“Nëndetësja” pa shënjestër/ Ngërçi i golit, Dinamo do sulmues në merkaton e janarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2023 | 16:33

“Nëndetësja” pa shënjestër/ Ngërçi i golit, Dinamo do sulmues në merkaton e janarit

Me ardhjen e stafit të ri teknik, me në krye trajnerin Dritan Mehmeti, Dinamo ka stabilizuar disa gjëra. Tani blutë janë një skuadër më efikase, që luan në bllok dhe mbrohet shumë më mirë. Këtë e tregojnë edhe statistikat e ndeshjeve të fundit, me asnjë gol të pësuar ndaj Kukësit, Erzenit dhe Partizanit.

dinamo

Një ndryshim shumë i madh në aspektin mbrojtës të lojës në krahasim me kohën e Di Biaxhos. Në anën tjetër, skuadra krijon raste para portës kundërshtare, por këtu vazhdon të ketë probleme, sepse nuk po arrin të finalizojë dhe të marrë pikët maksimale. Në tri ndeshjet e fundit të kampionatit, kryeqytetasit kanë shënuar vetëm një gol dhe atë me anë të mbrojtësit Rustem Hoxha. Sulmuesit që janë aktivizuar në këto ndeshje, Denison, Zabërgja, Vila dhe Kaçorri, nuk kanë mundur ta gjejnë rrugën e rrjetës.

Dinamo ka bërë mirë në total, duke marrë rezultate pozitive që e kanë larguar nga fundi i tabelës, megjithatë finalizimi i dobët e ka penalizuar jo pak. Nuk është e thënë që një skuadër të shkojë te goli vetëm me sulmuesit, por kuptohet që janë ata që mbajnë peshën kryesore. Blutë kanë shënuar 14 gola në 14 ndeshje, po aq sa Vllaznia dhe Skënderbeu, që janë ndër skuadrat me më pak gola të shënuar. Më pak se këto tri skuadra ka shënuar vetëm Teuta. Të paktën deri në janar, trajneri Dritan Mehmeti duhet ta gjejë zgjidhjen me sulmuesit që ka aktualisht në dispozicion. Përveç katër lojtarëve të përmendur më lart, blutë kanë sulmues edhe Tushën, Bardhin dhe Gjonin, por ata nuk kanë pasur hapësira deri tani. Shënuesi më i mirë i Dinamos aktualisht është Luis Kaçorri, me 4 gola.

MERKATO Gazeta mëson se blutë kanë nisur punën për të përforcuar repartin e sulmit në merkaton e dimrit. Alternativat nuk janë të shumta në janar, tregu ofron pak mundësi, megjithatë drejtuesit e klubit blu besojnë se do të gjejnë një lojtar me kualitet për repartin e avancuar. Një sulmues dhe një mesfushor qendre janë përparësitë e Dinamos në merkaton e dimrit, që po afrohet. Kërkimet e bluve mësohet se janë fokusuar në Kosovë, nga ku mund të vijnë lojtarët që u duhen për të pasur një grup sa më të kompletuar për gjysmën e dytë të kampionatit.

Për emra konkretë është ende shpejt për të folur, por fakt është që klubi kryeqytetas po bën përpjekje maksimale për të njeriun që do të garantonte golat që duhen, për realizimin e objektivit të këtij sezoni. Sulmi ka qenë gjithmonë probleme për Dinamon në tre sezonet e fundit, ku në asnjë sesion të merkatos nuk është goditur në shenjë për të gjetur profilin e munguar të një goleadori.

FATJON RUPI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"