Nga kontratat te stadiumi, Dinamo ka tri çështje për të zgjidhur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2023 | 23:46

Nga kontratat te stadiumi, Dinamo ka tri çështje për të zgjidhur

Me Superioren të siguruar dhe tri javë kohë për ndeshjen e fundit të sezonit me Luzin, Dinamo e ka drejtuar fokusin te skuadra e kampionatit të ardhshëm.

dinamo

Blutë kanë ende shpresa për titullin kampion në Kategorinë e Parë, por ky objektiv mund të zhvlerësohet nga një fitore e mundshme e Skënderbeut këtë fundjavë. Nuk është sekret të thuhet se klubi kryeqytetas po mendon për të pasur një Dinamo konkurruese në elitë, jo si dy sezone më parë, ku u rikthye me bujë dhe u shemb si një kala prej rëre. Dhe për t’i paraprirë situatës, në kampin dinamovit kanë disa çështje për të zgjidhur. Deri tani blutë kanë të zgjidhur çështjen e kompleksit stërvitor dhe hotelit, si dhe atë të stafit teknik, të konfirmuar nga presidenti Adrian Bardhi.

KONTRATAT – Edhe pse kampionati nuk ka përfunduar, pak a shumë drejtuesit e Dinamos e kanë një listë tashmë me lojtarët që do të jenë pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Është e qartë gjithashtu se do të ketë largime, por problemi është se shumica e lojtarëve janë nën kontratë me klubin kryeqytetas.

Nga sa kuptohet, Dinamo do të jetë përsëri në një proces si ai i një viti më parë, kur iu desh të negocionte me shumë futbollistë për të ndërprerë bashkëpunimin me mirëkuptim. Një çështje që do të marrë zgjidhje pas ndeshjes me Luzin. Para se të fillojnë punën në merkato për përforcimin e skuadrës, e detyrueshme kjo për një përfaqësim dinjitoz në Superiore, blutë duhet të saktësojnë pozicionin e çdo lojtari që kanë aktualisht në grup. Largimet janë të pashmangshme dhe tani mbetet të shihet se sa e gjatë do të jetë lista.

STADIUMI – Një tjetër çështje që duhet zgjidhur për sezonin e ri ka të bëjë me faktin se ku do të luhen ndeshjet e Dinamos si skuadër pritëse. Në Kategorinë e Parë blutë luajtën në “Selman Stërmasi”, por ky stadium do t’i nënshtrohet rikonstruksionit shumë shpejt. Me shumë mundësi, ndeshjet derbi ndaj Tiranës dhe Partizanit, do të zhvillohen në “Air Albania”. Për ndeshjet e tjera, gjithmonë ato që blutë janë pritës, duhet gjetur një stadium tjetër, që mund të jetë Elbasani, Kamza, apo ndonjë tjetër. Edhe kjo çështje duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt në kampin dinamovit.

STAFI DREJTUES – Stafi teknik i bluve është konfirmuar nga Adrian Bardhi që pas ngjitjes në Superiore. Dritan Mehmeti dhe Luan Pinari do të ndërtojnë skuadrën e sezonit të ri. Në mbështetje të tyre do të jetë Faruk Sejdini në rolin e këshilltarit, ndërkohë që ideja është që të afrohet edhe një drejtor sportiv. Sipas burimeve të gazetës, ky është ende një plan në letër, pasi presidenti synon të ketë një staf sa më të kompletuar, që të garantojë mbarëvajtjen e gjërave. Mbetet të zbulohet me kalimin e kohës se cilët mund të jenë kandidatët, por gjithmonë qëllimi është për të afruar në klub figura që kanë lidhje me Dinamon.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"