Federata Shqiptare e Basketbollit, një nxitje e fortë për FSHF-në

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2023 | 23:00

Federata Shqiptare e Basketbollit, një nxitje e fortë për FSHF-në

NGA BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Një lajm më ka befasuar këto ditë. Ishte ai që vinte prej Federatës Shqiptare të Basketbollit këtu në “Panorama Sport”. Më erdhi përmes një interviste të sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB), Korab Llazani. Ai njoftonte se:

“Në përputhje me statutin, neni 6, detyrat dhe aktivitetet, është vendosur që në sezonin e ri të gjitha skuadrat të jenë në një kampionat te të rriturit”.

“Shumë bukur!”, – thashë me vete. Dhe ashtu siç më pëlqen përherë që veprimtaritë kombëtare sportive të nxiten nga atdhetaria, me mend përgëzova e falënderova FSHB-në. Kuptova që më në fund, me ndjenjë atdhetarie pra, ajo paska vendosur të largohet prej braktisjeve të skuadrave më në zë të basketbollit shqiptar. Sepse deri më sot, pa menduar fort thellë mbase, ajo kishte rënë në gabimin e madh të organizimit të një kampionati me vetëm 6 skuadra dhe të një kampionati të Kategorisë së Dytë me vetëm 4 skuadra! Raste unike në Europë!

Madje deri aty saqë u arrit që në këtë “të dytë” të bënte pjesë edhe skuadra më e lavdishme e basketbollit shqiptar që është Partizani i Astrit Grevës e Agim Fagut. E, mbas pak, papritmas po në këto kushte rënieje, po mbërrinte edhe Vllaznia e Shkodrës e Esat Haxhit dhe e Petrit Osmanit tim – ky plot pesë herë kampion si trajner i një Vllaznie të pashlyeshme! Them “tim” sepse me të jam shok fëmijërie e shkolle, adoleshence e rinie, të hershme e të sotme…

I vëreja këto dy kampionate dhe çuditesha vërtet se si mund të zhvilloheshin asisoj, duke injoruar vlerat më historike të basketbollit shqiptar. Tash sapo vjen ky ndryshim i madh, që padyshim do të na bëjë që çdo javë të merremi edhe me basketbollin e rangut më të parë që do të mund të përfshijë gati gjithë krahinat e Shqipërisë së bashku.

E, mandej do t’i kthehemi famës së mëparshme të basketbollit shqiptar, i cili dikur trondiste pallatet e sportit anekënd Shqipërisë. Kësisoj, do t’i detyrojmë televizionet që të transmetojnë, krejt ndryshe nga sot, edhe Kampionatin Kombëtar të Basketbollit. Doemos, duke ia kërkuar opinioni ynë publik sportiv, jo vetëm gazetaria kritike pra, me rreptësi, që nëse një rubrikë televizive ka në emërtim fjalën “sport” detyrimisht të mos jetë vetëm për futbollin. Për çka fort për të keq ndodh edhe me të vjetrën “Rubrikën Sportive” të Televizionit Publik Shqiptar.

Deri aty saqë më duket se ky brez i ri gazetarësh që merret me të, me një indiferencë që po guxoj ta quaj “prepotente”, ka shmangur mû qëllimin sportiv të saj, madje mbarësportiv, çka edhe me ligj e ka. Ju drejtues të televizioneve: ndalojini pseudodiskutimet e pavlera që nuk mbarojnë kurrë, analizat pa analizë, futbollomanitë kundërbasketbollistike, kundërvolejbollistike, kundëratletike, kundërolimpike! Sidomos, ju drejtues të Televizionit Publik Shqiptar.

