“Në Vlorë më respektojnë, kudo më thonë: erdhi korçari”, Frashëri: Flamurtari ka 11 finale, ja si e arrijmë Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2024 | 13:10

“Në Vlorë më respektojnë, kudo më thonë: erdhi korçari”, Frashëri: Flamurtari ka 11 finale, ja si e arrijmë Superioren

Erlis Frashëri shikon 11 finale për Flamurtarin. Korçari 35-vjeçar e ka pasur Vlorën ëndërr të vjetër, ndërsa zbulon se më shumë ja ka “ngulitur” ish-trajneri Gerd Haxhiu, me të cilin ka bashkëpunuar te Skënderbeu. Për “Panorama Sport”, Frashëri theksoi se skuadra ka lojtarë me eksperiencë dhe nuk ka vend për vetëkënaqësi.

erlis frasheri flamurtari

Ai fton tifozët që ta mbështesin skuadrën për ngjitjen në Superiore.

Frashëri si e shikoni Flamurtarin në realizimin e objektivit madhor?

Me kontingjentin që ka ekipi, besoj se Superioren e arrijmë nga “play off”-i ose nëse kapim vendin e dytë. Duhet shumë përqendrim dhe kujdes, si dhe të bashkuar për ta arritur këtë qëllim.

Trajneri Memushi pas fitores në Berat tha se ende nuk është Flamurtari që ai dëshiron për Superiore. Kush është ekipi që pretendon ai?

Profesor Eqeremi kërkon shumë. Edhe në seancat stërvitore kërkon që ne të japim maksimumin. Dihet ajo pjesa e vetëkënaqësisë. Mesa kam parë unë në këto ndeshje në ekip nuk ka vetëkënaqësi, sepse të gjithë lojtarët janë me eksperiencë dhe kanë luajtur në klube shumë të mira. Çdo ndeshje e jona është si finale. Janë 11 ndeshje, 11 finale.

Memushi ishte në tribunë në Berat, e ndiqnit atë edhe prej andej?

Trajnerin e dëgjonim nga tribuna, por edhe Lejdi Liçaj kërkonte shumë. Profesor Memushi dëgjohej nga tribuna, na fliste dhe udhëzonte.

Fazën e tretë e nisni kundër Burrelit. Keni një koment?

Janë të gjitha finale për ne. Dua që të jemi të gjithë të bashkuar, stafi, klubi, futbollistët, si dhe të shikoj tifozët e Flamurtarit siç i kam parë edhe më parë, tribunat plot. Duhet të na mbështesin edhe më shumë, pasi janë forca jonë. Do japim maksimumin që t’i bëjmë ata të lumtur, pasi Flamurtari është një nga ekipet emblemë në futbollin shqiptar. Me ndihmën e tyre besoj se do të ecim shumë lartë.

Si e shikon diferencën e Kategorisë së Parë me Superioren?

Ka shumë ndryshim. Ky është realitet. Flamurtari që kur është ndërtuar dhe deri tani është një ekip elitë. Po t’i marrësh lojtarët me radhë, të del se kanë luajtur pjesën më të madhe të ndeshjeve në Superiore.

Si ndiheni në Vlorë?

Vlorën e kam dashur edhe më parë, por erdhi momenti tani. Shpresoj që të japë maksimumin dhe të bëj më të mirën time. Së bashku me klubin të realizojmë objektivin dhe të kapim Superioren.

Çfarë të tërheq në Vlorë?

Kam pasur miq shumë të mirë, si profesor Gerd Haxhiun që e kam pasur trajner edhe te Skënderbeu. Ai më ka folur shumë për Flamurtarin. Sa herë luaja kundër Flamurtarit doja që të jepja maksimumin. Kisha një ndjesi shumë të mirë kur luaja kundër vlonjatëve. Tani jam pjesë e këtij ekipi dhe dua të japë maksimumin tim për të realizuar objektivat madhor që kemi. Në pallatin ku jetoj, e dinë që jam futbollist i Flamurtarit dhe që jam nga Korça dhe më respektojnë shumë. Jam ndier shumë mirë, njëlloj si në shtëpinë time. Nuk më mungon asgjë. Në kafe, në market thonë: Erdhi korçari…

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"