Nevil Dede përzien “kartat”, shanse te Dinamo për Samaken dhe Smaçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2022 | 12:24

Nevil Dede përzien “kartat”, shanse te Dinamo për Samaken dhe Smaçin

Deri në fund të këtij viti kalendarik janë edhe tri ndeshje për t’u luajtur dhe stafi teknik i Dinamos po bën llogaritë për të menaxhuar sa më mirë grupin e lojtarëve.

DINAMO

Blutë kanë ende mungesa, Imamin dhe Ymerin, ndërkohë që duhet parë edhe çështja e kartonëve.

Alisio Preloshi mungon këtë javë ndaj Lushnjës, për shkak të kartonit të kuq që mori ndaj Besës, ndërkohë që tre titullarë janë me nga tre kartonë të verdhë dhe rrezikojnë pezullimin.

Alesio Mija, Asion Daja dhe Taulant Marku, mund të humbasin ndonjë ndeshje të rëndësishme, nëse marrin një karton të katërt.

Pas Lushnjës, kryeqytetasit shkojnë në Pukë për të luajtur me Tërbunin dhe më pas presin Luzin.

Në këto kushte, për të synuar 9 pikët e mundshme, situata kërkon një menaxhim sa më të mirë dhe trajneri Nevil Dede ka përzier “kartat”, duke menduar për ndonjë ndryshim të vogël ndaj Lushnjës.

SAMAKE – Shanse për të luajtur këtë të shtunë ka Ali Samake. Afrikani, shpesh titullar në elitë, këtë sezon është “zhdukur”. Ai ka luajtur vetëm dy ndeshje dhe ato si zëvendësues, duke koleksionuar në total 16 minuta. Në miqësoret që Dinamo zhvilloi gjatë kësaj periudhe, ai ka luajtur në qendër të mbrojtjes dhe është paraqitur mirë, duke ia shtuar kuotat vetes për të luajtur edhe në kampionat. Imami është i padisponueshëm dhe Samake mund të luajë me njërin mes Diksonit dhe Mijës, me të parin të favorizuar. Krahët e mbrojtjes pritet të jenë me Allmuçën në të majtë dhe Fetajn ose Bardhin në të djathtë.

SMAÇI – Ndryshime mund të pësojë edhe mesfusha këtë fundjavë. Pa Ymerin dhe Preloshin, i pari i dëmtuar dhe i dyti i skualifikuar, ka shumë mundësi që një fanellë titullari të ketë Erisildo Smaçi, aq më tepër që shihet si një ndeshje pa ndonjë koeficient të lartë vështirësie. Smaçi pritet të jetë përkrah Dajës në qendër, kurse në krahë kanë më shumë shanse Prodani dhe Vokrri, të cilët kanë treguar një nivel të mirë. Për sulmin nuk ka ndryshime, dyshja T.Marku-Denison do të jetë nga minuta e parë edhe ndaj Lushnjës.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"