“Ne nuk harrojmë”, në Sarandë bëhen gati për hakmarrje ndaj Turbinës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2022 | 11:43

“Ne nuk harrojmë”, në Sarandë bëhen gati për hakmarrje ndaj Turbinës

Butrinti nuk i ka mbyllur hesapet me Kategorinë e Parë. Edhe pse zyrtarisht janë të rënë, kanë borxhe për të kthyer. Mjafton të kujtosh deklaratën e dhënë direkt pas rënies së trajnerit, për të kuptuar këtë.

butrinti

“Ne nuk harrojmë, do t’ua kthejmë reston”, shprehej Adriatik Faslliu, teksa evidentonte se ranë prej makinacioneve. Në kësi kushtesh, sot ndaj Turbinës do të luhet sikur të ishte mesi i garës.

Lojtarët nuk e kanë ulur për asnjë çast ngarkesën në stërvitje dhe mobilizimi ka qenë në nivele të larta. Misioni është i qartë: të mposhtin cërrikasit.

Dhe nëse ndodh kjo, atëherë kundërshtarët do të jenë të detyruar që të diskutojnë qëndrimin nëpërmjet “play-out”-it. Është kjo forma që sarandjotët kanë gjetur për të marrë hak.

Gazeta “Panorama Sport” u mundua që të kontaktonte me drejtues, staf apo futbollistë, por askush nuk dëshironte të fliste. Ata përgjigjen duan ta japin në “Andon Lapa”, duke e mbyllur 2021-2022 me dinjitet.

Vetëm pasi të mbyllet ky 90-minutësh, në Sarandë do të mendojnë për vazhdimësinë. Vitin tjetër do të kthehet në Kategorinë e Dytë dhe gjasat janë që të ketë një lloj revolucioni në organikë. Shumica e lojtarëve mund të largohen, por para se të ndodhë kjo, e duan edhe një fitore.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"