Nevil Dede i ka të qarta objektivat e Erzenit: Nëse duam Superioren, nuk na falen më gabimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2021 | 11:16

Nevil Dede i ka të qarta objektivat e Erzenit: Nëse duam Superioren, nuk na falen më gabimet

Erzeni u ka dhënë fund përgatitjeve dhe është zyrtarisht gati për të sfiduar Pogradecin. Luajnë në “Tofik Jashari” dhe gabimet janë të ndaluara. Këtë e thotë edhe vetë trajneri Nevil Dede, i cili as që e mendon se skuadra është konsoliduar mjaftueshëm dhe kjo i jep shpresë për vazhdimësinë.

Dede 2

“Erzeni është gati për të treguar atë që di të bëjë më mirë, të prodhojë futboll cilësor. Gjithmonë futemi në fushë për të fituar dhe me këtë mision do të zbresim edhe nesër (sot) në fushë”, kështu e nisi deklaratën e tij për gazetën, trajneri tiranas.

Teksa flet për kundërshtarin dhe objektivat, ai shton: “E vlerësojmë maksimalisht Pogradecin. Është një skuadër e fortë dhe vjen me moral në Shijak, pas asaj fitoreje në transfertë. Gjithsesi, Erzeni ka hyrë në rrjedhën e vet normale dhe kjo më shton besimin.

Këtë e shoh edhe nga mobilizimi në seancat stërvitore. Futbollistët do të luftojnë vetëm për fitoren, sepse, siç dihet, kemi mision Superioren. Nuk na falet më asnjë hap fals, nëse duam të ecim të sigurt drejt këtij synimi. Me tifozët në krah do ta kemi më të thjeshtë. Mbështetja e tyre do të na motivojë për të siguruar trepikëshin e radhës”, përfundon tekniku i njohur.

fm (1)

Shkullaku: Jemi më të qetë, ia dalim edhe në Shijak

Pogradeci do një tjetër fitore në transfertë. Pasi ia dolën në Cërrik, me të njëjtin mision udhëtojnë edhe në Shijak. Përballë Erzenit nuk do ta kenë të lehtë, por liqenorët i kanë marrë që të gjitha masat. Këtë e thotë edhe Hermes Shkullaku, që paralajmëron trepikëshin e radhës. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai evidenton se e keqja kaloi dhe tashmë ndihen më të karikuar se kurrë për të përmirësuar pozitat në klasifikim.

“E kaluam atë moment të vështirë që po na mundonte prej shumë kohësh. Prodhonim lojë, por nuk po e përkthenim dot me rezultate. Tani jemi më të qetë dhe kjo do të na japë edhe më shumë shanse për vazhdimësinë”, thotë fillimisht për gazetën mesfushori. Liqenorët kanë mundur deri tani të arkivojnë pesë pikë dhe ndodhen në një pozicion që nuk u shkon për shtat. E megjithatë, që të gjithë janë mobilizuar që shumë shpejt të ngjisin shkallët në renditje. Shkullaku zbardh detaje nga stërvitja e kësaj jave dhe konfirmon se tashmë janë më të qetë psikologjikisht.

“Kjo javë ka qenë edhe më e qetë nga ana psikologjike, sepse shoh që thuajse të gjithë futbollistët janë në rritje të dukshme fizike, por edhe tekniko- taktike. Ne edhe në ndeshje transferte kemi treguar se dimë të marrim pikë, madje edhe ato maksimale. Ky do të jetë edhe objektivi i vetëm për ndeshjen e radhës”, përfundoi mesfushori.

FIQIRI SHEHU/ ROMEO XINXIFI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"