Në 75 vjetorin e lindjes, ish-futbollisti kujton vitet e lavdishme. Fatmir Goxhaj: Albpetroli të rikthehet te historia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2024 | 14:09

Në 75 vjetorin e lindjes, ish-futbollisti kujton vitet e lavdishme. Fatmir Goxhaj: Albpetroli të rikthehet te historia

Futbolli është si fe dhe kjo e ka bërë edhe në Shqipëri si sportin më popullor dhe gjithëpërfshirës. Madje në të shkuarën arritjet e futbollit kanë pasur gjerësi gjeografike më të madhe. Këtu përfshihet edhe Patosi, me skuadrën e tij të futbollit që arriti të marrë pjesë edhe në Kupat e Europës.

FATMIR GOXHAJ

Këtë histori suksesi të patosarakëve na e sjellë në kujtesë Fatmir Goxhaj, një ish-futbollisti i Punëtorit të Patosit, skuadër e cila pas viteve 90 u quajt Albpetroli. Ai feston 75 vjetorin dhe në intervistën për “Panorama Sport” tregon arritjet e patosarakëve, ku edhe ai ka kontribuar. Ai shpreson që qytetit t’i kthehet sërish gëzimi dhe krenaria që sillet ekipi i futbollit.

Profesor Goxhaj, ju mbaheni mend për golin tuaj të 5 majit 1974, kur Punëtori i atëhershëm arriti të zhvillojë një finale me Apoloninë, duel për ngjitjen në elitë. Goli juaj ia mundësoi këtë Punëtorit. Si i kujtoni ato vite?

Ne jemi stërvitur në kushte të vështira, jo si sot. Një punë të madhe ka bërë Xhevat Llupa. Është e vërtetët që skuadra u ngjit në vitin 1994 në Kategorinë e Parë, që sot quhet Superiore. Trajner i Punëtorit ishte Fatmir Dogani, por grupi ynë ishte i përgatitur nga Xhevat Llupa. Ai pati një rol të rëndësishëm, pavarësisht se trajner ishte miku im i ndjerë Fatmir Dogani. Në fakt, ajo ndeshje duhej të luhej në fushë asnjanëse, por u vendos të luhej në Fier. Stadiumi ishte plot dhe emocionet përfshinë të gjithë dhe ne morëm fitoren. Një festë e jashtëzakonshme për ne, aq më tepër që erdhi përballë Apolonisë.

Punëtori i Patosit kishte tentuar disa herë të ngjitej në elitë, këtë radhë ia doli. Si ishte përjetimi mes më të mirëve të kampionatit?

Ne arritëm të shkruanim historinë dhe ai vit do të mbahet mend gjatë. Në Kategorinë e parë ne morëm vetëm dy fitore, me Flamurtarin dhe Besëlidhjen, si dhe një barazim me Traktorin e Lushnjës. Kuptohet që kishte një disnivel të madh midis nesh dhe skuadrave elitare si Partizani, Dinamo, 17 Nëntori, Vllaznia etj. Ne dolëm serish nga kategoria atë vit dhe padrejtësia më e madhe na është bërë në 1976-ën, kur ne dolëm në Kategorinë e Tretë (sot Kategoria e Dytë), sipas një formule të FSHF-së, ku as atëherë dhe as sot nuk e kuptoj se si ramë. Atëherë thuhej se nuk lejoheshin dy ekipe nga i njëjti rreth dhe kështu midis Apolonisë dhe Punëtorit, dolëm ne nga kategoria. Ishin vite të vështira pune dhe ringritje.

FATMIR GOXHAJ PUNETORI I PATOSIT

Fatmir Goxhaj kur luante për Punëtorin e Patosit

Pas rënies së diktaturës, skuadra ndryshon emrin nga Punëtori në Albpetrol dhe arrin të shkojë për herë të parë në një kompeticion elitar siç janë Kupat e Europës. Albpetroli u përball me Balzersin e Lihtenshtejnit. Si e perceptoni këtë histori kulminante?

