Nga Kupa te Vllaznia, Gvozdenoviç kërkon kthesën/ Pesë lojtarë nuk kanë debutuar ende

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2023 | 21:39

Nga Kupa te Vllaznia, Gvozdenoviç kërkon kthesën/ Pesë lojtarë nuk kanë debutuar ende

Me humbjen ndaj Laçit e lënë pas krahëve dhe me dëshirën për të bërë mirë në ndeshjet e kësaj jave, korçarët kanë nisur dje përgatitjet për dy takimet e radhës, që përkojnë me kompeticionin e Kupës së Shqipërisë nesër ndaj Delvinës dhe më pas në kampionat përballë Vllaznisë të shtunën.

gvozdenovic

Ndeshje këto që do të jenë dy tablo të ndryshme për Skënderbeun e Ivan Gvozdenoviç. Kjo edhe për faktin se në ndeshjen e së mërkurës, trajneri korçar do të vendosë që të japë më shumë hapësira për lojtarët që nuk janë përdorur aspak në këto tetë ndeshje të para të sezonit.

Kjo edhe për të parë se si janë përshtatur me grupin, por edhe cilat janë potencialet e tyre ku mund të mbështetet në kampionat. Në momentet që flasim, janë plot katër lojtarë që ende nuk e kanë bërë debutimin për herë të parë me fanellën e Skënderbeut këtë sezon. Bëhet fjalë për Herdis Alliun në portë, Devid Janaqi dhe Samuel Moses në mesin e fushës dhe sulmuesi Frenklin i ardhur nga Turbina. Këtu shtohet edhe Ivan Xhantu që sapo është bashkuar me ekipin.

Të paktën tre të parët duket se do të kenë minuta në ndeshjen me Delvinën, edhe për faktin se diferencat janë të mëdha mes dy ekipeve. Gjithashtu hapësira pritet të jetë e madhe edhe për lojtarë që kanë luajtur më pak se të tjerët, por edhe për sulmuesin Uçe, për të parë nëse mund të jetë alternativë sulmi, duke u nisur nga fakti që mungon Nikaj dhe Pecani.

VLLAZNIA – Normalisht që ndeshje teke, e cila përqendrimi është më i madh nga ana e bardhekuqve është përballja e fundjavës ndaj Vllaznisë, takim, i cili vlerësohet maksimalisht edhe gjatë kësaj jave.

Që ditën e djeshme, Gvozdenoviç ka ndarë ekipin në dy grupe, ku njëri grup po punon për ndeshjen e Kupës, ndërsa pjesa më e madhe e titullarëve janë të fokusuar për takimin ndaj Vllaznisë. Një ndeshje ku korçarët gjejnë një ish si Memelli dhe që ka vështirësi të madhe për vetë faktin se të dy ekipet duan pikë për të qëndruar në zonën e sipërme të renditjes.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"