Ndërkaq, shkova te një prej tre librave me titullin “Me basketbollin nëpër vite” të autorëve Xhorxhi Vasili, Spiro Kuravati e Gavrosh Kavaja – “trilogji” kjo, ku përveç vlerave të çmueshme gazetarie, ka vlera enciklopedike. U ndala te kapitulli i statistikës historike dhe për një çast mbeta te kampionati i vitit 1948, ku kanë marrë pjesë plot 12 skuadra, të cilat në përfundim të kampionatit kishin këtë renditje:

unnamed

Tirana, Shkolla “Skënderbej”, Shkodra, Shijaku, Elbasani, Korça, Fieri, Pogradeci, Gjirokastra, Durrësi, Vlora, Lezha. Një kampionat me plot 12 skuadra më 1948-ën! Mandej shkova te një nga kampionatet më të vonshme, ndër më të fuqishmet, e si të thuash, ndër më shqiptaret, pra, jo shumë larg, por te kampionati i vitit 2006-2007. Dhe ja renditja:

Kampionati Kombëtar i Basketbollit 2006-2007:

1. SK TIRANA / Tiranë 47

2. VALBONA / Tropojë 46

3. DINAMO / Tiranë 44

4. PARTIZANI / Tiranë 42

5. VLLAZNIA / Shkodër 40

6. STUDENTI / Tiranë 38

7. SHKODRA BASKET / Shkodër 35

8. TEUTA / Durrës 34

9. KG POGRADECI / Pogradec 33

10. APOLONIA / Fier 30

11. SKËNDERBEU / Korçë 27

12. FLAMURTARI / Vlorë 26

13. KS ELBASANI / Elbasan 26

Plot 13 skuadra – një kampionat ku mbas “play off”-it titullin e fitoi Valbona e Tropojës me trajner Korab Llazanin – sekretar i tashëm i përgjithshëm i FSHF-së. Titull tropojas për të pestën herë me radhë madje. Një sensacion! Duke u kthyer te kampionati i ri 2023-2024, mësojmë se pjesë e tij do të jenë edhe skuadrat e rëna, Partizani e Vllaznia, çka i shpëton prej mosqëndrimit në Kampionatin Kombëtar. Dhe siç njoftohet, ky kampionat 2023-2024 do të ketë bukur 14 skuadra pjesëmarrëse.

Nuk ka ku shkon më mirë. Ajo që paraprakisht më duhet të kundërshtoj qysh tash, është mendimi që FSHB paska për t’iu kthyer përsëri kampionatit me 6 skuadra. Nëse ndodh kjo, unë nuk kam çka të bëj tjetër, veçse ta mohoj këtë shkrim mbështetës të sotëm.

Mirëpo, kam besim se ky kampionat me 14 skuadra, do të jetë kaq tërheqës, kaq mbarëkombëtar, kaq mbarëshqiptar, kaq mbarëqytetar sa do ta detyrojë FSHB-në ta vazhdojë po me 14 skuadra, mbasi njëkohësisht mund të rindërtojë me më shumë seriozitet një Kampionat të Kategorisë së Dytë.

X X X

Dhe tani shkoj e prek “thembrën e Akilit”: Kampionatin Kombëtar të Futbollit të vetëm 10 skuadrave, kundërshtar i rreptë i zhvillimit të të cilit jam tash 10 vjet. Dhe jo vetëm unë, natyrisht, por me mijëra e mijëra shqiptarë futbolldashës. Bëni sondazhe! E pra? Këmbëngul edhe te shembulli nxitës që më bën vendimi i FSHB-së.

Shembull që vetvetiu sikur “urdhëron” që edhe Kampionati Kombëtar i Futbollit për 2023-2024 të ndryshojë duke shtuar numrin e skuadrave pjesëmarrëse. Për këtë problem të madh, nuk kam të shtoj ndonjë argument të ri. Vetëm dua të marr e të kujtoj ndonjë pjesë nga shkrimi im më i fundit, ai me titullin “Kundër 4 fazave të mërzitshme të vetëm 10 skuadrave!”, botuar në “Panorama Sport” më 14 qershor 2023. Shkrova:

“Kështu kemi mbërritur edhe në këtë vit 2023: që në kampionatin e Shqipërisë, prej themeluesve dhe zhvilluesve gati shekullorë të tij, kanë mbetur vetëm skuadrat e qyteteve Tiranë, Shkodër dhe Durrës! Për fat u rikthye edhe skuadra e Korçës që është Skënderbeu. Dhe me rikthimin e Dinamos, më duhet të përsëris (o Zot i madh, sa shumë që më duhet të përsëris) se:

