Nga Peqini te logoja, flet ish-kryebashkiaku Gjika: Fitorja i “paqtoi” me tifozët, por ktheni stemën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2023 | 23:28

Nga Peqini te logoja, flet ish-kryebashkiaku Gjika: Fitorja i “paqtoi” me tifozët, por ktheni stemën

Shpëtim Gjika nuk i ndahet Flamurtarit. Jo vetëm e ndjek gjithë kohës, por nuk i kursen as opinionet e tij për klubin që dikur e ka drejtuar. Ishpresidentin e ka ngrohur loja që kuqezinjtë bënë në Peqin përballë Lushnjës dhe sidomos efikasiteti në finalizim.

Gjika Shpetim

Gjatë një prononcimi të dhënë enkas për “Panorama Sport”, i cilëson këto tri pikë shumë të domosdoshme për vazhdimësinë. Ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës vlerëson grupin e lojtarëve për eksperiencën, cilësinë, ndonëse mendon se ka edhe skarcitet. “Ndeshja me Lushnjën ishte e përgatitur shumë mirë nga trajneri.

Më pëlqyen edhe lojtarët, pasi e interpretuan saktë lojën. Mbi të gjitha, kishin efikasitet në shfrytëzimin e rasteve të krijuara. Ishte një fitore që u mendua, u punua, u besua dhe u luajt. Patjetër që në fund edhe u arrit qëllimi, derisa dolën nga Peqini me fitore.

Tri pikë të tjera, shumë të rëndësishme dhe të domosdoshme për moralin e lojtarëve dhe mbi të gjitha për të paqtuar në njëfarë mënyre ekipin me tifozët vlonjatë dhe sportdashësit. Me sa pashë ndeshjen, kemi një grup lojtarësh ku ndërthuret eksperienca, cilësia dhe perspektiva. Shoh se ky ekip ka cilësi. Por nga ana tjetër ka edhe ndonjë kokërr skarco. Megjithatë, kemi ende punë për të bërë për të arritur objektivin madhor që kemi, ngjitjen në elitë”, shprehet Gjika.

VAZHDIMËSIA

Mendon se tashmë skuadrës i duhet vazhdimësi. Sipas tij, tri pikë në ndeshjen me Apoloninë janë shumë të domosdoshme. Ka elozhe për trajnerin, që sipas tij nuk e ka zënë as deliri. “Tani na duhet edhe të kemi vazhdimësi në ndeshjet që kemi përpara.

Kjo do të thotë se duhet vlerësuar me kokën ulur dhe këmbët në tokë ndeshja e radhës. Nuk ka dy pa tre thuhet. Pas dy ndeshjesh dhe 6 pikëve na duhet fitorja e radhës me Apoloninë. Jam i bindur që trajnerin Emiljano Çela nuk e ka kapur euforia nga kjo fitore e fundit.

Përkundrazi besoj se është duke menduar për të evituar edhe defektet që skuadra pati në ndeshjen me Lushnjën”, thotë ish-numri një i Bashkisë Vlorë.

STEMA

Por Shpëtim Gjika ka edhe një kërkesë tjetër shumë të rëndësishme, të cilën e përmend sa herë i vjen mundësia. “Dua që në fund ta mbyll me një kërkesë: Na riktheni logon, stemën tradicionale të Flamurtarit”, përfundon ishpresidenti.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"