Në mungesë të Ba, fati i Besës në duart e një sulmuesi 18-vjeçar. Mehmeti: Nuk e merituam humbjen me Bylisin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2024 | 16:26

Në mungesë të Ba, fati i Besës në duart e një sulmuesi 18-vjeçar. Mehmeti: Nuk e merituam humbjen me Bylisin

Fitorja ndaj Bylisit nuk pritej me çdokusht, por Besa i pati të gjitha shanset të dilte me një pikë. Ishte rasti flagrant i Eminit që i vetëm përballë portierit nuk shënoi, apo rasti i  Abdullait. Jo pak ndikoi te Besa edhe dalja me të kuq e sulmuesit Ba, që jo vetëm la ekipin me 10 lojtarë, por ishte edhe shpresa kryesore për të gjetur golat.

Mehmeti 10

Për sulmuesin e ri Donat Mehmeti, që luajti në vend të Mustafa Ba, Besa nuk e meritoi të dilte pa pikë. “Është normale që ndaj Bylisit të jetë e vështirë. Nuk dolëm dot në lojën tonë në pjesën e parë, pasi u kujdesëm më shumë që të mos pësonim. Dënimi i sulmuesit tonë kryesor Ba, na i prishi disi planet. Por sikur morëm më shumë forcë e besim në pjesën e dytë pavarësisht se me një lojtar më pak. Nuk u tërhoqëm aspak të mbroheshim, përkundrazi ishte Besa që dominoi pjesën më të madhe të kësaj pjese. Patëm dy raste ideale për ta çuar ndeshjen në 1-1.

Rasti i Eminit, i vetëm me portën, apo goditja e Abdullait, te të dyja duhet patjetër të kishim shënuar. Në momentet tona më të mira vjen dhe goli i dytë i miqve. Këtu mendoj se ndeshja u mbyll. Nisur nga emri i kundërshtarit dhe loja që ne bëmë, besoj se treguam vlera. E pranoj se jam shumë i ri, akoma si kam mbushur 18 vjeç, për të udhëhequr një ekip si Besa. Por dëshira e madhe bën që të besoj shumë te forcat e mia, natyrisht dhe te ndihma që më jep ekipi.

Në 3 takimet e fundit, loja ka qenë e tillë që sulmuesit por edhe mesfushorët kanë pasur raste për të shënuar. Uroj e shpresoj ta kem edhe unë këtë fat. Jam duke mësuar shumë nga lojtarët me përvojë”, u shpreh Mehmeti për “Panorama Sport”. Besa do të luaj këtë fundjavë në trasnfertën ndaj Kastriotit. Me mungesën e Mustafa Ba, pritet që Donat Mehmeti të jetë qendërsulmuesi.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"