Kampionati 30 për qind të skuadrave i ka nga kryeqyteti Tiranë. Ndërsa nga Jugu i Shqipërisë ka vetëm një: Skënderbeun e Korçës! Kështu, përsëri mbërrijmë te propozimi ynë “monoton” tashmë, edhe për Kampionatin e Shqipërisë 2023-‘24. Ky propozim do të ishte ai që na thotë që të kemi një kampionat jo me 10 skuadra, por me këto 16 skuadra pjesëmarrëse:

1. PARTIZANI / Tiranë

2. SK TIRANA / Tiranë

3. EGNATIA / Rrogozhinë

4. VLLAZNIA / Shkodër

5. KF LAÇI / Laç

6. TEUTA / Durrës

7. KF KUKËSI / Kukës

8. ERZENI / Shijak

9. SKËNDERBEU / Korçë

10. DINAMO / Tiranë

Siç kuptohet, këto 10 të parat i kam vendosur sipas renditjes së kampionatit 2022-‘23, duke vënë në vendet 9 e 10 të saporikthyerit Skënderbeu dhe Dinamo, të cilët zunë dy vendet e para të kampionatit, të ashtuquajtur, edhe pse rrêjshëm, i Kategorisë 1.

Skuadrat e tjera për t’u përfshirë në 16-shen e kampionatit të ri, këtij 2023-‘24, ma do mendja se u takon të jenë këto:

11. FLAMURTARI / Vlorë

12. TOMORI / Berat

13. KORABI / Peshkopi

14. APOLONIA / Fier

15. BYLISI / Ballsh

16. KASTRIOTI / Krujë

Kjo do të ishte 16-shja e kampionatit 2023-‘24, duke vendosur që të mos ketë zbritje në Kategorinë 1, pra që Bylisi e Kastrioti të mos zbresin nga kategoria, ndërkohë që mbasi rikthehen Dinamo e Skënderbeu, arsyeja e shtimit të 6 skuadrave të tjera është kjo: Flamurtari i Vlorës, Tomori i Beratit, Korabi i Peshkopisë, Apolonia e Fierit vijnë ngaqë zunë vendet 3, 4, 5, 6 në kampionatin e ashtuquajtur 1. Mbas tyre vijnë të rënët, Bylisi dhe Kastrioti.

Kjo duke u vendosur pra, që të mos ketë rënie nga Kategoria… Pseudoshkaqet, pseudorregullat, pseudomendimet, pseudoarsyetimet që dëgjojmë tash 10 vjet, nuk kanë më vlerë. Kemi 10 vjet me një cilësi vendnumëro të Kampionatit tonë Kombëtar.

Kemi boshatisje të stadiumeve. Kemi indiferencë të paparë në ndjekjen e kampionatit. Pse jo, kemi shterim talentesh (shihni përbërjet e ekipeve kombëtare). Kemi deri dhe cenim të vetë pasurisë së jetës kulturore, sportive e sociale të qyteteve më futbollistike të Shqipërisë.

X X X

Kështu pra, po e përsëris. Po e përsëris, sepse harresa sot mbretëron në Shqipëri. Dhe jo vetëm në jetën sportive, por edhe në të gjitha fushat e jetës shqiptare. Atëherë: a do të kemi ndryshime në Kampionatin Kombëtar të Futbollit të Republikës së Shqipërisë, këtë 2023-2024? Apo me kryefortësi do të vazhdojmë me monotoninë e pafrytshme të vetëm 10 skuadrave pjesëmarrëse që ka përjashtuar prej tij gjysmën e futbollit të qyteteve më tradicionale të Shqipërisë?…

Dhe mos kujtoni se harruam volejbollin. Ai është “kushëri” i afërt me basketbollin, e i takon të veprojë edhe ai si basketbolli. E të dy së bashku të kujtojnë se sa i bujshëm e befasues qe interesimi i spektatorëve në ditët e ndeshjeve të fundit të titujve të sezonit që sapo shkoi.

Çka po aq do të jetë nxitje e madhe për të ndryshuar fort dhe pa asnjë ndalesë kompozicionin e shumëpritur qytetar, gjeografik, ndërkrahinor, tradicional, padyshim të veshur fort me modernen më të mundshme të sportit të sotëm. Vetvetiu e gjithë kjo është një thirrje atdhetare që sportet ia mëkojnë një populli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"