“Nga Egnatia s’do ketë largime”, Tetova: Mbajmë ritmin, të blindojmë vendin e tretë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2023 | 11:20

“Nga Egnatia s’do ketë largime”, Tetova: Mbajmë ritmin, të blindojmë vendin e tretë

Teksa kanë mbetur edhe katër javë nga përfundimi i kampionatit, Edlir Tetova, me gjithë rehatinë që i jep pozita aktuale e skuadrës, shprehet me modesti se asgjë nuk është arritur akoma. Ndeshjes së radhës me Kastriotin sot, Egnatia do t’i kushtojë një rëndësi të madhe, pasi në rast fitoreje, Europa është më afër. Kështu shprehet edhe trajneri Edlir Tetova në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” përpara këtij takimi.

Tetova

Ndeshja me Kastriotin në kampionat vjen pas atij kualifikimi historik për finalen e Kupës ndaj Tiranës. Si e gjen Egnatian kjo përballje e radhës?

Vijmë nga një kualifikim historik që klubin dhe skuadrën i gjen me një moral të lartë. Por në fakt akoma nuk kemi arritur asgjë. Prandaj na duhet përqendrim te ndeshja e radhës, për të shkuar drejt objektivave që kemi. Jemi të vetëdijshëm që na pret një ndeshje e vështirë në transfertë ndaj Kastriotit që në këto javë të fundit ka bërë paraqitje shumë të mira, pavarësisht pozicionit që ka në tabelën e renditjes.

Në tri ndeshjet e kaluara ndaj krutanëve, Egnatia ka fituar dy e barazuar një. Çfarë prisni nga takimi i nesërm (sotëm) në fushën asnjanëse të Elbasanit?

Kemi bërë mirë në tri fazat e kaluara ndaj Kastriotit dhe do të mundohemi të ruajmë të njëjtin ritëm edhe këtë ndeshje.

Ka ndonjë problem për formacionin. Mungesa, dëmtime, skualifikime, a ndonjë problem tjetër?

Grupi është i plotë dhe të gjithë janë të gatshëm për këtë ndeshje që në do ta vlerësojmë shumë nga ana jonë.

Duke qenë edhe pak ndeshje deri në finish, si e parashikoni garën e mbetur dhe ruajtjen e pozitave që keni në renditje. A ndieni ndonjë vështirësi aktualisht?

Mund të them se na duhet sakrificë dhe përqendrim maksimal nga çdo lojtar për të mbajtur këtë ritëm të deritanishëm, që të mund të ruajmë pozitat ku jemi në renditje.

Një fitore e mundshme sa e afron Egnatian me Europën?

Luajmë ndaj një kundërshtari të vështirë dhe çdo gjë është e hapur. Në duam te fitojmë, sepse kjo vërtet na afron me një këmbë me objektivat e klubit. Derisa matematika të vendosë për realizimin e tyre ne do të luajmë gjithçka për gjithçka.

Me këtë qetësi e komoditet që po kalon ekipi, a keni nisur që tani të hidhni piketat për sezonin e ardhshëm?

Na duhet së pari të mbyllim sa më mirë këtë sezon në ndeshjet që na kanë mbetur. Për sezonin tjetër, paraprakisht them një gjë që vlen. Tek Egnatia nuk do të ketë asnjë largim.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"