Në shpëtim të kampionatit shqiptar! Kundër formulës së Shqipërisë dhe e vërteta e asaj së Belgjikës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2023 | 19:12

Në shpëtim të kampionatit shqiptar! Kundër formulës së Shqipërisë dhe e vërteta e asaj së Belgjikës

Nga BESNIK DIZDARI
FORCA E PUSHTETIT TË KATËRT.
E kam quajtur “denatyrim” të kampionatit. Kjo është shumë butë. Me sinqeritet duhet ta quajmë “shkatërrim” i kampionatit, qoftë dhe në thonjëza. Fjala është për formulën e re, krejt absurde dhe krejt të panevojshme të strukturës së kampionatit kombëtar (me vetëm 10 skuadra) të Republikës së Shqipërisë.

fshf presidentet

Dhe me kryeradhë, po dal te gazetaria. Nëse kjo formulë miratohet (nuk besoj megjithatë) fajtorë të rangut të parë do të jemi edhe ne gazetarët, pra edhe gazetaria, me gjasë “pushteti i katërt”. Dhe kur hesht “pushteti i katërt”, shoqëria demokratike merr fund. Gazetaria nuk është vetëm ajo që informon (për fat, shumë shpesh te ne, deri në lajmet qendrore të ditës në televizione, kjo lloj gazetarie buçet për shitblerje futbollistësh, për para e miliarda që shkojnë e vijnë). Gazetaria është ajo që së bashku me qëllimin e saj informativ, përfshin edhe qëndrimin përmes një problematike. Madje, qëndrimin kritik. Kjo është gazetaria, ky është gazetari.

E pra, nëse gazetaria në udhëjetën e saj nuk mban asnjë qëndrim të problematikës apo që nuk shënon asnjë kritikë problematike, merret me mend që kjo nuk quhet gazetari. Për t’i kuptuar këto, mos u merrni me ne, por shkoni te teoria e gazetarisë dhe futuni sadopak studimeve rreth saj. Në ndryshim nga koha e regjimit komunist, ka ardhur edhe liria e studimeve, apo jo? Librat janë të pafund, sidomos në gjuhë të huaj.

E pra, pse duhet të heshtë gazetaria? Përse në studiot televizive sundojnë vetëm ish-trajnerë e ish-futbollistë?

Në gjithë këto ditë, prej tyre dëgjova vetëm njërin: ish-futbollistin e mirënjohur Rezart Dabulla, i cili në gazetën “Panorama Sport”, me dhimbje e drejtësi, e hodhi poshtë formulën e re. Specialistët dhe analistët e tjerë heshtin. Me sa duket, edhe ngaqë nuk janë mirëfilli gazetarë dhe ruajnë “ndërlidhjet” e ndryshme…

E ka shkruar kohët e fundit shumë bukur një nga gazetarët më të mëdhenj të Italisë, 84- vjeçari i paoksidueshëm Italo Cucci, gazetar universal, pedagog i shquar i gazetarisë, autor librash, drejtor (kryeredaktor) me gazetën e të cilit “Corriere dello Sport”, kam pasur fatin të bashkëpunoj në vitet ’90:

“… Sot, – shkroi Cucci, – televizionet i kanë mbush programet e tyre për të komentuar me anëtarë federalistë, me ish-trajnerë, me ishfutbollistë, me ish-arbitra, e tjerë e tjerë, duke hequr dorë për të ftuar gazetarë të duhur të shtypit të shkruar përballë të cilëve mund të ndjehen si të Serisë B”.

Ndodhka pra edhe në Italinë e madhe. Dhe ne të Shqipërisë së vogël që imitojmë 100 për qind! Mos kujtoni se jemi kundër komentatorëve apo analistëve federalistë, trajnerë apo ish-futbollistë. Sepse midis tyre ka shumë të zotë e që ia vlejnë të thirren. Por kur kalon masa, atëherë, gazetaria e vërtetë duhet të kuptojë se po tradhtohet. Më saktë: që ajo po tradhton vetveten.

