Nga mbijetesa tek e ardhmja, kapiteni Canka analizon sezonin: Shpëtuam nga turpi, kam ende fuqi të luaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2023 | 18:36

Nga mbijetesa tek e ardhmja, kapiteni Canka analizon sezonin: Shpëtuam nga turpi, kam ende fuqi të luaj

Lushnja siguroi qën drimin në Kategorinë e Parë. Vend për t’u krenuar nuk ka, por të paktën shmangën më të keqen dhe tashmë duhet thjesht të zënë mend për të ardhmen. Kështu mendon edhe kapiteni Mikel Canka, i cili kujton se gara do të jetë edhe më e vështirë sezonin tjetër. Kur dihet që pjesëmarrëse do të jenë vetëm 12 skuadra, duhen marrë masa të menjëhershme.

CANKA

Gjatë intervistës së dhënë enkas për “Panorama Sport”, sulmuesi thekson se verdhejeshilët duhet të bëjnë më shumë, nëse duan që të kthehen konkurrues në kampionat, dhe pse jo, të pretendojnë elitën. Flet edhe për veten, por edhe për planet për vazhdimësinë. Hapur e thotë që ende nuk e ndien të tërhiqet nga futbolli i luajtur, ndërsa zbulon se kurrë nuk i ka pëlqyer që të bëhet trajner.

Si e përjetuat fitoren?

Ishim përgatitur për ta fituar atë ndeshje dhe ia dolëm. Lushnja nuk ka qenë ndonjëherë në këto pozita. Por, ja që në sport duhen përjetuar të gjitha emocionet.

Patët dhimbje gjatë lojës?

Kam sakrifikuar shumë. I kam ndier shumë të forta dhimbjet, gjatë gjithë 90 minutave. Por, sido që të shkonte, unë do të luaja. Për atë ndeshje do të jepja gjithçka. Ishte më e rëndësishme se gjithçka tjetër. Një falënderim shkon për doktorin e skuadrës, Arsid Prifti. Nuk u lodh për dy javë rresht. Më ka qëndruar pranë, për të më rikthyer sa më shpejt në fushë.

Çfarë i thatë Pepës pas ndeshjes?

E përqafova dhe e falënderova për golin që shënoi. Falë golit të Pepës, sot jemi sërish në Kategorinë e Parë. Shpëtuam një turp për qytetin tonë.

Keni hyrë në të 37-at, ndaj rrjedhimisht lind pyetja: a do të vazhdojë Canka të luajë futboll?

Sigurisht që po! Kur të ndiej që nuk kam më se çfarë të jap, do të vendos të tërhiqem. Por, ndiej që jam akoma i gatshëm për të dhënë në futboll.

Mendoni se një ditë do të jeni trajner i Lushnjës?

Është një pjesë që nuk më ka pëlqyer ndonjëherë, por jetës nuk i dihet.

Kampionati i ardhshëm do të jetë me 12 skuadra! Çfarë sugjeroni për Lushnjën e së ardhmes?

Do të jetë një kampionat më i fortë. Duhet punuar dy muaj para nisjes së kampionatit. Me këtë gjë, me këtë pjesëmarrje me 12 skuadra duhet një riorganizim i hershëm dhe i plotë.

U bënë 6 vite në Kategorinë e Parë, mendoni se këtë herë do të veprohet ndryshe?

Kam besim se vitin tjetër do të ndërtohet një Lushnjë shumë e fortë. Kam besim te drejtori Marjus Liçka, që do t’i bëjë gjërat me siguri dhe inteligjencë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"