Në shpëtim të kampionatit të Shqipërisë, “Partia” më mirë se Demokracia?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2023 | 18:14

Në shpëtim të kampionatit të Shqipërisë, “Partia” më mirë se Demokracia?

Nga BESNIK DIZDARI
Tregim i kampionateve 1954 e 1955…
Po shkoj te kampionati i vitit 1954. Dhe kujtoj se nuk mund të përballohej ai kryeqytet me pesë skuadra: Partizani, Dinamo, Puna e Tiranës, Spartaku, Luftëtari. Shtatë skuadrat e rretheve, thuajse dy-tri herë në muaj, duhej të vinin dhe të luanin në kryeqytet, çka shpesh shfaqte njëfarë nervozizmi të pavetëdijshëm në kërkimin e pafat të tyre për rezultate pozitive.

Besnik-Dizdari

I afrohet shumë kampionati i vitit 2023-‘24, ashtu siç është menduar. Janë 10 skuadra dhe plot 3 nga Tirana: SK Tirana, Partizani, Dinamo! 30 për qind nga kryeqyteti!

Por ja çka ndodhi në kampionatin e vitit 1954:

Kishim mbërritur te Java 8, ajo e 18 prillit 1954, dhe duke humbur 0-3 me Punën e Tiranës, Puna e Korçës – Skënderbeu i sotëm – lë fushën e lojës me urdhër të trajnerit Spiro Koça dhe, katër lojtarë: Mborja, Mullai, Xh.Merja dhe P.Mile, flaken jashtë. Puna e Korçës po harronte se po shkonte drejt Kategorisë së Dytë…

Fliste vetë renditja në përfundim të fazës së parë:
Partizani i U.P. 22 pikë, Dinamo e Tiranës 19, Puna e Shkodrës 15 , Puna e Kavajës 13, Puna e Tiranës 11, Spartaku i Tiranës 9, Puna e Vlorës 9, Dinamo e Durrësit 9, Puna e Durrësit 9, Luftëtari i SHBO “E.Hoxha” 8, Puna e Korçës 6, Puna e Elbasanit 2.

Që do të thoshte se Puna e Korçës, së bashku me atë të Elbasanit, po niseshin vërtet drejt rënies. Dhe ironia e fatit që ishte lënë të shfaqej në Elbasan. Është Java 22, e fundit, 25 korrik 1954: Puna e Elbasanit – Puna e Korçës 1-1. Renditja përfundimtare e kampionatit 1954 është kjo:

renditja (1)

Zbresin Puna e Elbasanit dhe Puna e Korçës, ndonëse kjo është me pikë të barabarta me Spartakun e Tiranës, madje edhe me golavarazh më të mirë: – 19 përballë – 26 Spartakut të Tiranës. Mirëpo, ja që mbretëron rregulli i pjesëtimit të golave të shënuar me ato të pësuar: Spartaku e ka 0.50, ndërsa Skënderbeu 0.45. Binte nga kategoria skuadra korçare për 5 të qindtat më pak të atij koeficienti absurd!

Këtu nis “mrekullia”. E pra, si mund të lihej Korça të zbriste kësisoj për herë të parë në histori në Kategorinë e Dytë?…

Dhe ja tek mbërrin vendimi pasardhës, ai për kampionatin e vitit 1955. Vendim që buçet “i frikshëm”: Kampionati nga 12 do të ketë edhe 4 skuadra më tepër. Çka do të thoshte se do të kishim një kampionat me këto 16 skuadra:

1. Dinamo e Ministrisë së P.B
2. Partizani i Shtëpisë Qendrore të U.P.
3. Puna e Tiranës
4. Puna e Shkodrës
5. Luftëtari i SHBO “Enver Hoxha”
6. Puna e Kavajës
7. Puna e Vlorës
8. Dinamo e Durrësit
9. Puna e Durrësit
10. Spartaku i Tiranës
11. Puna e Korçës
12. Puna e Elbasanit

Kështu qenë renditur këta në kampionatin e vitit 1954. Ishin shtuar edhe:

13. Dinamo e Shkodrës
14. Puna e Gjirokastrës
15. Puna e Beratit
16. Kombinati i Tekstileve “Stalin”.

Dhe ndodhte për herë të parë në historinë e kampionatit shqiptar që, midis shtatë skuadrave të para, të ishin tri Dinamo: dy të reja, e Shkodrës dhe e Durrësit, dhe një “e vjetër”, ajo që quhej Qendrore. Dy të parat do të shuheshin shumë shpejt. Do të rezistonte përjetësisht “e vjetra”…

Ndërkaq, krejt papritmas, gjithandej, si një lloj revolte bisedash në bare e kafene, u tha, madje jo me zë të ulët, se “në Drejtorinë e Sporteve në Ministri, meqë sundonte përbërja korçare, nuk do të lejonin që Puna e saj (Skënderbeu i sotëm) – të zbriste për herë të parë në Kategorinë e Dytë”.

