Nga Bundesliga tek Liga e Kampioneve, Lahm: PSG-ja të fut frikën në letër, shpresoj që Bajerni të jetë në ditën e tij më të mirë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2023 | 13:15

Nga Bundesliga tek Liga e Kampioneve, Lahm: PSG-ja të fut frikën në letër, shpresoj që Bajerni të jetë në ditën e tij më të mirë…

Diferenca e ngushtë në tabelën e Bundesligës pas 19 javësh ka çuditur Filip Lahm, aq sa të deklarojë se kampionati ka marrë tjetër perceptim, nëse i referohemi viteve të fundit. Madje ish-kapiteni i Bajernit nuk ka anashkaluar as duelin e ethshëm në Champions përballë PSG-së, e cila sipas tij do të jetë më shumë sesa thjesht e vështirë.62742599_303

RIVALITETE-”Liga vendëse ka pësuar transformim në sezonin aktual dhe renditja shërben si matësi më i mirë. Konkurrenca nuk përfshin vetëm Bajernin me Dortmundin, ekipe që i kanë dhënë temp futbollit gjerman në vitet e fundit, sigurisht me mbizotërimin e bavarezëve. Unioni dhe Lajpcigu ndodhen aty, ashtu si Frankfurti me lojtarë tepër cilësorë. Gjithsesi i qëndroj besnik mendimeve se Bajerni do të ngrejë sërish trofeun pas 34 raundesh. Nga krahu tjetër ky fenomen mund të ndikojë pozitivisht edhe në Ligën e Kampionëve”, pohonte me optimizëm shtatshkurtri gjerman.

CHAMPIONS-I-”Yjet e Parisit të fusin frikën në letër, por fusha do të japë panoramë më të qartë. Mjafton për të parë përbërjen e tyre me emra të rëndë si Mesi, Nejmar apo Mbape për të kuptuar se kundra kujt po luan dhe çfarë qëllimi ke në kokë. Të shpresojmë se djemtë e Nagelsmanit do të jenë në ditën më të mirë ndaj një skuadre të nivelit botëror në çdo repart. Besoj se episode të caktuara do të vendosin verdiktet finale se kush do të shkojë në fazën tjetër”, përfundoi drejtori i turneut “Euro 2024” për Agjencinë e Shtypit Gjerman. Akti i parë mes dy ekipeve në fjalë në kompeticionin më të rëndësishëm në spektrin e klubeve në rruzullin tokësore do të zhvillohet më datën 14 shkurt, ndërsa ai i kthimit në 8 mars, ku tempulli i “Allianz Arena”-s do të përcaktojë çerekfinalistin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"