Nga luhatjet te problemet, presidenti Bizhdili bën “bilancin”: Fitojmë në Korçë, “armiku” ynë… stadiumi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2023 | 21:05

Nga luhatjet te problemet, presidenti Bizhdili bën “bilancin”: Fitojmë në Korçë, “armiku” ynë… stadiumi

Besa rrezikon “play out”-in. Kur kanë mbetur edhe dy javë për të luajtur, kavajasit nuk janë aspak të qetë. Askush nuk e kishte menduar që do të rrëshqisnin në fund të renditjes dhe sidomos me organikën që kanë.

Bizhdili

Luhatjet kanë qenë të tmerrshme gjatë gjithë sezonit, e megjithatë “armiku” numër një ka qenë fusha… Mungesa e stadiumit i ka penalizuar jo pak. Këtë opinion jep edhe Nexhat Bizhdili, kur bën bilancin e skuadrës në këto 24 javë kampionat.

STADIUMI, NJË “ARMIK”

Gjatë një deklarate të dhëne enkas për “Panorama Sport”, presidenti thekson se zëri i tij nuk ka mjaftuar që dikush të çohet dhe t’i japë zgjidhje kësaj çështjeje. E megjithatë, beson fort te mbijetesa dhe si shpresën e madhe sheh transfertën e së dielës në Korçë. “E di se tifozët janë të pakënaqur me situatën në të cilën jemi sot dhe kanë të drejtë.

Disa herë u kam kërkuar ndjesë. Jam i bindur se e kishim gjithçka në dorën tonë për të mos arritur këtu. Mjaftoi ajo humbje e papritur dhe e paimagjinueshme me Orikun, që të përfundonim në këtë pikë. Por kemi një handikap të madh, që duhet evidentuar. Më gjeni një ekip që ka luajtur një sezon të tërë sa në një stadium në tjetrin? Përveç Besës, sigurisht.

Kjo jo për fajin tonë, pasi asnjë klub në Shqipëri nuk ndërton dot i vetëm një stadium. E kemi ngritur zërin, e kemi kërkuar, por vetëm kaq kemi në dorë të bëjmë. Mungesa prej vitesh e stadiumit tonë, ka ndikim të fuqishëm tek objektivi madhor, Superiore, të cilin edhe këtë sezon nuk e realizuam dot. Kjo, gjithsesi, e përsëris, nuk justifikon aspak renditjen që kemi, pasi kemi lënë pikë në ndeshje, ku kemi dominuar 100% në lojë e raste”, u shpreh fillimisht “Xhati”.

RREZIKU I RËNIES

Rreziku për të rrëshqitur në zonën “play out” është prezent, ndaj presidenti i sheh si finale 180 minutat e mbetura të këtij sezoni. E megjithatë, fillimisht pret që të kalohet pengesa e parë. “Skënderbeu me plot meritë kryeson kampionatin dhe ka siguruar tashmë ngjitjen në elitë. Është një ekip profesionist dhe me ambicie.

Këtë e dimë dhe e respektojmë, por Besa nuk ka çfarë të humbë në këtë përballje. Do të jetë një përballje mes dy ekipesh që prodhojë futboll të bukur.

Ne do të udhëtojmë drejt Korçës të bindur se na pret ndeshja më e vështirë e sezonit, përballë skuadrës më të fortë të kësaj lige. Do të futemi në fushë si të barabartë, ndonëse luajmë për objektiva krejtësisht të ndryshëm. Skënderbeu do titullin, ndërsa Besa për të shmangur më të keqen.

Nuk mund të flas për rezultat teknik, pasi siç thashë më lart, luajmë përballë ekipit kampion”, përfundoi numri një i klubit kavajas.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"