E pra, çka duhej bërë? Shumë thjesht: duheshin shtuar skuadrat. Partia, duke kuptuar për së mbari se pa Korçë e Elbasan, kampionati dobësohej fort, i bindet forcës ministrore korçare dhe pranon. Shqipëria do të kishte një kampionat me 16 skuadra, çka për hir të së vërtetës do të përjetohej si një nga kampionatet më tërheqëse, më dramatike. Në fund të të cilit, Dinamo e Tiranës, në fakt e Ministrisë së Punëve të Brendshme, shpallet kampione e Shqipërisë thjesht për golavarazh. Ndonëse këtë e ka 74-9, pra +65 gola pozitivë, ndërsa Partizani e ka 93-15, pra +78 gola pozitivë, ose me 13 gola më mirë se Dinamo!… Por kampione është Dinamo. Rroftë koeficienti!

Ky ishte absurditeti. Ngjet po ajo që kishte ngjarë më 1950-ën, kur po Dinamo ishte shpallur kampione me golavarazh më të keq se Partizani (Shih “Historia e Kampionateve të Shqipërisë”, Libri 4). Kishin nga 29 pikë secili, por edhe pse golavarazhi i Partizanit ishte me 12 gola më mirë, kampione shpallet Dinamo! Kjo thjesht për rregullin absurd të asaj kohe: golavarazhi më i mirë konsiderohej pjesëtimi i golave të shënuar me ata të pësuar. Edhe në këtë 1955 ky pjesëtim nxirrte koeficient më të lartë për Dinamon: 8.2, përballë atij më të ulët të Partizanit që dilte 6.4! Ashtu siç sapo kishte ndodhur një vit më parë kur Skënderbeu ishte mposhtur në renditje prej Spartakut të Tiranës. Po si mund të guxohej të qëndronte Spartaku, një skuadër krejt e re dhe e vogël e të binte Korça e vjetër?…

Kështu, me këtë retorikë ua mbyllnin gojën ministërlinjtë e Korçës kundërshtarëve.

Dinamo 1955 rifiton titullin mbasi në plot 6 vjet e kishte humbur vetëm një herë, pra një vit më parë, më 1954. Çka do të thoshte 5 tituj në 6 vjet! Një sukses i rrallë. I dyti i llojit mbas atij të SK Tiranës së viteve ’30. Dhe Dinamo 6 tituj në 7 kampionate, dy prej të cilëve falë koeficientit të famshëm!

Kështu merrte fund kampionati i vitit 1955, me bukur 30 javë ndeshje, më i gjati në historinë e Shqipërisë deri asokohe, kampionati që pati rekordin e skuadrave nga kryeqyteti: plot 6! Nuk do të ndodhte kurrë më. Renditja ishte kjo:

renditja 1955 (1)

Dhe vëreni: Puna e Korçës (Skënderbeu) renditet në mes të tabelës, duke treguar që, edhe pse në vite të vështira të jetës së saj, nuk ishte për Kategori të dytë. Sot, ne, “konservatorët” e ruajtjes së një kampionati klasik të Shqipërisë – por i stilit të Europës Perëndimore, me dy faza e me 16 skuadra – gëzohemi edhe mbas 68 vjetëve për atë mendim të Partisë që kishte mbrojtur Korçën, por dhe Elbasanin – qendra të mëdha futbollistike të vendit. Partia kishte vepruar me mend në krye.

Tash, kur kujton vendimin e fundit për kampionatin 2023-‘24, vetvetiu të lind pyetja: 68 vjet më parë “Partia më mirë se Demokracia?”…

Ndonëse më pas Partia, ndonjëherë, nuk do të tregohej e qëndrueshme, teksa nën ndikimin e “specialistëve” të saj të futbollit, për pak kohë do të bënte disa organizime të kampionateve të paqëndrueshme. Derisa të mbërrinin vitet ‘60 kur edhe kampionatet e Shqipërisë do t’i përngjanin Europës Perëndimore. Më saktë, ata do t’i ktheheshin stilit të kampionateve të viteve ‘30 të Mbretërisë: Kampionat me dy faza, shkuarje e ardhje dhe kaq.

Megjithatë, asokohe, një thënie do të bëhej emblematike, teksa thuhej me buzagaz se “sa herë që skuadra e Korçës bie në Kategorinë e Dytë, Partia shton skuadrat”. Pa fanatizëm organizativ, sot them se mirë ka vepruar…

Ma do mendja se këto “tregimet” tona do të vazhdojnë. Ka mbetur për sot e kësaj dite thënia e drejtorit mitik të “La Gazzetta Dello Sport”, Gino Palumbo, i cili i këshillonte gazetarët e tij: “Shkruani për ata që lexojnë, jo për veten tuaj”.

Që do të thotë, jo për interesin tuaj egoist apo të vetëdukjes, çka për fat ngjet jo rrallë edhe në gazetarinë e sotme shqiptare, atë televizive e atë të fjalës së shkruar në letër, e zeza në të bardhë.

Ndërkohë, thënien e Palumbos ne mund ta shndërrojmë, duke nënkuptuar se këto shkrime kritike e problematike, që sapo i ka filluar “Panorama Sport” me synimin atdhetar për të penguar ndryshimin e propozuar për kampionatin 2023-‘24, i shkruajmë jo për vete, por për mjedisin e futbollit. I shkruajmë për presidentët e klubeve (e u pa se kishte prej tyre që kundërshtuan), për bashkitë e qyteteve të mëdha – sidomos të atyre mbrojtëse të dëshirave social-sportivo-kulturore të qytetarëve. I shkruajmë për asamblistët e FSHF-së, për t’u kujtuar qëndrimin e drejtë që u takon të mbajnë. Çka do t’i nderonte fort.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"