“Në klub nuk i duan afër të suksesshmit, preferojnë të bindurit”, Dimo: Vendi i dytë, aspak surprizë për Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2023 | 18:44

“Në klub nuk i duan afër të suksesshmit, preferojnë të bindurit”, Dimo: Vendi i dytë, aspak surprizë për Apoloninë

Amarildo Dimo e sheh Apoloninë në rrugë të mbarë. E kënaq fitorja e fundit me Luzin 2008 në transfertë, por më së shumti vendi i dytë. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ish-kapiteni fut në “skaner” skuadrën. Vlerëson prapavijën si pikën më të fortë, por shumë përcaktuese quan ndeshjen e kësaj jave me Bylisin.

amarildo dimo

Ka edhe një këshillë për drejtuesit e klubit, që sipas tij mbajnë afër vetes vetëm “të bindurit”.

Apolonia nuk po di të ndalet. E priste Dimo këtë start?

Fitoren përballë Luzit, sigurisht që e prisja. Të tregohem shumë i sinqertë, skuadrat ishin shumë larg njëra-tjetrës në lojë dhe rezultate. Kështu që Apolonia ishte “e dënuar” të triumfonte në këtë transfertë. Dhe ia doli, e shfrytëzoi momentin jo të mirë të kundërshtarit. Kjo nuk e zbeh aspak shkëlqimin e Apolonisë, përkundrazi vërteton edhe njëherë që nuk fal.

Kjo fitore i ngjiti në vendin e dytë…

Apolonia është në lartësinë e duhur dhe personalisht mendoj se vendi i dytë në renditje është më se i merituar. Nuk jam aspak i surprizuar. Në përgjithësi, skuadra ka bërë paraqitje dinjitoze dhe është përballur si e barabartë me këdo e kudo. Më e rëndësishmja ka grintë, nerv dhe dëshirë për të triumfuar kurdoherë.

A mendoni se fierakët do të kenë forcë që të kenë vazhdimësi?

Nuk e di plotësisht kontingjentin e fierakëve. Por, nëse do të kenë lojtarë cilësorë stoli që arrijnë të zëvendësojnë mirë mungesat e mundshme të titullarëve, qoftë për kartonë apo dëmtime, atëherë besoj që Apolonia do t’u prishë tërësisht llogaritë ekipeve pretendente.

Cila është pika e fortë e Apolonisë?

Pikat e forta të Apolonisë janë reparti i mbrojtjes dhe porta. Këto i shoh të konsoliduara dhe të harmonizuara mjaft mirë me njëra-tjetrën. Edhe shifrat i kanë në favor, pikësëpari se kanë pësuar vetëm pesë gola në tetë ndeshje dhe së dyti në plot pesë ndeshje nuk kanë pësuar gol.

Por sulmi?

E lashë për në fund, por jo për nga rëndësia. Unë do të veçoja edhe nigerianin Umejiego Antoni, i cili është kthyer në pikë referimi në sulm.

Këtë të diel ka derbi, presin Bylisin kryesues në “Loni Papuçiu”. Si e shihni këtë përballje?

Bylisi është një ekip shumë i fortë, që synon të ngjitet direkt në elitë dhe kjo përballje do të tregojë më së miri forcën e vërtetë të Apolonisë. Për të pretenduar dhe për të arritur elitën në fund, atëherë duhet të fitosh përballje të tilla. Për mua, Apolonia i ka të gjitha cilësitë dhe mundësitë për të triumfuar, madje kanë edhe faktorin fushë si një armë më tepër ndaj Bylisit. Kjo është pikërisht ndeshja, ku Apolonia duhet do të tregojë gjithë potencialin që ka.

Si ish-lojtar i të dyja skuadrave, për kë bëni tifo të dielën?

Si ish-lojtar i Apolonisë dhe Bylisit, pikësëpari do ta ndjek me kënaqësi këtë kryendeshje të javës së 9-të. Jemi në fazën më delikate të garës, mos e harroni këtë. Sa i përket tifozërisë, unë jam lindur e rritur në Fier dhe natyrisht që jam tifoz me Apoloninë. Mirëpo nuk dua të lë pa përmendur edhe suportin që më ka dhënë Bylisi dhe tifozët e tij.

Pas 720 minutash lojë, a janë zbuluar pretendentet për ngjitjen?

Ekipet pretendente janë thuajse të përcaktuara, kjo edhe falë pikëve aktuale që kanë në tabelën e renditjes. Mendoj se pesë ekipe do të garojnë për dy vendet e para, pra Bylisi, Elbasani, Flamurtari, Apolonia dhe Vora.

Për ta përmbyllur, e keni një këshillë të fundit për Apoloninë?

Klubi fierak duhet të jetë mirënjohës ndaj njerëzve që kanë punuar dhe punojnë ende aty. Të jetë falënderues dhe vlerësues ndaj atyre që sakrifikojnë nga koha e tyre për fanellën e rëndë të Apolonisë. Thënë më troç, të vlerësojë njerëzit e suksesshëm dhe jo ata që vetëm pohojnë me gojë. Deri tani njerëzit e suksesshëm nuk i kanë qejf në këtë klub dhe mendoj që preferojnë më shumë të “bindurit”.

HILMI SALIU -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"