In memoriam Metush Seferi. Si mund të lihet në harresë ai?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2023 | 19:48

In memoriam Metush Seferi. Si mund të lihet në harresë ai?

Nga Eduard Dervishaj
Rastësisht, pak ditë më parë, pashë në formatin YouTube një dokumentar dedikuar 100 vjetorit të Sport Klub “Tirana” (2020). Për Klubin, për qytetin tonë dhe për të gjithë ata që duan futbollin, pavarësisht cilin ekip mbështesin, ky ishte një moment historik për një nga klubet më të rëndësishëm të futbollit dhe të sportit shqiptar si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë institucional. Me 100 vite jetë (102 sot) ky institucion sportiv është nga më të vjetrit e vendit, dhe jo vetëm sportiv, është gati aq i vjetër sa vetë historia e shtetit shqiptar.

tirana metush seferi

Sport Klub Tirana ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës shoqërore të kryeqytetit, pjesë e kapitalit simbolik, trashëgimisë emocionale dhe krenarisë së një komuniteti. Shenjë e identitetit të tij. Dhe për këtë, një rol të rëndësishëm ka luajtur historia e tij e shkruar nga ata që kanë dhënë gjithçka në fushë, në stol, në zyra dhe mbi të gjitha të tifozave të tyre të apasionuar.

Në dokumentar përmenden edhe emrat e atyre që kane drejtuar këtë Klub të madh gjatë historisë së tij.  Dikush prej tyre përmendet më shumë e dikush më pak por për njërin prej tyre nuk u fol fare. Është fjala për Z. Metush Seferi. Në fakt e përmendi emrin e tij një futbollist dhe paralelisht shfaqet në dokumentar një fotografi e Z. Seferi shkruar me titra: Donator i Klubit…!? Përse donator…!!

Pak histori; mbasi kam vënë re që në botën e futbollit ka shumë harresë. Në sezonin 1988-89, SK “17 Nëntori” (Tirana) fitoi titullin Kampion Kombëtar i Kateg.1rë. Mbas këtij sezoni “17 Nëntori” filloi gradualisht zbritjen në tabelën e klasifikimit, duke arritur në vendin e 4 në dy kampionatet pasardhëse por me shumë diferencë pikësh me fituesit. Në këtë kohë në Shqipëri po ndjehej era e ndryshimeve dhe vendi po përballej me një transformim themelor të ekzistencës së tij. Natyrisht në atë situatë, futbolli nuk mund të bënte përjashtim. Problemet e mëdha të asaj periudhe do të binin me gjithë peshën e tyre edhe mbi futbollin. Struktura e aktiviteteve u dëmtua seriozisht. Klubet, që deri atëherë kishin pasur një buxhet të garantuar nga shteti, papritur u gjendën përpara vështirësive shumë të mëdha financiare. Kishte mungesa të theksuara të bazës materiale. Rrezikohej jo vetëm pjesëmarrja në aktivitete, por dhe ekzistenca e tyre. Në kaosin e krijuar pas ndryshimit të sistemit, futbollistët, si gjithë qytetarët e tjerë, duhet të gjenin rrugët dhe mjetet për të siguruar jetesën e tyre dhe shumë prej tyre u larguan nga vendi. Në veçanti gjatë sezoneve 1990-‘91 deri 1993-‘94, gjendja e vështirë, vuri jo pak herë në pikëpyetje dhe zhvillimin e Kampionatit të Kategorisë së 1rë.

Ndërkohë SK “Tirana” (e kthyer ne emrin tradicional) vazhdonte rënien në tabelën e klasifikimit. Në vendin e 8 në sezonin 1991-92. Në fund të vitit 1991 Skënder Hyka u emërua Shefi i Klubit. Skënderi i vuri shpatullat futbollit të “Tiranës” në një periudhë tejet të vështirë. Në sezonin 1992-93, “Tirana” siguroi qëndrimin në kategorinë e parë në javën e fundit, në vendin e 11, me një pikë diference me ekipet që zbriten nga kategoria. Është ky momenti kur Hyka fillon bashkëpunimin me Metush Seferin, përfaqësuesi shqiptar i kompanisë “Ariston” dhe presidenti i parë i Klubit në periudhën e demokracisë. Që nga ajo kohë, Metushi nuk iu nda më “Tironës” së tij të zemrës, e cila po kalonte një nga momentet më të komplikuara të saj. Në bordin drejtues të “Tiranës” u futën emra të njohur, si Myslym (Lym) Alla, Konstanin Shkurti, Hekuran Skuqi si dhe Pandi Carapuli që dhanë kontributin e tyre për rimëkëmbjen dhe modernizimin e klubit.

Metushi, njeri i mirë e bujar, me një të folur të qetë e të ngadalshme që të transmetonte paqe, “tirons” deri në palcë, dha një kontribut shumë të madh, historik do të thosha, për ringritjen e S.K. “Tiranës” moderne e të suksesshme të mbas viteve 90.

Po ashtu, gjatë ngjarjeve të vitit 1997, ndërsa shumë ekipe kishin hyrë në krizë, gazetari Fatmir Mëneri, në gazetën “Sport Ekspres”, shkruante: “…Mbetet vetëm “Tirana”, tek e cila presidenti i saj, Metush Seferi, asnjëherë nuk është treguar “kokëkrisur”, por me modesti e pa i rënë gjoksit, mbetet i vetmi që mund t’i rezistojë shkatërrimit”.

Dhe jo vetëm i rezistuan shkatërrimit dhe rrezikut për të rënë nga kategoria, por “Tirana” u transformua në një ekip fitues dhe nga më të mirët e kampionatit. Në periudhën 1993 – 98, “Tirana” fitoi 3 tituj Kampion, 2 Kupa Republike si dhe u kualifikua për në Turin e Parë për Kupën e Kupave të Europës. Rezultate të shkëlqyera!

metush seferi

Metush Seferi dha kontributin e tij edhe për futbollin shqiptar. Si drejtues i FSHF-së së asaj kohe i jam mirënjohës për mbështetjen dhe aktivizimin e tij në proçeset e ndryshimeve të futbollit tonë mbas viteve 90. Metush Seferi u largua nga drejtimi i Klubit në 09 Shtator 1998.

Atëherë, si mund të lihet në harresë Metush Seferi i cili së bashku me Skënder Hykën hodhën bazat mbi të cilat u ringrit “Tirana” e sotme? Presidenti i Klubit të një periudhe unike për historinë e vendit por edhe të futbollit? Nuk ka më keq se mosmirënjohja dhe harresa e aq më shume harresa institucionale. Është mëse e qartë se humbja e kujtesës po na çon në humbjen e identitetit dhe e gjitha kjo e shkaktuar nga mosnjohja e së kaluarës.

p.s. Z. Metush Seferi u nda nga jeta në 13 Shkurt të vitit 2021 dhe Klubi i tij i zemrës nuk e pa të arsyeshme, në ndeshjen pasardhëse, që për të nderuar figurën dhe kontributin e tij të çmuar të mbante 1 minutë heshtje apo të vendosnin shiritin e zi në fanellat e futbollisteve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"