EDHE DY KLUBE KUNDËRSHTUES MJAFTOJNE.
Po thuhet se dy klube, Partizani dhe SK Tirana janë kundër formulës së re, edhe pse “komentatorë” e “analistë” teknicienë heshtin. Kaq mjafton për t’u rrëzuar, për të mos u pranuar formula e re. Kjo jo thjesht për faktin se këta janë dy klubet më të famshëm të Shqipërisë, por sepse ndryshime të tilla detyrimisht duhet të pranohen kur për to janë të një mendjeje 100 për qind të klubeve. Ç’ka do të thotë se mjafton vetëm një votë klubi kundër, për të mos u pranuar ky apo ai ndryshim. Parimi i ligjeve të votimeve zgjedhëse të epërsisë së shumicës, kuptohet që nuk mund të praktikohet këtu.

Sidoqoftë, nuk mëtoj dhe as nuk më pëlqen të bëj sulm ndaj gazetarisë, pjesë e të cilës jam. Vetëm desha të theksoj se kundërshtimi i argumentuar përmes fuqisë së pamatë që ka gazetaria, do të na çojë te fitorja në këtë garë, që është edhe kulturore (nuk dëshiroj ta quaj “luftë”) për të ruajtur pra, vlerat e një kampionati. Dhe po fitua kjo garë, vetvetiu ajo do të jetë fitore edhe për Federatën Shqiptare të Futbollit dhe e interesave saj për ta forcuar Kampionatin tonë Kombëtar.

E VERTETA NE RASTIN E BELGJIKËS.
Ndërkaq, aty këtu sikur është thënë se ky është një model i Kampionatit të Belgjikës. Mirëpo, ja që kurrsesi Kampionati i Belgjikës nuk i zhdukërka pikët e mbas dy fazave të 34 javëve të tij. Dhe ja si veproi ai:

Në përfundim të Kampionatit me 34 javë, këtë 2022-2023, ai vërtet që i çoi 4 skuadrat e para në “play off”-in e titullit kampion. Por me një ndryshim të madh nga çka kërkon të bëjë formula shqiptare:
1. Ai nuk i zhduku pikët e 34 javëve.
2. Ai vetëm i pjesëtoi për dy, pikët e përfundimit të renditjes së 34 javëve.
3. Ai nuk e zhvilloi turneun në një qytet të vetëm dhe vetëm me nga 1 takim.
4. Ai i zhvilloi ndeshjet me shkuarje e ardhje, pra në fushën vendase dhe atë kundërshtare, simbas modelit të zhvillimit të 34 javëve të rregullta.
5. Ai pikëve të pjesëtuara iu shtoi pikët që skuadrat kishin grumbulluar në 12 ndeshjet me shkuarje e ardhje në “play off”.

Dhe ja çka ndodhi në Kampionatin e Belgjikës:

Në përfundim të kampionatit të rregullt, 34 javë me dy faza, katërshja e parë u rendit kështu:
1. Racing Genk 75 pikë
2. St.Gilloise 75 pikë
3. Anversa 72 pikë
4. Club Brugge 59 pikë

Në play–off kjo katërshe zhvilloi 12 ndeshje me shkuarje e ardhje në fushat respektive dhe Kampione u shpall Anversa me 47 pikë. Renditja përfundimtare për titullin qe kjo:
1. Anversa 47 pikë
2. Racing Genk 46 pikë
3. St.Gilloise 46 pikë
4. Club Brugge 36 pikë.

Siç e shihni, fituesja e Kampionatit të Belgjikës në plot 36 javë, Racing Genk, për shkak të “play off”-it e humbi kampionatin! Dhe titullin e e kampionit të Belgjikës e fitoi Anversa, e cila kishte zënë vendin e tretë në kampionatin e vërtetë. Pra, edhe Belgjika, megjithëse nuk i zeronte pikët, megjithëse kishte formulën me ndeshje brenda e jashtë për secilën skuadër të katërshes, “e rrënoi” kampionatin e saj, duke pranuar kampione skuadrën e vendit të tretë të një vit gare të 34 javëve kampionat! Ishte Anversa, thjesht sepse ajo fitoi 11 pikë ndaj 10 që fitoi Racing Genk – fitimtare kjo e kampionatit në plot 34 javë!

