Nga dënimi i Skënderbeut te rinovimi, Gvozdenoviç: Blerje në cdo repart, ju tregoj planin e merkatos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2023 | 20:41

Nga dënimi i Skënderbeut te rinovimi, Gvozdenoviç: Blerje në cdo repart, ju tregoj planin e merkatos

Skënderbeu konfirmon edhe për një se zon Ivan Gvozdenoviçin në drejtim të skuadrës. Njoftimin për rinovimin e kontratës e ka dhënë faqja zyrtare e klubit korçar, ku është sqaruar se pas një pjesë sezoni të suksesshëm, klubi dhe presidenti i kanë besuar serbit ekipin edhe për një tjetër sezon, tashmë në elitën e futbollit shqiptar.

Takaj Gvozdenovic

Natyrisht që nga ana tjetër rinovimi është konfirmuar edhe nga trajneri, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, është shprehur i kënaqur për besimin e Ardian Takajt. Gvozdenoviç ka treguar gjithashtu edhe ambiciet për një sezon në Superiore në kampionatin e ardhshëm.

“Jam shumë i lumtur që kemi arritur një akord me presidentin për të zgjatur bashkëpunimin tonë edhe për një tjetër sezon. Të them të drejtën ishte diçka që unë e doja me shumë forcë, pasi ky klub dhe këto ngjyra tashmë kanë një simbolikë shumë të veçantë për mua dhe janë pjesë e zemrës sime. Falënderoj presidentin për bashkëpunimin dhe besimin që pati tek unë.

Rezultatet besoj se ishin ato që justifikuan punën time te ky ekip dhe më dhanë mundësinë që të jem sërish në krye të pankinës edhe në Superiore. Jam i ndërgjegjshëm se ky është një nder për mua, por është edhe një përgjegjësi shumë e madhe. Ambiciet e mia janë të mëdha dhe dua që këtë ekip ta shoh në krye edhe si trajner”, theksoi fillimisht 44- vjeçari për gazetën.

KËRKESAT NË MERKATO

I ndalur te planet e sezonit të ri dhe kërkesat që ka karshi klubit, Gvozdenoviç specifikoi se prej kohësh kanë filluar të vendosen piketat kryesore të ekipit për sezonin e ri. Sipas tij, Skënderbeu do të jetë një grup cilësor lojtarësh për të synuar vendet e larta të renditjes. Për këtë ai kërkon të paktën pesë përforcime me qëllim që të krijojë grupin e duhur të lojtarëve.

“Të jem i sinqertë, ne prej kohësh kemi filluar të mendojmë për sezonin e ardhshëm dhe kemi vendosur piketat e para te lojtarë, që i shohim si të duhurit dhe të përshtatshëm për planet tona në Superiore.

Nga bisedimet paraprake që kemi bërë me drejtuesit e klubit dhe presidentin kemi në plan të ndërtojmë një ekip cilësor, që të luftojë për vendet e para të renditjes. Ndaj edhe për këtë kemi vendosur që të afrojmë të paktën pesë lojtarë cilësorë në çdo repart. Lojtarë që do t’u shtonin më shumë forcën elementëve që Skënderbeu i ka që në këtë sezon dhe që kanë treguar vlerat e tyre”, vijoi numri një i stolit.

DËNIMI I UEFA-s

I ndalur te dënimi i UEFAs, trajneri nuk deshi të komentojë shumë, duke u shprehur se është diçka që u përket zyrtarëve të klubit dhe jo pjesës së trajnerit apo stafit.

“Sa i përket dënimit, është hera e disatë që e dëgjoj dhe të them të drejtën nuk dua të komentoj më. Është diçka që i takon klubit dhe vetëm zyrtarët e klubit kanë të drejtë të flasin rreth saj.

Unë jam trajner dhe përgjigjem vetëm për fushën. Normalisht si trajner do të ishte mirë të kishim një lajm pozitiv për sezonin e ri, pasi shton moralin dhe i jep një shtysë më shumë projektit ambicioz që Takaj ka për Skënderbeun”, përfundoi Gvozdenoviç.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"