Nga derbi tek Elbasani, kalendar “ferri” për Bylisin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2024 | 20:48

Nga derbi tek Elbasani, kalendar “ferri” për Bylisin

Trajneri i Bylisit, Arian Bellai ka provuar afrimet e merkatos së janarit, në mënyrë që ata të inkuadrohen me pjesën tjetër të skuadrës. Ballshiotët janë të fokusuar te derbi me Apoloninë, që luhet nesër në orën 13:30 në “Adush Muçaj”.

bylis goxha

Në ndeshjen që Bylisi U-21 ka zhvilluar me Vorën në kryeqytet kanë luajtur Skënderaj, Mikailu, Toska, Papa, Levendi, Xhordan Lajthia, Qarri, Hodo dhe Oulare. Pra, tërë stoli thuajse është aktivizuar dhe ka marrë minuta, për të qenë edhe ata më në formë për derbin me fierakët. Ballshiotët nuk kanë dëmtime dhe të pezulluar në prag të duelit të së shtunës, ndërsa trajneri Bellai mund të provojë të njëjtën skemë që ka aplikuar në takimet e fundit.

Në dy ndeshjet e fundit me Vorën dhe Lushnjën skuadra ka shkuar mirë, si në aspektin e lojës dhe rezultatin përfundimtar. Bylisi ka një kalendar jo të favorshëm, pasi luan me Apoloninë e më pas ka dy transferta, me Besën dhe Kastriotin (e prapambetur), dhe më pas pret skuadrën Elbasanit në “Adush Muçaj”.

Takime që vendosin shumë edhe për kalendarin e fazës së tretë të skuadrës mallakastriote. Vendi i parë sigurisht që është synimi, por skuadra e Arian Bellait kërkon që sa më shpejt të realizojë misionin, që është rikthimi në Superiore. Rivaliteti është i fortë, ndaj ballshiotët duan që të tregohen cinikë në çdo ndeshje, ku rezultati maksimal vlen më shumë se loja e bukur.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"