EDHE FORMULA BELGE NË PADREJTËSI.
Dhe shikoni më tej se çfarë padrejtësie kishte edhe kjo formulë shumë më emirë se ajo e propozuar në Shqipëri:

Prej katërshes, ndodhi që njëra prej skuadrave, ajo Club Brugge, t’i mbyllte dy fazat e rregullta në vendime 4-t, madje me plot 16 pikë, më pak se sa kryesuesja e kampionatit të rregullt të 34 javëve, që ishte Racing Genk. Dhe çudia tjetër: përgjysmimi i pikëve i dha mundësi kësaj skuadre me emrin e mirënjohur Club Brugge që nga 16 pikë mbrapa, tash pa asnjë meritë, të ngushtohej në 8 pikë nga kryesuesja Genk! Padrejtësi shekullore! Dhe Belgjika e sprovuar që e pranon!

Por le shkojmë te më e rëndësishmja:

Kampionatin e Belgjikës nuk e fitoi kryesuesja e 34 javëve Racing Genk. Nuk e fitoi as skuadra e renditur dyta në fund të 34 javëve që ishte St.Gilloise. E fitoi Anversa pra, skuadra e cila në përfundim të kampionatit të 34 javëve nuk ishte renditur as e para, as e dyta, por e treta!

Vështroni paksa se si e përcaktuan komentatorë të huaj edhe këtë formulë të kampionatit të Belgjikës:
“Rregullat absurde të kampionatit belg i heqin titullin fitueses së dy fazave”.
“Formulë e rregullave absurde që godasin meritokracinë”.
“Anulohen sakrificat që një skuadër bën gjatë gjithë sezonit”.
“Humbet titullin skuadra që ka pasur rendimentin më të mirë të kampionatit të përgjithshëm”.

NDËRSA SHQIPERIA EDHE MË KEQ.
Po Shqipëria? Naive e amatore sa s’ka ku shkon më, teksa do të veprojë me këto tri vendime:
1. T’i zhdukë krejtësisht, pra t’i çojë në zero, pikët e “maratonës” 1-vjeçare të 36 javëve të kampionatit!
2. T’i zhvillojë ndeshjet vetëm me një takim!
3. T’i zhvillojë ndeshjet në një qytet të vetëm, duke favorizuar skuadra që mund të jenë vendase, duke cenuar kështu vërtetësinë, asnjanësinë dhe ndershmërinë e garës!

Kjo është një formulë shqiptare krejt absurde dhe krejt e panevojshme. Në vend që të marrin vendimin për shtimin e skuadrave për t’i përngjanë kampionateve të të gjithë shteteve më futbollistikë të Europës Perëndimore, si dhe afër 70 kampionateve të Shqipërisë!…

Nuk ia vlen të zgjatemi më tej. U pa që edhe dy skuadrat më të mira të kampionatit të Belgjikës prej të cilit ndoshta mund të ketë marrë shembull Shqipëria, e humbën titullin, megjithëse kryesuan për bukur 34 javë në kampionat! Shihet qartë që edhe moszhdukja e pikëve të dy fazave, edhe moszhvillimi i ndeshjeve të “play off” në një qytet të vetëm, por me shkuarje e ardhje në fushat respektive të skuadrave, nuk ia shpëtuan “nderin” as kampionatit të Belgjikës.

Kaq edhe për kësaj radhe. “Panorama Sport”, edhe për hir të forcës së gazetarisë së vërtetë, me sa duket, do të vazhdojë për të mbrojtur vlerat e Kampionatit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, mbrojtje që ia mëkon forca e “pushtetit të katërt”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"