot pesë muajsh mungesë. Më jep forcë, më shton besimin dhe më rrit ndjeshëm dëshirën që ky gol të mos jetë i fundit për mua.

Keni marrë minuta nga stoli në katër ndeshjet e fundit. Por si kanë qenë këta 5 muaj për ju?

Shumë muaj të vështirë, pasi kurrë nuk kisha qëndruar kaq gjatë. Një tmerr do thosha, si pasojë e atij dëmtimi të rëndë të pësuar në maj. Më duhej të merrja gjithë kohën e nevojshme për t’u rikuperuar plotësisht. Tani jam shumë mirë dhe po punoj fort ditë pas dite për të gjetur formën optimale. Ajo që më ka lehtësuar gjithçka pastaj, ka qenë ecuria e ekipit.

Kohë për pushim nuk ka, pasi të dielën luani me Korabin…

Prej ditës së djeshme, e gjithë vëmendja jonë është spostuar te Korabi. Mund të them shkurtimisht se jemi të motivuar në maksimum për të marrë fitoren e tretë radhazi në stadiumin “Loni Papuçiu”. Duam që bashkë me tifozët, të mos e ndalim festën.

HILMI SALIU -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"