Nga 1000 tifozë në stadium tek autobusi i bardhebluve që humbi rrugën, ja pikantet e miqësores Vorë-Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2023 | 18:01

Nga 1000 tifozë në stadium tek autobusi i bardhebluve që humbi rrugën, ja pikantet e miqësores Vorë-Tirana

“Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes miqësore Vorë-Tirana.

336648224_525061783035380_8047643814570352779_n (2)

– Autobusi i Tiranës nuk orientohet për te hyrja e stadiumit të Vorës, por shkon te tribuna përkarshi ku ishin vendosur tifozët e Vorës. U desh telefonata e punonjësit të klubit, Hajdar Karaj, që ai të shkonte në destinacion, te hyrja për në dhomat e zhveshjes.

– Ndeshja u ndoq nga afro 1000 tifozë të Vorës, të cilët gjatë gjithë ndeshjes kanë brohoritur dhe kanë përkrahur ekipin e tyre me daulle e thirrjet “Vora”, “Vora”. Madje, pas golit të dytë thirrjet ishin me dy kuptime: “Urime, urime ekipit kampion”, që nënkuptonte një tallje për humbjen e Tiranës, por dhe një urim për ekipin e tyre që është pranë shpalljes kampion në Kategorinë e Dytë.

– Shumë lojtarë nga të dyja skuadrat, afro 80 për qind, agjërojnë muajin e Ramazanit, por edhe disa pjesëtarë të stafeve teknike. Pas ndeshjes ishte planifikuar nga të dy presidentët, Albert Xhabafti i Vorës dhe Refik Halili i Tiranës, darka e iftarit. Por, pas humbjes presidenti i Tiranës nuk erdhi, ndërsa lojtarët e të dyja klubeve çelën iftarin. Presidenti Halili ka qenë tejet i mërzitur dhe është larguar me të mbaruar ndeshja.

– Isli Hidi takohet me Hajdar Karajn, që është punonjësi veteran i klubit bardheblu dhe i ka shërbyer për afro 60 vite. Karaj për gazetën shprehet:”E njoh që fëmijë të vogël, tani ai është 42 vjeç. Shikoni se sa kohë kam qëndruar me të. Punëtor klubi e kam filluar që 8 vjeç kur kapja topat pas porte. Kam kaluar shumë legjenda të Tiranës, duke nisur që nga Skënder Halili e deri te ky grup i sotëm”.

– Shiriti i kapitenit kaloi nëpër dy duar, nga një pjesë loje. Pas daljes së kapitenit titullar, Eglantin Gjoni, atë e merr Jurgen Vrapi në pjesën e dytë, që për herë të parë bëhet kapiten për skuadrën e Vorës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"