Në Pukë s’po gjejnë zgjidhje nga Komisioni i Apelit, Ndreu: Gati të jem trajner edhe në të Dytën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2023 | 23:51

Në Pukë s’po gjejnë zgjidhje nga Komisioni i Apelit, Ndreu: Gati të jem trajner edhe në të Dytën

Në Pukë nuk po gjejnë zgjidhje nga Komisioni i Apelit. Tërbuni e ankimoi dënimin e Disiplinës, por përjashtimi vazhdon të jetë në fuqi. Edhe pse Kategoria po luhet ende, e njëjta gjë nuk ndodh me pukjanët.

NDREU

Lojtarët janë shpërndarë tashmë dhe thjesht po stërviten në mënyrë individuale, pa një trajner. Këtë gjendje po e vuan Ramadan Ndreu, i cili e mori “timonin” më 25 prill dhe e drejtoi ekipin vetëm për 5 ndeshje.

Gjatë një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai rrëfen si e përjetoi vendimin, por edhe planet për të ardhmen. Dhe krutani nuk ka në plan që të “braktisë” Tërbunin, pasi është gati që të qëndrojë edhe sezonin 2023-2024.

“Jam habitur shumë më atë që ndodhi. Vendim i tepër ai i përjashtimin, pasi asgjë nuk ndodhi për të shkuar deri në këtë pikë. Gjatë gjithë karrierës sime si trajner, në Kategorinë e Parë apo Superiore qoftë, nuk më ka ndodhur të lë punën 6 javë pa u mbyllur kampionati. Kjo më ndodhi me Tërbunin. Është e padrejtë. Gjithsesi, unë nuk dua të merrem me gjyqtarët. Pavarësisht gabimeve, nuk do t’i futem kësaj teme.

Di të them vetëm një gjë. Nëse do t’i zhvillonim gjashtë ndeshjet e fundit, me bindje e them që do ishim edhe ne në fazën ‘play off’. Kishim një ekip të ndërtuar me shumë kujdes, ku nuk mungonte cilësia dhe harmonia. Kur erdha në Pukë, firmosa një kontratë 1 plus 1. Gjërat kanë ndryshuar tani, lojtarët janë larguar në shtëpitë e tyre dhe stërviten në mënyrë individuale.

Deri tani nuk kam pasur ofertë nga klube të tjera, por gjëja e parë që unë do të bëj është të ulem dhe të bisedoj me kryebashkiakun Gjon Gjonaj. Dëshira ime është të jemi përsëri në stolin e Tërbunit, pavarësisht se ndodhet në Kategorinë e Dytë.

Pasi të bisedoj me presidentin, në se biem dakord që unë të jem sërish në drejtim të ekipit, do të bëj të pamundurën për ta rikthyer Tërbunin në Kategorinë e Parën. Te ky ekip jam ndjerë mirë. Qyteti ka një tifozëri të mrekullueshme, shumë sportdashës dhe mikpritës. Unë do të mbledh ekipin e do të flas me futbollistët, që të mos largohen. Duhet të qëndrojnë të gjithë bashkë dhe fillojmë nga puna që sezonin 2023-2024 të ngjitemi direkt”, përfundoi trajneri.

DITMIR PEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"