Unë e kisha lënë futbollin disa vite më parë, por nëse në vitin 1974 ne arritëm për herë të parë të ngjitemi në Kategorinë e Parë, në vitin 1993 ishte serish miku im Fatmir Dogani, trajner, dhe ishte plotësisht merita e tij e jashtëzakonshme që krijoi një grup kompakt, të mirë, të talentuar dhe me futbollistë vendas. Duhet thënë, se për ekipe të vogla siç jemi ne, nuk është e lehtë të shkosh në kompeticionet europiane dhe besoj se 5 maji i 1974-ës, kur u ngjitëm një kategori më lart për herë të parë, dhe ajo verë e nxehtë e vitit 1993 kur shkuam për herë të parë në kompeticionet europiane, do të mbahen mend gjatë si data. Janë të pavdekshme në historinë e futbollit patosarak. Ishte ky vit, kur Albpetroli humbi dhe finalen e Kupës së Shqipërisë me Partizanin në Durrës me rezultatin 1-0. Patosi qëndroi për vite të tëra në Kategori të Parë dhe ishin vite plot lavdi e kredo sportive.

Në 2013-ën, Albpetroli, pas mbi një dekadë, ngjitet nga Kategoria e Dytë në të Parën, e cila sot është niveli i dytë futbollistik i vendit tonë. Ishte një kohë e gjatë pritje dhe për ju…

Në atë vit, trajner ka qene Arben Ymeraj. Unë e mbaj mend Benin që lojtar dhe e dija grintën që e karakterizonte. Ai ngriti një ekip kompakt me shumë mund dhe arriti ato rezultate që arriti. Gabimi me i madh ishte që e hoqën si trajner. Për ngjitjen që i bëri skuadrës e meritonte të ishte ai udhëheqësi i atij ekipi në Kategorinë e Parë.

Ashtu si në 1974-ën edhe në 2013-ën Albpetroli ishte thjesht kalimtar, se ekipi ra sërish një kategori më poshtë. Por sot Albpetroli luan në kategorinë inferiore të futbollit, Kategoria e Tretë, niveli i 4-t i futbollit. Si e shikoni këtë dhe a besoni se mund të ketë ripërsëritje të këtyre viteve të lavdishme për futbollin patosarak? 

Mua me dhemb zemra kur e shoh Patosin në Kategorinë e Dytë e jo më në të Treten. Fanella e Patosit vlen shumë dhe ne dikur na peshonte në trup. E ndjenim, e kishim pasion. Ndërsa sot sporti kërkon shumë buxhet. Gjithsesi, unë kam besim te Kryetari i Bashkisë, sepse thuajse ka 1 vit që është zgjedhur dhe i ka kushtuar vëmendje futbollit. Është prezent në çdo ndeshje të skuadrës në shtëpi. Unë besoj se Albpetroli do të ngjitet në Kategorinë e Dytë, por për më shumë dhe për të arritur ato që kemi arritur ne, ato që janë arritur nga profesor Dogani. Të shkohet te ato që janë arritur nga viti 1991 deri në 1997. Janë pak të vështira nëse nuk gërshetohet dëshira, vullneti, pasioni, puna, sakrifica, besimi dhe sigurisht edhe buxheti si një ndër mjetet kryesore të ditëve të sotme.

Profesor Goxhaj, si ish-futbollist dhe specialist i këtij sporti, cili është mesazhi në këtë përvjetor të 75-të të ditëlindjes suaj?

Ju falënderoj, pasi për mua ishte kënaqësi të ktheja në kujtesë ato arritje të bukura të futbollit patosarak. Mesazhi im i fundit është, që futbolli të mos harrohet, por të kultivohet, mbrohet dhe rritet me punë. Së fundmi, më lejoni t’u shpreh besimtareve mysliman agjërim të lehtë e të pranuar. Faleminderit.
LUIS FEJZULLAH- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"