Nga Oriku te Apolonia, një vlonjat forcon fierakët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2023 | 22:49

Nga Oriku te Apolonia, një vlonjat forcon fierakët

Mesjava i ka gjetur fierakët në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”. Kohë për të humbur nuk ka, prandaj të gjithë janë të mobilizuar për Tërbunin. Grupi i ka qenë i plotë, pasi mbrojtësi Serjan Repaj ka lënë pas problemet fizike dhe është rikthyer me pjesën tjetër të skuadrës. Ky i fundit humbi përballjen me lushnjarët në transfertë, por me shumë mundësi do të jetë gati ndaj pukjanëve në shtëpi.

HARUNI

Një lojtar i ri është bërë pjesë e ekipit vetëm pak ditë më parë. Bëhet fjalë për mesfushorin Shaqir Haruni. Ky i fundit ka lënë Orikun për t’u bashkuar me fierakët për pjesën e mbetur të sezonit. Pati disa minuta në transfertën e Lushnjës dhe tani mund të konsiderohet si një përforcim i vlefshëm. Çështja është që nuk u mor vesh kur erdhi, kur u stërvit, kur u federua, derisa u grumbullua për derbin dhe u aktivizua në minutën e 90-të.

Barazimi i fundit ndaj Lushnjës në transfertë, për më tepër ndaj një rivali direkt për mbijetesë, tregoi se Apolonia është një skuadër që këtë sezon mund të përballet me këdo, pavarësisht pozicionit që mban në tabelën e renditjes.

Fierakët ashtu siç kanë bërë thuajse në të gjitha rezultatet pozitive të këtij sezoni, arrijnë të marrin tri pikët duke krijuar stabilitet në mbrojtje dhe duke qenë cinikë në sulm. Nga ana tjetër, tri barazimet e këtij viti, ndaj Korabit, Besës e së fundmi përballë Lushnjës, kanë qenë tregues se Apolonia pëson dhe njëkohësisht shënon.

Me trajnerin Veljko Dovedan në krye të pankinës, bardhejeshilët kanë koleksionuar dy fitore, katër barazime dhe dy humbje, rrjedhimisht 10 pikë të grumbulluara, të cilat për momentin po i mbajnë gjallë shpresat për të mbijetuar në Kategorinë e Parë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"