Nga “ferri në parajsë”, ish-portieri i ka provuar të gjitha. Kotorri tregon heronjtë: Elbasani ngjalli qytetin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2024 | 19:14

Nga “ferri në parajsë”, ish-portieri i ka provuar të gjitha. Kotorri tregon heronjtë: Elbasani ngjalli qytetin

Ish-portieri Elvis Kotorri ishte ndër të parët që iu bashkua projektit të tre viteve më parë, kur u krijua AF Elbasani, duke marrë përsipër të bënte rolin e trajnerit të portierëve. Sot, ai është më krenar se kurrë për arritjen e skuadrës në Superiore, teksa më herët si futbollist dhe pjesë e stafit pati provuar si titullin kampion, ashtu edhe rënien në të Dytën, duke mos e lënë asnjëherë në baltë skuadrën.

elbasaniii

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Kotorri pohon se Elbasani po rikthehet në habitatin e vet, aty ku ka si synim të tregojë vlerat e veta. Katër javë nga fundi, verdheblutë synojnë titullin kampion, por më herët duan të kalojnë me sukses edhe transfertën e radhës, Flamurtarin.

Kotorri, jeni dëshmitar i shumë ngjarjeve të bukura dhe të hidhura me Elbasanin. Si e konsideroni këtë moment?

Po, është e vërtetë që i kam përjetuar të gjitha ngjarjet, si të bukura e të hidhura me ekipin e Elbasanit. Di të them që ky moment është i bukur për të gjithë e ngjallur këtë qytet, duke ditur sesa të rëndësishëm e kanë futbollin.

Çfarë do të thotë për një qytet si Elbasani të përfaqësohet në elitën e futbollit shqiptar pas 10 vitesh?

Do të thotë që ky qytet do jetë aty ku i takon, në Superiore. Nuk janë të paktë ata që kanë meritë në këtë arritje, duke filluar nga kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, i cili bashkë me administratorin Marenglen Çoku dhe me kërkesën e vazhdueshme të “Tigrave Verdheblu”, ngritën një ekip dinjitoz tre vite më parë dhe ja ku jemi sot.

Cila ka qenë forca më e madhe e kësaj skuadre ose çelësi i suksesit?

Janë shumë faktorë në fakt. Kryesorja është që nuk na kanë munguar asnjëherë financat, ku jemi trajtuar edhe më mirë se ekipet e Superiores. Meritë ka patjetër presidenti Kujtim Llupa, administratori Marenglen Çoku, si edhe drejtori teknik, Elton Guranjaku, që prej tre sezonesh ka qenë i palodhur në gjithçka. Nuk mbeten pas të gjithë stafet teknike që kanë kontribuar në të tria sezonet. Pa harruar as lojtarët, që kanë dhënë kontributin e tyre maksimal dhe absolutisht tifozëria, me krye “Tigrat Verdheblu”, që kanë qenë një forcë e madhe për ne.

Çfarë Elbasani mendoni se do të jetë në Superiore vitin tjetër?

Mendoj dhe jam i bindur që do jetë një skuadër shumë e fortë, e cila do jetë e ndërtuar për të synuar trofe. Nuk u ndërtua ky klub vetëm për të shkuar në elitë, por të tregojë vlerat edhe aty.

E prisnit të siguronit ngjitjen katër javë para mbylljes së kampionatit?

Të them të drejtën e prisja. E them këtë duke parë ndërtimin e skuadrës, ku ka në gjirin e saj shumë lojtarë cilësorë për t’u ngjitur në Superiore.

Tani luani për vendin e parë, mendoni se do t’ia dilni?

E rëndësishme është që ne kemi siguruar ngjitjen në Superiore. Elbasani është në vend të parë prej disa javësh dhe jam i sigurt që do e mbajmë deri në fund këtë pozicion. Titulli do të ishte “qershia mbi tortë” për ne.

Ndeshja e radhës me Flamurtarin, si e prisni?

Është thjesht një ndeshje radhe. Flamurtari është një ekip ashtu si ne, me tradita në futbollin shqiptar dhe shpresoj që shumë shpejt të jenë edhe ato në Superiore. Ne do shkojmë për ta fituar, i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"