Nga batutat për klubet italiane te ndeshja me Spanjën, Mançini: Kundër “La Roja”-s gjithnjë delikate, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2023 | 9:40

Nga batutat për klubet italiane te ndeshja me Spanjën, Mançini: Kundër “La Roja”-s gjithnjë delikate, por…

Zhgënjimi për mung esën në Botërorin e Katarit duket se është lënë pas krahëve në Itali. Federata ka vendosur të vijojë me Mançinin në krye dhe trajneri i kampionëve të Europës në fuqi është shfaqur i qetë para sfidës gjysmëfinale në Ligën e Kombeve kundër Spanjës sonte në mbrëmje.

mancini2

Ai ka pranuar se kombëtarja që drejton është në një fazë kalimtare, në një fazë ripërtëritje brezash, ndaj takimi në Ligën e Kombeve kundër Spanjës, vërtet ka rëndësi, po presioni nuk është shumë i madh.

“Kjo është hera e dytë që arrijmë në finalet e Ligës së Kombeve, nuk është aq e thjeshtë. Është mirë që arritëm deri këtu me një ekip të ri dhe kaluam një grup të vështirë që kishte brenda Gjermaninë, Anglinë dhe Hungarinë. Me Spanjën janë gjithmonë ndeshje të vështira, është një ekip plot me lojtarë cilësorë, ndryshojnë duke mbajtur gjithmonë të njëjtin sistem dhe të njëjtën cilësi loje”, nënvizoi trajneri i Italisë, Roberto Mançini.

Trajneri i Italisë ka folur dhe për diferencën mes dy kombëtareve, duke lënë të kuptohet se hendeku mes tyre është ngushtuar.

“Ka pasur raste kur Spanja ka dominuar, ndoshta këtë vit kanë pasur më shumë vështirësi, por mendoj se cilësia dhe numri i lojtarëve që ne nuk i kemi, i lejon ata të ofrojnë të njëjtin nivel futbolli. Ata praktikojnë të gjitha që e kemi parë prej disa vitesh, është gjithmonë e vështirë të përballesh me Spanjën dhe ne do të duhet të jemi të mirë për ta fituar këtë ndeshje”.

Trajneri i Italisë është ngacmuar edhe për një finale të mundshme, por ka zgjedhur të tregohet i matur në përgjigje.

“Nuk duhet të mendojmë për finalen pa luajtur kundër Spanjës. Kemi këtë kundërshtar dhe nëse kalojmë atëherë mund të flasim për finale”, tha ai. Mançini në konferencën për shtyp komentoi dhe zhgënjimin e trefishtë të klubeve italiane në kupat e Europës.

“Mendoj se të tria skuadrat italiane kanë qenë pa fat. Nëse i analizojmë ndeshjet me qetësi, mendoj se asnjëra nuk e meritonte humbjen. Është për të ardhur keq, por futbolli i tillë është”, tha Mançini.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"