Nga emrat në vitrinën e merkatos te largimi i futbollistit afrikan, ja situata te Bylisi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2024 | 16:37

Nga emrat në vitrinën e merkatos te largimi i futbollistit afrikan, ja situata te Bylisi

Bylisi edhe këtë vit do ta ruaj “traditën” duke shërbyer si një vitrinë për klubet e Superiores, por edhe të huaja, për t’i furnizuar me lojtarë. Ndonëse luajnë në Kategorinë e Parë, në radhët e ballshiotëve u evidentuan disa lojtarë të rinj dhe me perspektivë, por edhe disa  me eksperiencë, vendas dhe të huaj.

bylis

Të gjithë lojtarët e spikatur janë nën kontratë, kështu që presidenti Besnik Kapllanaj është ai që do të studiojë dhe vendosë për ofertat e mundshme. Janë disa emra të lakmuar, të cilët kanë lënë gjurmë në radhët e skuadrës mallakastriote në sezonin që po shkon drejt mbylljes. Aleksandër Trumçi pritet të jetë sërish në qendër të merkatos, për të cilin vjet pati interes nga Partizani dhe Shkëndija e Tetovës.

Edhe portieri Renato Beqaj, i cili u bë pjesë e Kombëtares U-21 duket se është pikasur nga disa klube të Superiores. Për “gardianin” e Bylisit interes pritet edhe nga jashtë vendit, pasi në disa takime ka pasur menaxherë që e kanë ndjekur. Një emër tjetër që ka tërhequr vëmendjen e disa skuadrave është Aleks Peralta, i cili erdhi në Ballsh në merkaton e verës nga Ekuadori. Bylisi synon që të mbushë arkat këtë verë dhe merkato në Ballsh nuk do të ketë vetëm në hyrje, por edhe në dalje me “xhevahiret” e skuadrës.

Largimi- Në Ballsh po mendojnë edhe për sezonin e ardhshëm, pasi synohet një përfaqësim dinjitoz në Superiore. Bisedime dhe rinegocim do të ketë me ata që janë në skadim kontrate apo janë nën marrëveshje, por që mbeten prioritet për vazhdimësinë. Gjithashtu do të ketë edhe largime, apo zgjidhje kontratash me marrëveshje me ata që nuk kanë bindur në këtë sezon në Kategorinë e Parë. Disa lojtarë i kanë ditët e numëruara, ose e kanë ndalur numërimin te Bylisi.

Aktualisht klubi ka gjetur gjuhën e përbashkët dhe duket se ka mbyllur para kohe marrëveshjen me anësorin nga Gambia, Ismaila Cesay. Shtatlarti erdhi verën e shkuar në Ballsh, ku shënoi edhe 1 gol në Luz, në transfertë, por që nuk la shumë mbresa. Edhe pse nga stafit i është dhënë dora dhe është mbështetur, afrikani nuk ka bindur edhe pse bëhej fjalë për lojtar që kishte luajtur me kombëtaret e vendit të tij. Konkurrenca në krahë ka qenë e madhe te Bylisi, kështu që Ismail Cesay nuk mundi të rivalizojë dhe pranoi që të largohet drejt vendlindjes. Gjatë ditëve të fundit janë lakuar edhe disa emra të tjerë si largime të mundshme, por përveç afrikanit klubi nuk ka konfirmuar firo tjetër.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"