Nga parketi në zyrë, “kobra” Bushati: FSHB-së i sjell eksperiencën italiane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2023 | 13:24

Nga parketi në zyrë, “kobra” Bushati: FSHB-së i sjell eksperiencën italiane

Pas një karriere shumë të suksesshme deri në elitën e basketbollit italian, tashmë Franko Bushati vendosi ta mbyllë me parketin si lojtar, për të marrë rolin e drejtuesit si sekretar i përgjithshëm në Federatën Shqiptare të Basketbollit.

WhatsApp Image 2023-11-25 at 12.04.27

Në konferencën e djeshme për mediat, 39-vjeçari u shfaq i emocionuar por njëkohësisht shumë i motivuar për detyrën e re. “Falenderoj presidentin Ponari për besimin dhe mundësinë. Jam mësuar në të gjithë karrierën time që të jem para gazetarëve, por sot është një ditë speciale për dy motive, kështu që do të luftoj emocionet e mia. Gjithashtu edhe fakti që jam prej 30 vitesh në Itali edhe komunikimi nuk është i lehtë, por në daljen e radhës ju premtoj që do të flas shumë më rrjedhshëm”, deklaroi fillimisht Bushati, i cili e ka ende të freskët largimin nga basketbolli, të cilin e ka njoftuar zyrtarisht vetëm dy ditë më parë: “Pas 26 vitesh dhashë zyrtarisht edhe largimin, duke njoftuar edhe mbylljen e karrierës si lojtar dhe të gjitha mesazhet që ma kanë ardhur dhe vazhdojnë të më vijnë nga tifozë të thjeshtë, presidente, trajnerë, gazeta si dhe federata, është diçka që më ka prekur. Por sot jam këtu në një detyrë të re, prestigjioze që më nderon dhe në të njëjtën kohë ndjej shumë përgjegjësi”, deklaroi Franko, i cili është djali i ish-basketbollistit të mirënjohur, “Mjeshtrit të Madh”, Pjerin Bushati.

RISITË DHE OBJEKTIVAT – Gjatë konferencës, Franko Bushati, i cili njihet edhe me nofkën “kobra”, për gjuajtjet e tij fatale gjatë karrierës si lojtarë, foli edhe për risitë dhe objektivat në organizimin e basketbollit në Shqipëri: “Dua të sjell eksperiencën që kam fituar në Itali, atë që kam parë dhe që kam provuar, mardhëniet e mia dhe kontaktet që kam, për ti vendosur në dispozicion të Federatës Shqiptare të Basketbollit. Siç e tha edhe presidenti, jemi takuar para disa javësh dhe ndamë të njëjtat ide për rrugën që duhet të ndjekim. Kemi dy objektiva që ndahen në ndërkombëtare dhe kombëtare. Projekte, për të cilat nuk është sot dita ti themi, por sigurisht që te objektivat ndërkombëtare është fakti që ne duhet patjetër të kërkojmë që të gjejmë, të afrojmë dhe tu rrimë pranë të gjithë lojtarëve nga mosha 12 deri në moshën 17-18 vjeç, të cilët luajnë jashtë, duke ndjekur edhe shembullin e futbollit. Mendoj që kjo do të bëjë diferencën, pra zbulimi i talenteve dhe e them me shumë bindje që lojtarët që janë jashtë janë absolutisht shumë të mirë. Për sa u përket objektivave kombëtare, patjetër është rritja e cilësisë. Basketbolli është një produkt dhe në rritjen e cilësisë së basketbollit të gjithë do të përfitojmë, do të përfitojë federata, klubet, apo shoqatat. Kemi vendi në Shqipëri që sot fëmijët e kanë të vështirë të luajnë basketboll, duhet të punojmë me kualifikimet e trajnerëve, të cilat janë ata që do të prodhojnë talentet e rinj për të ardhmen. Kemi gjithashtu objektivin për të sjellë sa më shumë tifozë në pallatet e sportit. Te gjitha këto janë objektiva që e i kemi diskutuar dhe falë eksperiencës dhe asaj çfarë kam parë në përvojën që kam pasur në Itali, do të provojmë ti sjellim këtu. Kështu që shpresoj që të gjej bashkëpunimin e të gjithëve për të bërë një punë sa më të mirë”, deklaroi sekretari i ri i FSHB-së.

REALITETI SHQIPTAR – Ndërkohë i pyetur se sa e njeh realitetin e basketbollit në Shqipëri, pas një karriere të zhvilluar të gjithën në Itali, Franko Bushati shprehet: “Është e vërtetë që unë e kam zhvilluar të gjithë karrierën time në Itali, por jam grumbulluar me Kombëtaren që në moshë 16 apo 17 vjeçare deri në moshën 31-vjeçare. Lidhja ime me Shqipërinë ka qenë gjithmonë e fortë, e njoh shumë mirë realitetin dhe jam i vetëdijshëm për problematikat do hasim të gjithë, por me vullnet, me ide të reja, besoj se do ta arrijmë qëllimin”, përfundoi Bushati.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"